LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Çfarë ndodh nëse Perëndimi vazhdon me qasjen e tij të gabuar ndaj Kosovës?

12 Shtator 2023, 20:09, Blog George Fruscione

Çfarë ndodh nëse Perëndimi vazhdon me qasjen e tij të

Ballkani përjetoi një tjetër verë të nxehtë, sidomos në Kosovë dhe Serbi. Pas dhunës që u pa në fund të majit dhe pas tensioneve në kufi, është rikthyer qetësia. Kjo deri në pritje të episodit të radhës, që do ta bëjë pjesën tjetër të Evropës t’i frikësohet shpërthimit të një lufte të re në Ballkan.

Një hipotezë, që megjithatë duhet përjashtuar për arsye të ndryshme: mungesën e burimeve dhe buxheteve ushtarake, por mbi të gjitha për shkak të mungesës së leverdisë politike. Beogradi dhe Prishtina, kanë një avantazh politik të ndërsjellë në kërcënimin e vazhdueshëm me skenarin e luftës.

Frika nga armiku i vjetër, ndihmon për të forcuar të dyja lidershipet më shumë se sa çdo lloj marrëveshje apo negociatë. Por Marrëveshja e Ohrit nuk është marrë asnjëherë seriozisht nga asnjëra palë. Pa një nënshkrim zyrtar, teksti u pranua verbalisht në fund të shkurtit në Bruksel.

Pastaj më 18 mars u integrua në aneksin e marrëveshjes së arritur në qytetin maqedonas. Bazuar në marrëveshjen që normalizoi marrëdhëniet mes dy Gjermanive në vitin 1972, pakti përbëhet nga 11 nene, dhe i çon palët në një njohje reciproke të pavarësisë, por pa e përmendur asnjëherë hapur atë.

Për më tepër, ndërsa Prishtina zotohet të krijojë organin vetëqeverisës për serbët e Kosovës, Beogradi heq dorë nga bojkotimi i kandidaturave të Kosovës në organizmat ndërkombëtare.

Këto angazhime deri më sot nuk janë respektuar.

Nëse në Prishtinë ende nuk ka konsensus, dhe as angazhim real politik për një statut që përcakton dhe rregullon funksionimin e bashkisë së komunave serbe, në Beograd duket se nuk ka ndonjë synim për të ndërprerë fushatën diplomatike kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Në fakt, vetëm një muaj pas Marrëveshjes së Ohrit, Serbia votoi kundër pranimit të Prishtinës në Këshillin e Evropës (KiE). Mjerisht, një angazhim i vërtetë për zbatimin e saj mungon edhe nga vendet anëtare të BE-së, edhe për shkak të 5 vendeve anëtare që nuk e njohin Kosovën.

Së bashku me Serbinë, Spanjën dhe 3 vende të tjera të BE-së - Qipro, Rumania dhe Hungaria - votuan kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE. Por ajo që habit më shumë nuk është dhe aq fakti që shumë shtete të BE-së nuk po e ndryshojnë politikën e tyre ndaj sovranitetit të Kosovës, por qasja e përbashkët e Komisionit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Pas dhunës kundër trupave së KFOR-it në fund të majit, kur shkuarja e kryetarëve shqiptarë në 4 komunat e veriut të Kosovës, shkaktoi reagimin e ashpër të serbëve, si Brukseli ashtu edhe Uashingtoni vendosën sanksione ndaj qeverisë kosovare, që u cilësua fajtore për provokimin që çoi në përshkallëzimin e situatës, me një veprim të pa konsultuar me partnerët ndërkombëtarë.

Fillimisht Kosova u përjashtua nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe 23” të udhëhequr nga SHBA-ja. Më pas BE-ja ngriu fondet e saj derisa Prishtina të angazhohet në de-përshkallëzimin e gjendjes. Por nuk pati asnjë sanksion ndaj Serbisë, madje as kur policia serbe arrestoi 3 policë kosovarë, 2 javë pas trazirave në veri në zonën kufitare midis 2 vendeve.

Pra, një qasje shumë e pa balancuar, e cila prek qeverinë e Albin Kurtit në Prishtinë, dhe që indirekt favorizon axhendën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Ky mendim ndahet edhe nga më shumë se 50 deputetë evropianë, britanikë dhe amerikanë, që në fillim të gushtit i dërguan një letër BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, duke i ftuar të ndryshojnë strategjinë e tyre për çështjen e Kosovës.

Sepse rreziqet e një qasjeje të tillë janë të dyfishta. Së pari, ajo lë pezull angazhimin diplomatik që filloi me nismën franko-gjermane të asaj kohe, dhe që më vonë u përkthye në Marrëveshjen e Ohrit.

Së dyti mbyll njërin sy ndaj sjelljes të Serbisë në rajon, ku Beogradi nuk po i ndal ndërhyrjet politike që synojnë ndërtimin e të ashtuquajturës “botë serbe”, një variant hibrid midis një versioni të përditësuar të programit nacionalist të “Serbisë së Madhe” dhe politikës së Moskës ndaj fqinjëve të saj të quajtur “Russkiy Mir” (Bota Ruse).

Sa i përket rrezikut të parë, Marrëveshja e Ohrit i vendosi vetes dy objektiva gjeopolitike afatgjata: shmangien e vatrave të tensionit midis 2 vendeve, dhe largimin e Serbisë nga orbita ruse, duke e afruar atë me kampin perëndimor. Ndërsa është utopi të shpresohet që Beogradi të vendosë sanksione kundër Moskës, shpresohet të paktën që Serbia t’i japë fund luhatjes së saj dhjetëvjeçare midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian.

Por më në veçanti, nëse Serbia ndalon së penguari qasjen e Kosovës në OKB dhe organizata të tjera, aleanca politike me Rusinë do të jetë e pakuptimtë. Ndërkohë, sa i përket rrezikut të dytë, lënia e fushës së lirë për axhendën rajonale të Serbisë së Vuçiç - qeveritë e së cilës kanë gëzuar gjithnjë mbështetjen e kancelarive dhe institucioneve kryesore perëndimore, duke kontribuar në të ashtuquajturën “stabilitokraci” - do të thotë mbi të gjitha minim i procesit të dialogut dhe normalizimit të raporteve aq shumë të dëshiruar mes Beogradit dhe Prishtinës.

Rrjedhimisht, kjo do të rrezikojë më tej stabilitetin politik të të gjithë rajonit të Ballkanit. Prandaj, një çekuilibër diplomatik nga Perëndimi mbi çështjen e Kosovës, do t’i jepte legjitimitet të mëtejshëm një politike serbe që është autoritare brenda vendit dhe destabilizuese në vendet fqinje.

Edhe pse ndikimi rus në Serbi, vështirë se mund të përkthehet në një mbështetje aktive ushtarake, kjo nuk përjashton mundësinë që Beogradi të mos vazhdojë ta importojë modelin e tij politik nga Moska, i përbërë nga autokracia e brendshme dhe agresiviteti në rajon. Një model, i cili ndoshta në Ballkan nuk do të prodhojë luftëra, por do mbajë gjallë një tension të fshehtë e të vazhdueshëm mbi ekuilibrin etno-politik tashmë të brishtë./ “ISPI” - Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga