LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A duhet të ketë një kufi maksimal moshe për politikanët në poste të larta?

6 Shtator 2023, 20:45, Blog Nancy S.Jecker

A duhet të ketë një kufi maksimal moshe për politikanët

Presidenti Xho Bajden ishte “mirë” sipas drejtorit të Komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Ben Labolt, pasi u pengua në skenë gjatë ceremonisë së diplomimit të Forcave Ajrore të SHBA më 1 qershor. Por rrëzimi i tij u filmua direkt nga kamerat, dhe njerëzit në mediat sociale spekuluan se çfarë fshihej pas atij episodi.

Bajden, që në nëntor mbush 81-vjeç, është presidenti i SHBA-së më i moshuar në detyrë. Ai  bën pjesë tek një numër politikanësh në rritje që janë në moshë të madhe, përfshirë senatorin republikan 81-vjeçar Miç Mekonell. Më 30 gusht, ky i fundit u bllokua plotësisht kur një gazetar e pyeti mbi planet e tij për rizgjedhjen në detyrë.

A duhet të ketë një kufi maksimal moshe për politikanët

Ai qëndroi i heshtur për më shumë se 20 sekonda, me shikimin e tij të përhumbur, teksa një ndihmës e pyeti nëse e dëgjoi mirë pyetjen.  “Do të na duhet një minutë”- tha ndihmësi dhe disa çaste më vonë e largoi senatorin nga foltorja. Ajo ngjarje u pasua nga një incident të ngjashëm po me Mekonell në korrik.

Disa njerëz - nga kolegët e tij demokratë deri tek bordi i redaktorëve të The New York Times - kanë vënë në dyshim nëse Mekonell dhe kolegët e tjerë, përfshirë 90-vjeçaren Diana Feinshtein, mund të përmbushin detyrat, duke përmendur incidentet jo të pakta në të cilat ajo është përfshirë.

Feinshtein nisi të lexonte fjalimin e përgatitur para një votimi në seancën dëgjimore për buxhetin në Senat më 27 korrik, ndërsa kolegia e saj demokrate, senatorja Pati Marrej, i pëshpëriti: ”Thuaj vetëm thuaj po!”. Ngjarje të tilla ngrenë me të drejtë pyetjen: A mund të jenë politikanët shumë të moshuar për të shërbyer në një post publik?

A duhet të ketë një kufi maksimal moshe për politikanët

A duhet që shoqëria ta bëjë të detyrueshme daljen në pension në një moshë të caktuar për zyrtarët e zgjedhur që drejtojnë vendin, siç janë presidentët dhe senatorët? Unë jam filozofe dhe bioeticiste që studioj etikën në lidhje me plakjen individuale dhe shoqërore, dhe këto çështje janë në krye të asaj që unë studioj dhe përpiqem t’i japë një përgjigje.

Çfarëdolloj këndvështrimi që ka dikush për etikën e kufijve të moshës për politikanët, votimi mbetet mënyra kryesore për të vënë në praktikë pikëpamjet personale. Kriteret për kandidatët presidencialë në SHBA, nuk kanë ndryshuar që nga viti 1789, kur dhe u shkrua Kushtetuta.

Në atë epokë, jetëgjatësia mesatare ishte rreth 34 vjeç. Por ndryshonte shumë për njerëzit që ishin skllevër ose të lirë. Sot, jetëgjatësia për një amerikan mesatar është 79 vjeç. Por ajo priret të jetë shumë më e lartë për njerëz si politikanët, të cilët janë relativisht të pasur dhe kanë një kujdes shëndetësor të mirë.

Në SHBA, një person duhet të jetë 35 vjeç ose më i madh në moshë që të zgjidhet president.

Duhet të jetë të paktën 25 vjeç që të zgjidhet në Kongres dhe 30 vjeç për të shërbyer në Senat. SHBA-ja e ndaloi diskriminimin e moshës në vendin e punës që në vitin 1967. A duhet të bëjnë përjashtim nga ky ligj politikanët që drejtojnë vendin?

A duhet të ketë një kufi maksimal moshe për politikanët

Një sondazh i YouGov i vitit të kaluar, raportoi se 58 për qind e amerikanëve duan një moshë maksimale për politikanët. Ata që mbështesin kufijtë për moshën, thonë zakonisht se politikanët që mbajnë poste nuk duhet të jenë më shumë sesa 70 vjeç. Kjo do t’i bënte 71 përqind të senatorëve aktualë të papërshtatshëm për të mbajtur postin.

Është e paqartë se si mund të zbatohen kufijtë e moshës në këtë fushë. Gjithnjë e më shumë, njerëzit do të detyrohen të përballen me pyetjet nëse një person mund të jetë shumë i moshuar për të mbajtur poste publike. Njerëzit jetojnë më gjatë në SHBA, por e njëjta gjë është e vërtetë në të gjithë botën.

Marrja në konsideratë e kufijve të moshës për politikanët e rangut të lartë, shtron në fakt disa pikëpyetje etike që nuk kanë një përgjigje të qartë. Qëndrimi në detyrë pavarësisht problemeve shëndetësore, mund ta kërcënojë sigurinë publike. Një president amerikan ka një pushtet të jashtëzakonshëm. përfshirë aftësinë për të lëshuar armë bërthamore.

Anëtarët e Kongresit janë përgjegjës për hartimi e ligjeve, shpalljen e luftës dhe kontrollin e taksave dhe shpenzimeve. Teksa plaken, njerëzit përballen me një rrezik të shtuar për t’u prekur nga sëmundje kronike. Dhe këto të fundit mund të ndërhyjnë në jetën e përditshme, dhe t’i vendosin politikanët e moshuar në një rrezik më të lartë për të punuar keq në aktivitetin e përditshëm.

Një mundësi tjetër veç kufizimit ligjor të moshës, është testimi i shëndetit ose akoma më mirë. Testimi i punonjësve të të gjitha moshave në intervale të rregullta, shmang stereotipet e moshës. Bajden i nënshtrohet një kontrolli vjetor shëndetësor, dhe është konsideruar “i aftë për detyrën që mban”.

A duhet që i njëjti standard të zbatohet për Feinshtein dhe Mekonell? Kjo ngre pikëpyetjen e madhe:”Po sikur mjekët të mos bied dakord midis tyre mbi shëndetin dhe aftësinë e një politikani për të qëndruar në detyrë?”. Kontrollet shëndetësore ndryshojnë nga pensionimi i detyrueshëm.

Në vendet e pasura perëndimore, njerëzit nuk dalin në pension sepse nuk mund të punojnë më. Pensionimi nuk lidhet me një reduktim aktual të aftësive fizike ose intelektuale. Nga ana tjetër, shëndeti i njerëzve priret të dobësohet pas daljes në pension.

Ata që kundërshtojnë pensionimin e detyrueshëm, ku futem edhe unë, thonë se kjo mënyrë gjeneron stereotipe negative të bazuara tek mosha. Ekspertët kanë treguar se njerëzit e moshuar janë të ndryshëm dhe ata e ndajnë plakjen biologjike - si konsumimi fizik në trup -nga plakja kronologjike.

Përveç stereotipizimit të të moshuarve, pensioni i detyruar shkel parimet e barazisë. Njerëzit që janë po aq të aftë për të kryer një punë, meritojnë shanse të barabarta për të vazhduar punën, pavarësisht nga faktorë që nuk kanë lidhje me performancën në punë si mosha, raca apo identiteti gjinor.

Por përkrahësit e tezës së pensionimit sipas moshës, thonë se kjo politikë i trajton njerëzit në mënyrë të barabartë me kalimin e kohës, pasi të gjithë të rinjtë një ditë do të plaken. Por të tjerë nuk pajtohen me të, duke këmbëngulur se thelbi i barazisë është krijimi i një komuniteti të barabartësh, dhe se është i gabuar diskriminimi i më të moshuarve.

Njerëzit që mbështesin vendosjen e një kufiri maksimal të moshës për presidentin dhe anëtarët e Kongresit, kanë nisur fushatat e hedhjes së firmave në internet në faqen Change.org. Por këto përpjekje do të kërkonin një amendament kushtetues dhe nuk kanë fituar ende një mbështetje të gjerë.

Po ashtu 2 senatorë republikanë kanë paraqitur një amendament në Kushtetutën e SHBA, që do t’i lejojë senatorët të shërbejnë vetëm 2 mandate 6-vjeçare, ndërsa anëtarët e Kongresit vetëm 3 mandate 2-vjeçare. Kongresi ka rrëzuar propozimet e mëparshme për të vendosur kufij mbi mandatet.

Në nivel shtetëror, 16 shtete kufizojnë mandatet për ligjvënësit, por jo domosdoshmërisht për shkak të shqetësimeve të moshës. Kufizimet direkte mbi moshën, janë duke u marrë në konsideratë në Dakotën e Jugut, që në vitin 2024 do votojë për të ndryshuar kushtetutën e shtetit, dhe për të vendosur një kufi të sipërm moshe prej 80 vjeç për kandidatët për në Kongres. Meqë është qeveria ajo vendos minimumin e moshës për Kongresin dhe presidencën, a duhet të ketë edhe kufij maksimalë? Kjo pyetje mbetet e hapur. Në demokraci, janë njerëzit ata që vendosin përmes votës./ “The Conversation” - Përkthyer dhe përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga