LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A korrupton pushteti apo të korruptuarit janë më të prirur për të kërkuar pushtet?

30 Gusht 2023, 07:28, Blog CNA

A korrupton pushteti apo të korruptuarit janë më të prirur

Nëse pushteti e korrupton një person - apo nëse një person i korruptuar është më i prirur për të arritur në një pozicion me pushtet - ka qenë prej kohësh një pyetje shumë e diskutuar në mesin e komunitetit shkencor.

Për shembull, marrim eksperimentin e famshëm në burgut të Stanfordit në vitin 1971, një studim i që u ndërpre pas 6 ditësh, pas abuzimeve të rënda të kryera nga një grup studentësh të caktuar rastësisht për të shërbyer si roje burgu ndaj shokëve të tyre të klasës, të cilëve u ishte caktuar roli i të burgosurve. 

Ndërkohë, Lordi Ektwn, historian dhe politikan i famshëm anglez i shekullit XIX, deklaroi dikur: “Pushteti priret të korruptojë, ndërsa pushteti absolut të korrupton në mënyrë absolute”. Por këndvështrimi i Ektën është me gjasë shumë absolutist.

Rrallëherë shkenca e marrëdhënieve shoqërore është aq bardh e zi, sa të na nxiste të besonim te kjo deklaratë. Sepse kjo nuk është një çështje dhe aq e thjeshtë.

A lindin liderë të korruptuar si të tillë apo shoqëria i rrit ata në ndikimin e një prejardhjeje të caktuar?

Është e vërtetë që njerëzit me tipare të caktuara të personalitetit, si psikopatia ose narcisizmi, janë më të prirur për të kërkuar pozita të larta me pushtet. Dhe nga ana tjetër, është gjithashtu e vërtetë se pushteti mund të nxjerrë në pah tipare të tilla themelore të personalitetit.

“Nuk është vetëm personaliteti dhe pushteti, ai që i korrupton njerëzit, por ndoshta një kombinim i të dyjave”- shkruan studiuesja Iris Kranfeld në një studim të këtij viti botuar në revistën “Personality and Individual Differences”.

A korrupton pushteti apo të korruptuarit janë më të prirur

Po cilat lloje të personalitetit kanë më shumë gjasa të kërkojnë pushtet? Dhe pasi e arrijnë synimin, a e ndryshon pushteti sjelljen e një personi? Mbi këtë çështje hulumtimet japin vlerësime të ndryshme.

Pushteti ndikon te njerëzit, por jo domosdoshmërisht nxit korrupsionin

Pushteti nuk i korrupton që të gjithë në mënyrë të barabartë. Siç shkroi Parul Verma për Shoqatën Filozofike Amerikane “Pushteti përforcon dhe ekspozon predispozitat njohëse dhe të sjelljes që ekzistojnë tashmë brenda jush. Ai vetëm sa zbulon prirjet tuaja të lindura, por nuk i korrupton ato”.

Psikologu klinik amerikan Dr.Ramani Durvsalu, profesor në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë në Los Anxhelos, tha për IFLScience se ndërsa njerëzit mund të ndikohen nga pushteti, ka faktorë të tjerë që janë në lojë dhe që përcaktojnë nëse do t’i korruptojë ata.

“Pushteti ndikon te njerëzit - ashtu si çdo stimul social - por jo gjithmonë nxjerr në pah më të keqen te njerëzit. Ekzistojnë disa tipare mbrojtëse, për shembull pëlqimi apo ndërgjegjshmëria, që do të ishin një lloj mbrojtjeje kundër korruptimit që mund të sjellë pushteti. Megjithatë, dikush mund të argumentojë gjithashtu se një person me këto tipare, mund të bëhet arrogant me shumë pushtet në duar”, - thotë eksperti.

Pushteti është aftësia e përgjithshme e dikujt për të ndikuar te të tjerët, qoftë nëpërmjet kontrollit të drejtpërdrejtë apo mjeteve të tjera. Narcizmi dhe psikopatia janë tipare të kudondodhura që vërehen në mesin e liderëve globalë, nga presidentët tek drejtuesit e kompanive (CEO-t).

Në fakt, numri i njerëzve me tipare të personalitetit narcisist në bordet e korporatave është gati sa 3-fishi në krahasim me popullatën e përgjithshme. Narcizmi është një tipar personaliteti që karakterizohet nga një imazh i hiperbolizuar i vetvetes, nga një ndjenjë epërsie dhe nga dëshira për t’u admiruar.

Hulumtimet kanë treguar një probabilitet të lartë që narcisistët të jenë liderë, dhe ky tipar shkon shpesh dorë për dore me liderët politikë, CEO-t dhe individë të tjerë me status të lartë. Njerëzit narcistikë kanë më shumë gjasa të “kërkojnë pushtet dhe udhëheqje dhe të përfshihen në sjellje më problematike ndërsa janë në këto pozicione”- thekson më tej dr.Durvsalu.

Kjo sepse udhëheqësit narcisistë synojnë të përfitojnë vetë si dhe për organizatën apo institucionin të cilit i përkasin. Por çfarë e bën narcizmin një person më të prirur për të kërkuar një pozicion pushteti?

Së pari njerëzit me prirje narcisiste priren të jenë të sigurt, dhe kjo do të thotë se mund të jenë të prirur ndaj gabimeve sepse mendojnë se janë të veçantë dhe unikë, kanë të drejtë të kenë rezultate më pozitive dhe janë më inteligjentë ose tërheqës.

Një studim i vitit 2016 që hulumtoi lidhjen midis narcizmit dhe vetëbesimit të tepërt, zbuloi se një narcisist në pushtet “ka veçanërisht një vetëbesim të tepruar”. Mesatarisht, burrat priren të jenë më narcistë se gratë, gjë që mund të shpjegojë faktin pse nuk ka pasur kurrë një presidente grua të SHBA-së dhe pse ‘Harvard Business View” raporton se 95 për qind e CEO-ve në vend janë burra.

A korrupton pushteti apo të korruptuarit janë më të prirur

Studimet kanë treguar gjithashtu se narcisistët megalomanë, ngrihen shpesh në pozita të larta drejtuese, edhe pse ka pak prova midis narcizmit dhe performancës më të mirë. Për shembull një studim i vitit 2022, zbuloi se luftërat në SHBA zgjatën më shumë nën presidentët me tendenca më të larta narcisiste.

Nga 19 presidentë midis viteve 1897-2009, ata me prirje më të larta narcisiste kaluan mesatarisht 613 ditë në luftë, krahasuar me 136 ditë për presidentët me prirje narciziste më të ulëta. Për më tepër, presidentët më narcistë kishin 6 herë më shumë gjasa të shkaktonin një mosmarrëveshje ndërkombëtare, sesa ata me nivele mesatare të narcisizmit.

Ashtu si ata me tipare të personalitetit narcizist që priren të kenë një ndjenjë madhështore të vetvetes, edhe njerëzit me prirje psikopatike shfaqin shpesh tipare të personalitetit të lidhura me fuqinë, të tilla si karizma, bindja dhe kreativiteti, vë në dukje Sajmën Krum, profesor i menaxhimit të zinxhirit të furnizimit në Universitetin e San Diegos në një artikull për “Fortune”.

“Kultura jonë lavdëron dhe shpërblen liderët e suksesshëm, të cilët mund të përfshihen diku në spektrin e psikopatisë apo që edhe nëse nuk janë psikopatë shfaqin megjithatë tipare që i kanë shpesh individët psikopatë. Natyrisht, problemi është se ndërsa psikopatët mund të kenë shumë karizëm dhe kreativitet, atyre mund t’u mungojnë, siç u përmend më lart, cilësi të rëndësishme shoqërore si empatia dhe morali”-shkroi Krum.

A korrupton pushteti apo të korruptuarit janë më të prirur

Sipas modelit triarkik të psikopatisë, që përdoret për të përcaktuar çrregullimin e personalitetit, psikopatia përbëhet nga tri aspekte: sjellja e vrazhdë, ligësia dhe impulsiviteti. Tipare të tjera përfshijnë arrogancën, mungesën e empatisë dhe shfrytëzimin.

Së bashku, këto karakteristika lidhen me një dëshirë për pushtet dhe dominim, dhe që të dyja mund ta nxitin një person të synojë një pozicion me pushtet. Disa njerëz që kanë arritur një nivel pushteti, mund të përjetojnë një humbje të ndjeshmërisë, të priren drejt sjelljeve të interesit vetjak dhe të normalizojnë sjellje që zakonisht janë jo etike.

Por nëse një person bëhet apo jo i korruptuar, gjithçka varet nga karakteri i tij individual. Ndryshimi pozitiv nëpërmjet edukimit dhe vlerave morale, mund ta ndihmojë një person të shmangë një korrupsion të tillë./ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga