LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çfarë e shkakton gjendjen e të fikëtit/ Si ndryshon kjo përvojë midis njerëzve

2 Shtator 2023, 21:53, Blog CNA

Çfarë e shkakton gjendjen e të fikëtit/ Si ndryshon kjo

Kur dëgjova se spitalet në SHBA kishin mungesë gjaku gjatë pandemisë së Covid-19, vendosa të shkoja dhe dhuroja gjak për herë të parë. Teksa po shihja mbushjen e qeses së dytë me gjak, isha duke biseduar me infermierin përgjegjës, dhe po mendoja se së shpejti do të ngrihesha dhe do të kthehesha në shtëpi.Por pak çaste më vonë shikimi nisi të më errësohej. Infermieri e uli menjëherë gjysmën e sipërme të krevatit tim dhe më ngriti këmbët. Më vuri kompresa të ftohta në qafë, dhe u përpoq të më bënte të qëndroja zgjuar përmes një bisede për ushqimet e mia të preferuara.

Ai dinte se si të reagonte në një situatë të tillë, sepse gjendja e fikëtit apo e gati të fikëtit, është një përvojë e zakonshme gjatë dhurimit të gjakut. Po ashtu të fikëtit është i zakonshëm jashtë ngjarjeve ku ka gjakderdhje, dhe shumë njerëz do ta përjetojnë diçka të tillë në një
moment të jetës së tyre.

Shkencëtarët e kuptojnë mirë arsyen se përse njerëzit humbasin ndjenjat, dhe çfarë ndodh me trupin kur na bie të fikët. Por çfarë ndodh me mendjen në ato momente? Përgjigja nuk është dhe aq e drejtpërdrejtë. Profesionistët e mjekësisë i referohen të fikëtit si sinkopë, pra një situatë kur një person e humbet vetëdijen për shkak të një ndryshimi në rrjedhën e gjakut në tru.

Çfarë e shkakton gjendjen e të fikëtit/ Si ndryshon kjo

Gjatë një sinkope, personi mund ta humbasë vetëdijen nga disa sekonda deri në disa minuta. Ekzistojnë disa lloje të sinkopës, dhe më e zakonshme tek të rritur është sinkopa vasovagale. Rreth 1/3 e njerëzve do ta përjetojnë atë një herë në jetën e tyre. Për njerëzit 40 vjeç e lart, sinkopia vasovagale është përgjegjëse për 85 për qind të periudhave të të fikëtit. Ndërkohë rreth 50 për qind e episodeve të të fikëtit tek të moshuarit i atribuohen sinkopës vasovagale. Të fikët është shpesh një ngjarje që diktohet nga situata.

Një person mund ta përjetojë sepse ka një ndryshim të presionit të gjakut, kur ngrihet befas në këmbë. Ose të fikëtit mund të jetë rezultat i përballjes së trupit me dehidratimin apo gëlltitjes së helmeve. Por mund të ndodhë edhe gjatë urgjencave mjekësore, si humbja akute e gjakut, hemorragjia ose lëndimi i kokës. Një gjendje e tillë mund të ndodhë edhe për shkak të kushteve mjekësore si aritmitë kardiake, embolitë pulmonare apo konvulsioneve. Shumë më shpesh, të fikëtit mund të vijë për shkak të një reagimi psikologjik, në të cilin një person ka një përgjigje “ik ose lufto”.

Sinkopa vasovagale gjatë procesit të dhurimit të gjakut, është studiuar gjerësisht për shkak të nevojës së vazhdueshme për dhurues gjaku. Shumë dhurues të mundshëm kanë frikë se mos humbasin ndjenjat, ndaj vetëm 5 për qind e dhuruesve të kualifikuar dhurojnë gjak.

Kur njerëzit përjetojnë një reaksion vasovagal gjatë dhurimit të gjakut, rrahjet e zemrës së tyre rriten ndërsa bie presioni i gjakut. Më pak oksigjen dhe gjak shkojnë në tru. Ata mund të përjetojnë marramendje, vjellje ose shikim të turbullt. Por të fikëtit mund të vijë edhe nga një reagim psikologjik kur sheh agën apo gjakun që rrjedh nëpër tub.

Shumë njerëz që kanë humbur vetëdijen raportojnë të njëjtat simptoma para atij momenti. Ata ndiejnë një hutim apo marramendje. Ata mund të kenë dhimbje apo të përziera në stomak apo valë të papritura të të nxehtit. Shumë prej tyre përjetojnë shikimin e tunelit apo shohin njolla të zeza. Disa kanë zhurmë në veshët e tyre. Përpara se të humbasë vetëdijen, personi mund të duket i zbehtë për të tjerët dhe mund të djersitë shumë. Në varësi të arsyes pse një personi i ka rënë të fikët, ai mund ta rifitojë vetëdijen gati menjëherë pas të fikëtit.

Në një rast një person që humbi mendjen gjatë një gjakderdhjeje, u vlerësua të ishte pa ndjenja për më pak se 15 sekonda. Por në një shembull tjetër, një pacient pati një krizë epileptike në një avion, dhe ishte pa ndjenja për rreth 15 minuta. Mënyra se si funksionon truri gjatë sinkopës, ndryshon po aq sa arsyet se përse një personi i
bie të fikët. Për ata që e përjetojnë këtë gjendje si përgjigje ndaj një shkaktari shqetësues, procesi i rrëzimit në një karrige apo i rënies në tokë, mund të çojë në një pozicion më të mirë të trupit që ndihmon në rregullimin e presionit të gjakut dhe ritmit të zemrës.

Çfarë e shkakton gjendjen e të fikëtit/ Si ndryshon kjo

Në këto raste, personi mund të jetë i pavetëdijshëm për vetëm disa sekonda (gjithnjë duke supozuar se nuk e kanë dëmtuar veten gjatë rënies). Ata mund të mos e kuptojnë se e kanë humbur vetëdijen, dhe kanë nevojë për një dëshmitar që t’u tregojë se çfarë ka ndodhur.
Në një studim të vitit 2011 në “EP Europace”, pjesëmarrësit u vendosën në një tavolinë dhe më pas u anuan në kënde të ndryshme për të nxitur sinkopën. Atyre iu kërkua të përshkruanin simptomat e tyre nga këndvështrime të ndryshme, dhe stafi mjekësor po i vëzhgonte për të
parë nëse do të humbnin ndjenjat.

Nëse ndodhte kjo gjë, studiuesit e ndryshonin menjëherë pozicionin e tavolinës në mënyrë që pjesëmarrësi të rifitonte vetëdijen. Më pas ata u bënë pyetje të tilla si “Çfarë të ka ndodhur? dhe “A e humbe vetëdijen?”. Nga 387 pjesëmarrësit në eksperiment, 159 prej tyre e humbën vetëdijen. Personave që u ra të fikët kishin një moshë mesatare 47.11 vjeç (në total ishin nga mosha 16- 87 vjeç), dhe 71 për qind e tyre ishin femra. Rreth çereku i pjesëmarrësve deri në moshës 60 vjeç e lart patën amnezi të menjëhershme, gjë që do të thotë se ata nuk ishin të sigurt ose e mohuan se u ra të fikët. Ndërkohë gjysma e pjesëmarrësve të moshës 60 vjeç e lart kishin amnezi të menjëhershme.

Autorët e studimit, arritën në përfundimin se është e zakonshme që njerëzit e të gjitha grupmoshave as të mos e mbajnë mend se u ra të fikët. Nga Emilie Le Beau Lucchesi “Discover Magazine”/ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga