LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A është ky fundi i perandorisë Soros?

18 Shtator 2023, 07:59, Blog CNA
A është ky fundi i perandorisë Soros?
George Soros

Edhe në tërheqje, perandoria Soros nxit një histeri të madhe. Kur në dhjetorin e vitit të kaluar, 93-vjeçari Xhorxh Soros ia kaloi drejtimin e Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur (OSF) djalit të tij 37-vjeçar, Aleksandrit, shumë nga mbështetësit e tij liberalë pyetën veten nëse ky ishte fillimi i fundit.

Tani duket se është konfirmuar frika e tyre më e madhe. Nën maskën e një “ndryshimi radikal të drejtimit strategjik”, OSF do të tërhiqet nga Evropa, dhe stafit i është thënë se organizata “do të reduktojë ndjeshëm fondet që u jep vendeve të BE-së”.

Siç edhe mund të parashikohej lajmi shkaktoi panik në zemër të establishmentit progresist të Evropës, që e ka parë prej kohësh Xhorxh Sorosin si një aleat vendimtar në luftën kundër të djathtës populiste, dhe që mbështetet shumë tek OSF për financime.

Përgjatë viteve, Shoqëria e Hapur ka dhuruar miliarda euro për shumë OJQ-të, institute kërkimi dhe media evropiane, të cilat kuptohet që nuk e pritën mirë lajmin për reduktimin e fondeve.

Përballë akuzave se tërheqja e OSF-së “nuk mund të vinte në një kohë më të keqe për projektin evropian”, Soros Jr nxitoi të sqaronte se OSF-ja vetëm sa po e zhvendos fokusin e saj më në lindje, tek vendet jo anëtare të BE-së, si në Ballkan dhe në Ukrainë.

A është ky fundi i perandorisë Soros?

Kjo lëvizje mund të analizohet në 2 mënyra. Së pari OSF-ja e konsideron të kryer misionin e saj për të siguruar një aleancë të fortë liberale-progresiste në BE, dhe tani mund të fokusohet në zonat më problematike të kontinentit.

Së dyti, vendimi i organizatës për t’u tërhequr nga BE-ja mund të jetë një pranim i nënkuptuar i humbjes përballë valës të së djathtës populiste që ka përfshirë kontinentin, kjo pjesërisht edhe si një reagim ndaj ideologjisë liberal-progresive të promovuar nga njerëz si Soros (dhe natyrisht nga vetë Bashkimin Evropian).

Kjo do të shpjegonte edhe vendimin e Soros Xhunior për t'u përqendruar më shumë edhe në Shtetet e Bashkuara, me synimin e deklaruar për të siguruar që Trump të mos ngjitet sërish në SHBA. Nëse familja Soros e ka humbur betejën në Kontinentin e Vjetër, shmangia e një disfate të ngjashme në Amerikë do të shndërrohej natyrshëm në një imperativ.

Qëndrimi që mban dikush mbi këtë çështje varet nga prirja e tij politike. Dhe ky është problemi. Ashtu si me shumë çështje sot, lejohen me sa duket vetëm 2 qëndrime në diskutimin rreth Soros: ose ju besoni se ai është “bartësi standard i demokracisë liberale” - një mbrojtës i të drejtave të njeriut, lirisë dhe pluralizmit - ose duhet të jeni në mënyrë të pashmangshme i pozicionuar në të djathtë - pra në krahun e teoricienëve konspirativë antisemitë - që besojnë se është një mjeshtër kukullash i lig, i prirur për dominimin e botës.

Është e qartë se ka shumë njerëz që e urrejnë Sorosin për shkak të trashëgimisë së tij hebraike. Por është po aq e qartë se akuzat për “antisemitizëm”, po përdoren sot për t’i mbyllur gojën cilitdo që ngre shqetësime legjitime për aktivitetin e Sorosin, që nuk kanë fare të bëjnë me prejardhjen e tij hebreje.

Për shembull në vitin 2019, i ndjeri Sër Roxher Skruton u shkarkua nga roli i tij si këshilltar i qeverisë britanike pasi gjatë një interviste për “The New Statesman”, tha se në Hungari ka pasur një “perandori të Soros”. “Cilido që nuk mendon se është kështu nuk i ka vëzhguar faktet”- tha ai, në një deklaratë të cilën revista e cilësoi si antisemite.

A është ky fundi i perandorisë Soros?

Në fakt gjatë viteve 1970-1980, Soros u angazhua në aktivitete të ngjashme në të gjithë Evropën Lindore duke luajtur një rol vendimtar në rrëzimin e komunizmit në rajon. Në dekadat që pasuan, Soros e përdori Universitetin e tij të Evropës Qendrore, të themeluar në vitin 1991 në Budapest.

Ky universitet nuk e fshehu misionin e tij “për të ndihmuar në edukimin e një brezi të ri udhëheqësish në Evropës Qendrore”. Por kohët e fundit, Ben Skallan, gazetar irlandez, ka shkruar se OJQ-të e lidhura me OSF-në po i shtrembërojnë qëllimisht statistikat për të treguar një rritje të madhe të krimeve të urrejtjes në të gjithë Irlandën, pavarësisht se të dhënat e vetë qeverisë tregojnë të kundërtën, në mënyrë që të rrisin mbështetjen për një ligj të propozuar për gjuhën e urrejtjes që do të kufizonte seriozisht lirinë e fjalës.

Dhe këtu çështja nuk është se çfarë mendon dikush për kauzat e Soros, disa prej të cilave mund të jenë vërtet të denja për t’i mbështetur. Problemi është nëse në shoqëritë demokratike është e pranueshme që një individ i vetëm ta përdorë pasurinë dhe ndikimin e tij - në rastin e Aleks Soros, pasurinë dhe ndikimin e trashëguar nga babai i tij - për të formësuar kulturën dhe politikën e shumë vende të botës.

A është ky fundi i perandorisë Soros?

Nuk është e habitshme që vitet e fundit, ka pasur një reagim në rritje kundër Soros në shumë vende. Para së gjithash dhe si për ironi në vendin e tij të origjinës, Hungari. Në vitin 2018, qeveria e Viktor Orban, pasi e akuzoi Sorosin dhe OSF-në për inkurajimin e emigrimit në Evropë dhe dëmtimin e kulturës kombëtare të Hungarisë, e detyroi OSF-në dhe Universitetin e Evropës Qendrore të largoheshin nga vendi dhe të zhvendosnin zyrat e tyre, përkatësisht në Berlin dhe Vjenë.

Tek e fundit, nuk ka asgjë origjinale apo konspirative në lidhje me pretendimet ndaj perandorisë filantropike të Soros. Ai është thjesht nënprodukt i një kapitalizmit të shfrenuar dhe oligarkëve që fuqizon në mënyrë të pashmangshme. Përgjatë historisë, klasat dominuese janë përpjekur gjithmonë të gjenerojnë forma të reja të “politikave” që përputhen me interesat e tyre.

Për shembull gjatë shekullit XIX, industrialistët më të famshëm të Amerikës - Karnexhi, Stenford, Kornell, Xhon Hopkins, Rokfeler - themeluan universitete pikërisht për këtë qëllim. OSF, ashtu si Fondacioni Bill & Melinda Gejts, përfaqëson mishërimin bashkëkohor të kësaj tradite shekullore.

Por nëse Soros beson sinqerisht në drejtësinë e kauzave që sponsorizon, apo nëse mendon se ato u shërbejnë interesave të tij materiale, kjo është jashtë çdo lloj diskutimi. Sepse në zemër të saj, kur flitet për ushtrimin e një ndikimi kaq të madh mbi qeveritë dhe shoqëritë, “filantropia” është në thelb antidemokratike, dhe ajo duhet të kundërshtohet.

A është ky fundi i perandorisë Soros?

Në këtë kuptim, pavarësisht aspekteve të tij të diskutueshme, lëvizja kundër “sorozizmit” në Evropë dhe gjetkë, duhet të shihet si një reagim demokratik nga një organ politik që ndihet gjithnjë e më i dëmtuar nga elitat globale. Por nëse do që të jetë efektive, ajo duhet të trajtojë edhe sistemin ekonomik dhe institucional, pjesë e të cilit është BE-ja, që krijon oligarkë si Soros./ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga