LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A i mbijetoi Anastasia masakrës ndaj Romanovëve?/ Historia e vërtetë që hedh poshtë konspiracionet

22 Janar 2023, 11:07, Blog Jonny Wilkes
A i mbijetoi Anastasia masakrës ndaj Romanovëve?/ Historia e
Foto ilustruese

Në 1917 në Rusi shpërtheu revolucioni dhe Car Nikolla II u detyrua të abdikonte, duke i dhënë fund sundimit më shumë se 300-vjeçar të dinastisë Romanov. Gjatë 16 muajve të ardhshëm, ai, gruaja e tij Aleksandra, djali i tyre Aleksei dhe katër vajzat Ollga, Tatjana, Maria dhe Anastasia qëndruan në arrest shtëpie në një sërë vendesh.

Pasoi një revolucion i dytë dhe një luftë civile, teksa bolshevikët po e mbanin familjen e Carit rob në Ekaterinburg. Në Moskë Lenini mori vendimin e eliminimit të tyre, për të zhdukur çdo lloj kërcënimi për revolucionin. Në orët e para të 17 korrikut 1918, familja Romanov, së bashku me mjekun dhe 3 shërbëtorët e tyre, u zgjuan dhe zbritën në bodrumin e shtëpisë ku ishin mbyllur me pretekstin se ajo mund të sulmohej së shpejti nga forcat antibolshevike.

Por pak minuta më vonë, një grup rojesh të cilët u pajisën me pistoleta hynë në dhomë dhe i vranë që të gjithë. Ata që i mbijetuan të shtënave, u vranë me bajoneta. Ekzekutorët i morën kufomat me një kamion dhe i çuan në pyllin Koptjaki në periferi të Ekaterinburgut ku i hodhën në një varr masiv.

Disa teori pretendojnë se, vajza më e vogël, Dukesha e Madhe Anastasia, i mbijetoi masakrës dhe mundi të arratisej nga Rusia, ndoshta me ndihmën e një ushtari bolshevik dashamirës. Sipas versionit më të famshëm të kësaj teorie, ajo jetoi pjesën tjetër të jetës në Shtetet e Bashkuara.

Edhe pse shumica e konspiracionistëve u fokusuan tek Anastasia, gjatë shekullit XX-të pati pretendime se fëmijë të tjerë të familjes perandorake ishin arratisur, apo që familja ishte larguar nga Rusia përpara se të kishin ndodhur vrasjet.

Menjëherë pas atij momenti, nisi të mbretërojë kaosi dhe konfuzioni, ndërsa bolshevikët që po përballeshin ende me një luftë civile dhe po përhapnin qëllimisht dezinformata, njoftuan vdekjen vetëm të Carit Nikolla II. Prandaj nisën të përhapen thashetheme mbi fatin e familjes së tij.

Pastaj, në vitin 1920, doli personi i parë që pretendonte se ishte njëri nga pjesëtarët e familjes Romanov. “Në Berlin, një grua e re me emrin Ana Anderson u ndalua në kohë para se të kryente vetëvrasje duke u mbytur në kanal. Ajo u nxor nga uji dhe ndërsa po kurohej në spital filloi të pretendonte se ishte Dukesha e Madhe Anastasia”- thotë Helen Rapaport, historiane dhe autore e historisë ruse.

“Nga aty nisi të krijohej një legjende e gjatë, e cila ekzistoi deri në vitet 1990”- shton ajo. Gjatë dekadave, dhjetëra njerëz pretenduan se ishin Anastasia, një nga vëllezërit e motrat e saj, apo edhe djali apo nipi i saj. Megjithatë, Anderson mbetet rasti më i famshëm.

“Ajo këmbënguli në pretendimin e vet, pavarësisht se shumë gjëra rreth saj nuk ishin të vërteta. Megjithatë, ajo nuk arriti të mashtrojë askënd në rrethin e afër të familjes perandorake, si perandoreshën Maria Feodorovna, Dukeshën e Madhe Ollga (motra e Nikollës dhe njerëz si Sër Tomas Preston, ish-konsull britanik në Ekaterinburg dhe Pier Zhilar, mësues personal i fëmijëve të Carit”- thekson Rapaport.

Prapëseprapë, Anderson - testimi i mëvonshëm i ADN-së tregoi se ajo ishte një grua polake e quajtur Franziska Shanzkovska me një histori të sëmundjeve mendore - mblodhi mbështetës, kryesisht në Gjermani.

Madje ajo nisi të ketë qasje edhe te paratë e Romanovëve, që thuhet se zotëronin llogari të shumta bankare në të gjithë Europën. Mungesa e qartësisë nga bolshevikët krijoi shpresën se vajzat Romanov, të moshës 17 dhe 22 vjeç, i kishin mbijetuar masakrës brutale. Ndërsa dukej shumë e pamundur që të kishte mbijetuar Alexei, djali dhe trashëgimtari i carit. Madje edhe kur nisën të shfaqen tregimet për atë që ndodhi atë natë, ato ishin plot me kontradikta dhe boshllëqe.

“Dëshmitë dokumentare u fshehën për një kohë të gjatë nën regjimin sovjetik. Çdo diskutim mbi Romanovët ishte i ndaluar. Për ta nuk mund të flitej. Sidomos nën sundimin e Stalinit, pati një shtypje të plotë”- thotë historiania. Në kushtet e atyre boshllëqeve, u shtuan dhe forcuan teoritë nga çdo mashtrues i ri që dilte në skenë.

Librat dhe filmat e përjetësuan idenë se Anastasia kishte mbijetuar, sidomos filim hit i Hollivudit i vitit 1956, Anastasia, me protagoniste aktoren Ingrid Bergman. “Tek e fundit, arsyeja e vërtetë pse njerëzit nuk do ta pranonin eliminimin e gjithë Romanovëve, ishte sepse dy prej trupave munguan për një kohë të gjatë.

Varri u gjet fshehurazi gjatë viteve 1970. Eshtrat u zhvarrosën siç duhet pas rënies së komunizmit në vitin 1991, por mungonin eshtrat e 2 trupave. Antropologët dhe ekskavatorët rusë thanë se mungonin mbetjet e Marias dhe Aleksit. Por të tjerë, sidomos disa ekspertë amerikanë, pohuan se mungonin Anastasia dhe Aleksei. Pretendime të tilla e ndihmuan vazhdimin e mitit”- thotë Raparport.

Më vonë disa nga vrasësit folën, përfshirë kreun e togës së ekzekutimit, Jakov Jurovski. Por provat përfundimtare erdhën me zbulimin e dy trupave të zhdukur, të cilët ishin ndarë nga të tjerët. “Unë isha në Ekaterinburg në verën e vitit 2007 kur ata gjetën dy fëmijët e zhdukur. Ajo që ata gjetën ishin mbetje të djegura dhe të fragmentuara, por mjaftueshëm për të bërë testet e ADN-së”- thotë historiania britanike.

Për të konfirmuar identitetin e eshtrave të atyre që u rivarrosën në vitin 1998, shkencëtarët kishin marrë mostra gjaku nga Princi Filip, bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabeta II dhe nipi i careshës Aleksandra. Pas zbulimit të mbetjeve të zhdukura në vitin 2007, një dokument i publikuar në atë kohë, një bashkëpunim midis shkencëtarëve rusë të mjekësisë ligjore dhe një ekipi nga SHBA të udhëhequr nga dr.Majk Konëll, vërtetoi se të gjitha mostrat e ADN-së përputheshin.

Pra të gjithë Romanovët kishin vdekur atë ditë. E megjithatë teoria e konspiracionit ekziston ende. Raportet thonë se një pjesë e problemit është roli i Kishës Ortodokse Ruse, që deri më sot nuk ka verifikuar zyrtarisht nëse ndonjë nga eshtrat e zbuluara si në vitin 1991 po ashtu edhe në 2007 janë anëtarë të Familjes Perandorake Romanov.

“Jo vetëm kaq, por nuk ka një vendim që ato mbetje të varrosen. Ndaj kemi këtë harresë të tmerrshme, të zgjatur në kohë, në të cilën eshtrat e familjes mbretërore ndodhet ndoshta diku në një magazinë të ftohtë, duke pritur që të ribashkohen dhe të rivarrosen së bashku”-përfundon ajo./ Përshtatur nga CNA.al

08:21 Blog

Gratë dhe paratë

Gratë e kanë të vështirë të bëjnë karrierë, gratë pagu...

Lajmet e fundit nga