LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Aleksei Djumin, kush është ish-truproja që mund të zëvendësojë Vladimir Putinin si president i Rusisë?

29 Gusht 2023, 07:49, Blog CNA

Aleksei Djumin, kush është ish-truproja që mund të

Të thuash që Aleksei Djumin ka pasur vitet e fundit një ngritje meteorike në karrierën e tij, do të ishte më e pakta. Ish-truproja e Vladimir Putin është aktualisht guvernator i rajonit të Tulës në Rusinë Perëndimore dhe në jug të Moskës.

Kohët e fundit, emri i tij u lakua si Ministri i ri i Mbrojtjes, madje edhe si pasardhës i Putinit në krye të Rusisë. Se si Djumin kaloi nga një pjesëtar i një njësie ushtarake, në një roje sigurie dhe së fundmi në njërin prej zyrtarëve më të lartë të shtetit, mbetet një mister.

Po kush është Aleksei Djumin?

Kjo është një pyetje e ndërlikuar për t’i dhënë një përgjigje shterruese. Në rininë e tij Djumin synonte të bëhej një lojtar profesionist i sportit të hokejit, por babai e bindi se një karrierë ushtarake ofronte më shumë stabilitet në jetën e një burri.

Prandaj në mesin e viteve 1990, Djumin ndoqi Shkollën e Lartë të Inxhinierisë Ushtarake në Voronezh, dhe më pas iu bashkua një njësie të vogël zbulimi pranë Moskës. Vetë Djumin pretendon se mori një ditë një ofertë nga “një i njohuri i tij që kishte punuar tek sektori i burimeve njerëzore” për t’u bërë pjesë e shërbimeve të sigurisë.

Sido që të ketë qenë e vërteta, Aleksei nisi të punonte në një ekip që i shërbente kryeministrit të atëhershëm të Rusisë Viktor Çernomirdin dhe dërgohej shpesh në udhëtime pune me presidentin e kohës Boris Jelcin. Më pas Djumin u tha drejtuesve të njësisë së Shërbimit të Sigurisë Presidenciale se donte të ishte zyrtarisht pjesë e tyre.

Ai iu nënshtrua stërvitjeve intensive në përleshjet trup më trup, qitje me pistoletë dhe pushkë, qoftë në lëvizje, gjatë arratisë apo nga një automjet. Me përfundimin e trajnimit, ai u ngarkua me mbrojtjen e kryeministrit Sergei Stepashin dhe në vitin 1999, kryeministrit të atëhershëm Vladimir Putin, i cili së shpejti do të zgjidhej për të pasuar në detyrë Jelcinin.

Aleksei Djumin, kush është ish-truproja që mund të

Por shumë shpejt roli i Djumin shkoi përtej përballjes me ngjarje kërcënuese për jetën. Sipas vetë dëshmisë së tij, Aleksei mbeti truproja e Putin edhe pasi ky u emërua president. Ajo periudhë ishte e mbushur me shqetësime për sigurinë e presidentit, kryesisht për shkak të sulmeve terroriste të lidhura me Luftën e Dytë Çeçene.

Dihet se të paktën 4 atentate serioze ndodhën midis viteve 2000-2001 ndaj Putinit, përfshirë sulmet me snajperë dhe me kamikazë.

Pas 2 mandatesh si president, Vladimir Putin rimori postin e kryeministrit në vitin 2008. Pikërisht në atë kohë sipas mediave, Djumin ishte bërë ndihmësi personal i Putinit, edhe pse vetë Djumin e hodhi poshtë këtë pretendim në intervistën e tij dhënë për gazetën ruse “Kommersant”.

Por detyrat e tij si roje sigurie nuk kufizoheshin në mbrojtjen e Putinit nga kërcënimet për jetën. Gjatë intervistës për “Kommersant”, Aleksei Djumin tregoi një incident kur qëndronte roje përpara dhomës së Putinit në një rezidencë presidenciale diku “në male”.

“Presidenti ishte duke fjetur, kur mora një telefonatë nga posta e hyrjes. Më thanë se një ari kishte hyrë brenda rezidencës. Në fillim mendova se ishte një shaka, shkova tek dera dhe pashë një arushë të madhe para meje. Dyert ishin prej xhami, dhe unë isha natyrisht i armatosur. Presidenti flinte në katin e dytë...Arusha dhe unë pamë disa sekonda në sy njëri-tjetrin. Ajo bëri një hap prapa, dhe unë hapa derën dhe e harxhova të gjithë karikatorin e pistoletës shumë pranë këmbëve të saj.

Arusha doli të ishte shumë i zgjuar. E kuptoi që i kurseva jetën, dhe u ktheva ngadalë në vilë. Në mëngjes i raportova presidentit mbi ngjarjen. Ai më tha se bëra mirë që nuk kisha qëlluar arushën”.

Por roli i Djumin shkoi përtej përballjes me incidente të tilla.

“Dikush mund të mendojë se jeta e një truproje është magjepsëse. Pra ata duhet thjesht të shoqërojnë presidentin, të qëndrojnë rreth e rottul tij dhe pastaj të largohen në shtypit e tyre. Në fakt ata përgatisin në detaje udhëtimet, vizitat, marrin pjesë në takime, përfshirë me të huajt, dhe janë të angazhuar në garantimin e sigurisë së të ftuarve të presidentit”- thekson ish-truproja i Putin.

Qoftë si kryeministër apo përsëri si president, Putin e ka pasur shumë kujdes sigurinë e tij personale. Ai ia besoi ish-oficerit të KGB-së, Viktor Zolotov, drejtimin e ekipit presidencial të sigurisë. Sipas gazetës ruse “Novaya Gazeta”, Zolotov i shpërblente truprojat besnike dhe familjet e tyre me parcela tokash me një vlerë shumë të lartë në treg pranë rezidencave të Putinit.

Këtu nuk bënte përjashtim as Djumin, që e konsideronte Zolotov si një mentor. Familja Djumin përfitoi gati 1 hektarë tokë me vlerë pothuajse gjysmë miliardë rubla (5.5 milion dollarë). Vetëm zëvendësministri i Mbrojtjes, Aleksandër Kolpakov,  zëvendësdrejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSO), Nikolai Kondratjuk dhe vetë familja e Zolotov morën pak më shumë, gjë që tregon pozicionin e lartë të Djumin në hierarki, dhe faktin që nuk ishte një truproje i thjeshtë.

Në vitin 2014, Aleksei Djumin u emërua nënkryetar i agjencisë së huaj të inteligjencës ushtarake GRU, përgjegjës për operacionet speciale. Po atë vit, njësia pati një rol shumë të rëndësishëm në aneksimin rus të Krimesë, në të cilën Djumin mund të ketë pasur një ndikim direkt në planifikim.

Pas Revolucionit të Dinjitetit të Ukrainës, ai dyshohet se organizoi evakuimin e presidentit të rrëzuar ukrainas Viktor Janukoviç. Por Djumin i mohon të dyja këto pretendime. Në fund të vitit 2015, ai mbajti për një kohë të shkurtër postin e zëvendës/Ministrt të Mbrojtjes, përpara se Putini ta emëronte atë guvernator të rajonit të Tulës në vitin 2016.

Gjatë qeverisjes së tij, ekonomia e rajonit vazhdoi të rritet. Djumin luan shpesh luan hokej me Putinin dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë, si Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Aleksei Djumin, kush është ish-truproja që mund të

Besnikëria e tij ndaj Putinit, zërat për operacionet e suksesshme në Ukrainë, dhe qeverisja efikase në Tula, ka bërë që analistët të parashikojnë një të ardhme të ndritur politike për 50-vjeçarin Djumin.

Në vitin 2017, ekspertët nga Fondacioni Politik i Petersburgut e vendosën Djumin në vendin e tretë në renditjen e pasardhësve të mundshëm të Putinit, pas ish-presidentit Dimitri Medvedev dhe kryebashkiakut të Moskës Sergei Sobjanin.

Rebelimi jetëshkurtër i mercenarëve të Vagner ka nxitur shumë diskutime për të ardhmen e Ministrit rus të Mbrojtjes Shoigu, i cili ishte një nga objektivat e rebelimit të bosit të Vagner, Jevgeni Prigozhin. Megjithëse presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Llukashenko, mori meritën zyrtare për bindjen e Prigozhinit që të hiqte dorë nga rebelimi, burime të rëndësishme pranë qarqeve ushtarake zbuluan se Djumin ishte i pranishëm gjatë pjesës vendimtare të negociatave.

Kjo për shkak se ai e njihte mirë Prigozhin. Kunati i Djumin, Vladimir Mikeiçik, drejton linjën ajrore shtetërore të transportit të ngarkesave ushtarake “224th Flight Detachment”, e cila është nën sanksione që nga viti 2021 për shkak të lidhjeve të saj me grupin mercenar Vagner, të cilin ka të ngjarë që e furnizon me materiale ushtarake.

Aleksei Djumin, kush është ish-truproja që mund të

Spekulimet se Shoigu u tërhoq nga posti i tij ishin të mëdha, por ato u zbehën pasi ai vazhdoi të shfaqej publikisht në rolin e Ministrit të Mbrojtjes. Por në ditët pas rebelimit, disa besuan se Djumin do të merrte pushtetin, apo se shumë shpejt ai do të emërohej si Ministr i ri i Mbrojtjes.

Pushtimi rus i Ukrainës e përçau familjen e Djumin. Shumë nga të afërmit e tij ukrainas urojnë vdekjen e Putin dhe mbështesin ushtrinë ukrainase. Nga ana tjetër Djumin, shprehu pa mëdyshje mbështetjen e tij për luftën. “Ne mbështesim vendimet e marra nga presidenti i Federatës Ruse në lidhje me operacionin special. Ne kemi besim tek fitorja, e cila është shumë pranë”- u shpreh ai në prillin e vitit 2022./ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga