LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A na duhet një botë pa kufij?

22 Nëntor 2022, 08:26, Blog CNA

A na duhet një botë pa kufij?

Unë i kam pasur gjithmonë fiksim hartat. Fëmijëria ime kaloi duke studiuar dhe vizatuar hartat e thesareve, duke hartuar territore imagjinare, por edhe rrugë për në vendet e largëta që dëshiroja të vizitoja.

Sot, shtëpia ime është e “suvatuar” me hartat që kam koleksionuar vetë, apo që më janë dhuruar, si kujtime të vendeve që janë të veçanta për mua. Pranë tryezës sime kam një hartë të madhe të botës, me kontinentet që dallohen nga oqeanet për nga mozaiku i ngjyrave.

Çdo copëz me ngjyrë shenjon një vend, të ndarë nga fqinji i tij nga një vijë e pastër e vizatuar në këtë paraqitje dydimensionale të botës sonë. Kufijtë janë të përcaktuar qartë, me bojën që ndan kombësitë e destinuara të kenë fate të ndryshme.

Për mua, ato përfaqësojnë një shenjë emocionuese, me potencialin për eksplorim dhe aventurë, për të vizituar kultura të huaja me ushqime dhe gjuhë të ndryshme. Por për të tjerët, ato janë mure burgu që kufizojnë të gjitha mundësitë. Kufijtë përcaktojnë fatin, jetëgjatësinë, identitetin tonë, dhe shumë më tepër.

Por ato janë një shpikje, ashtu si hartat që kam vizatuar unë. Kufijtë tanë nuk ekzistojnë si aspekte të pandryshueshme të peizazhit. Ato nuk janë as pjesë natyrore të planetit tonë, pasi janë shpikur relativisht kohët e fundit. Por mund të argumentohet se shumica e këtyre linjave imagjinare nuk janë të përshtatshme për botën e shekullit XXI me popullsinë e saj në rritje, ndryshimet klimatike dramatike, si dhe mungesën e burimeve.

Në fakt, ideja e mbajtjes së të huajve jashtë kufijve të një shteti, është një ide relativisht e kohëve të fundit. Dikur shtetet ishin shumë më të shqetësuara për ndalimin e largimit të njerëzve sesa në parandalimin e mbërritjes së tyre nga jashtë.

A na duhet një botë pa kufij?

Ata kishin nevojë për punën dhe taksat e tyre, dhe emigracioni përbën ende një dhimbje koke për shumë shtete. Megjithatë, ekzistojnë edhe kufij të vërtetë, të vendosur jo nga politika apo sovranët trashëgues, por nga vetitë fizike të planetit tonë.

Këta kufij planetarë për speciet tona të gjitarëve përcaktohen nga gjeografia dhe klima.

Për shembull, njerëzit nuk mund të jetojnë në një numër të madh në Antarktidë apo në shkretëtirën e Saharasë. Ndërsa temperaturat globale po rriten, duke shkaktuar ndryshime klimatike, rritje të nivelit të detit dhe mot ekstrem gjatë dekadave të ardhshme, pjesë të mëdha të botës ku banojnë segmente të mëdha të popullsisë do të bëhen gjithnjë e më të vështira për të jetuar.

Sipas parashikimeve të shkencëtarëve të klimës, vijat bregdetare, shtetet ishullore dhe qytetet kryesore në rajonin e tropikut do të jenë ndër më të goditurat. Në pamundësi për t’u përshtatur me kushte gjithnjë e më ekstreme, miliona apo edhe miliarda njerëz do të duhet të zhvendosen dikur tjetër.

Zonat më të dendura të populluara të planetit ndodhen rreth paraleleve veriore në 25-26 gradë, që ka qenë tradicionalisht gjerësia gjeografike e klimës më të rehatshme dhe tokës më pjellore. Rreth 279 milionë njerëz ndodhen të grumbulluar në këtë rrip të hollë toke, që përshkon vende si India, Pakistani, Bangladeshi, Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Meksika.

Por edhe atje po ndryshojnë kushtet. Një numër tashmë rekord njerëzish po detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre çdo vit. Në vitin 2021, kishte 89.3 milionë njerëz, dhe këtë vit shifra arriti në 100 milionë, me katastrofat klimatike që zhvendosën shumë më tepër njerëz sesa konfliktet e armatosura.

Kështu përmbytjet zhvendosën këtë vit 33 milionë njerëz vetëm në Pakistan, ndërsa miliona të tjerë në Afrikë janë prekur nga thatësira dhe kërcënimi i urisë, nga Briri i Afrikës deri në bregun perëndimor të këtij kontinenti.

Sipas disa vlerësimeve pa ndonjë veprim energjik, qindra milionë njerëz do të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre deri në vitin 2050. Një studim i vitit 2020, parashikoi që deri në vitin 2070, në varësi të skenarëve të rritjes së popullsisë dhe ngrohjes “1 deri në 3 miliardë njerëz parashikohet të mbeten jashtë kushteve klimatike, që i kanë shërbyer për mirë njerëzimit gjatë 6000 viteve të fundit”.

A na duhet një botë pa kufij?

Me kaq shumë njerëz në lëvizje, a do të nënkuptojë kjo se kufijtë politikë të shpikur, gjoja të imponuar nga siguria kombëtare, po bëhen gjithnjë e më të pakuptimtë? Kërcënimi nga ndryshimet klimatike dhe pasojat e tij sociale, lë në hije ato që rrezikojnë sigurinë kombëtare.

Tani valët e të nxehtit po vrasin më shumë njerëz, sesa ata që vdesin si rezultat i drejtpërdrejtë i dhunës në luftëra. Për më tepër, popullsia globale është ende në rritje, veçanërisht në disa nga rajonet më të goditura nga ndryshimet klimatike dhe varfëria. Popullsia në Afrikë do të 3-fishohet deri në vitin 2100.

Kjo do të thotë se do të ketë një numër më të madh njerëzish pikërisht nga zonat që ka të ngjarë të preken më rëndë nga nxehtësia ekstreme, thatësira dhe stuhitë katastrofike. Dhe një numër më i madh njerëzish do të kenë nevojë për ushqim, ujë, energji, strehim dhe burime, të cilat do t’i kenë më të vështirë për t’i siguruar.

Ndërkohë, shumica e vendeve në Veriun Global po përballen me një krizë demografike, ku gratë nuk po lindin mjaftueshëm foshnje për të zëvendësuar një popullsi të plakur. Një migrim masiv i menaxhuar, mund të ndihmojë në adresimin e problemeve më të mëdha në botë, duke e reduktuar numrin e njerëzve që jetojnë në varfëri, dhe duke i ndihmuar ekonomitë veriore të rindërtojnë fuqinë e tyre punëtore.

Por pengesa kryesore është sistemi ynë i kufijve. Sot pak më shumë se 3 për qind e popullsisë globale janë emigrantë ndërkombëtarë. Kjo edhe pse ata kontribuojnë tek rreth 10 për qind të PBB-së globale ose 6.7 trilionë dollarë, ose rreth 3 trilionë dollarë më shumë se sa do të kishin prodhuar në vendet e tyre të origjinës.

Disa ekonomistë, si Majkëll Klemens nga Qendra e Zhvillimit Global në SHBA, llogaritin se mundësimi i lëvizjes së lirë mund ta dyfishojë PBB-në globale. Përveç kësaj, do të kishim një rritje të diversitetit kulturor, për të cilin studimet tregojnë se e përmirëson inovacionin.

Në një kohë kur duhet të zgjidhim sfida mjedisore dhe sociale të paprecedent, një politikë me liberale e migracionit mund të jetë pikërisht ajo që i nevojitet sot botës. Nëse menaxhohet si duhet, nga migrimi mund të përfitojnë të gjithë.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga