LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Hapi më i nevojshëm për ri-integrimin e serbëve në veriun e Kosovës

15 Shtator 2023, 18:31, Blog CNA

Hapi më i nevojshëm për ri-integrimin e serbëve në

Konflikti midis Kosovës dhe Serbisë është i përqendruar në Kosovës Veriore, në një hapësirë rreth 1.000 km2, ose rreth 10 për qind e territorit të Kosovës, e banuar nga një popullsi me shumicë serbe prej rreth 50.000 banorësh. Ky numër përbën rreth 40 për qind të popullsisë totale serbe në Kosovë, dhe rreth 3 për qind të popullsisë së përgjithshme. Ky territor ka qenë një burim i madh i tensioneve midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës dhe midis Prishtinës dhe Beogradit për më shumë se 2 dekada. Për ta zgjidhur atë janë prodhuar dhe kanë dështuar shumë modele.

Një marrëveshje e arritur në vitin 2013 në Bruksel, mundësoi një integrim të butë të serbëve, por gjërat ndryshuan vitin e kaluar kur mijëra serbë braktisën vendet e tyre të punës në administratë - përfshirë oficerët e policisë dhe gjyqtarët -si pjesë e një bojkoti më të gjerë të serbëve ndaj institucioneve të Kosovës. Udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës u përpoqën pa sukses për disa vite më radhë për një
zgjidhje të këtij ngërçi. Tani liderët e Kosovës po këmbëngulin tek integrimi i pakushtëzuar i veriut. Por serbët e Kosovës e barazojnë një integrim të tillë me nënshtrimin, duke këmbëngulur tek autonomia në çështjet lokale si një parakusht për integrim, një pozicion të cilin e mbështet Beogradi dhe e simpatizon bashkësia ndërkombëtare.

Nëse lihet i pakontrolluar, një ngërç i ri është i rrezikshëm dhe mund të shkaktojë një sërë përplasjesh midis Kosovës dhe Serbisë dhe ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe serbëve vendas. Janë të paktën 4 burime kryesore të tensioneve, të cilat kanë nevojë për vëmendje.

Së pari, incidentet e vogla mund të çojnë drejt një dhune të pakontrollueshme. Marrëdhëniet ndërmjet policisë me shumicë shqiptare dhe popullatës lokale serbe në veri janë të tensionuara. Serbët thonë se ndihen të frikësuar nga prania e madhe dhe mono-etnike e policisë. Një incident i vogël mund ta përshkallëzojë këtë marrëdhënie të tensionuar në akte dhune të përhapura.

Së dyti, serbët në veri ndihen të diskriminuar. Ndonëse përbëjnë shumicën dërrmuese, 4 komunat në veri drejtohen aktualisht nga kryetarë shqiptarë të zgjedhur në një proces të cilin serbët e bojkotuan, me një pjesëmarrje totale nën 4 për qind. Për më tepër, mijëra serbë dhanë dorëheqje vitin e kaluar nga institucionet e Kosovës. Edhe pse nuk janë në gjendje të shkëputen, serbët në veri e kanë kapacitetin për të penguar përpjekjet e Prishtinës për vendosjen e autoritetit të saj atje, siç u pa edhe këtë verë me bojkotin ndaj zgjedhjeve lokale si dhe me demonstratat e tyre të dhunshme.

Së treti, tensionet në veri kanë shkaktuar një valë të re nacionalizmi në Serbi dhe Kosovë, e cila mund të përshkallëzohet më tej, duke rrezikuar jo vetëm arritjet e dekadës së kaluar, por edhe duke minuar përpjekjet e ardhshme për arritjen e paqes. Deri më tani, liderët e të dy vendeve e kanë pasur nën kontroll këtë lloj radikalizmi.

Por nëse nacionalizmi ngrihet në nivele të pakontrollueshme, ka gjasa që ata të ndihen të detyruar t’u përgjigjen pritshmërive gjithnjë e më ekstreme të publikut duke ndërmarrë veprime të rrezikshme. Nacionalizmi dhe pakënaqësia e kombinuar mund ta çojnë qeverinë
dhe publikun e Kosovës dhe Serbisë drejt një konfrontimi të pashmangshëm.

Së katërti, Kosova mund të ndërmarrë më shumë hapa për të vendosur kontrollin e saj në veri, duke e armiqësuar më tej popullsinë serbe. Duket se Prishtina synon të largojë nga objektet publike institucionet e financuara nga Serbia që ofrojnë shërbime për popullatën serbe, si
pensionet dhe pagat për mijëra mësues dhe mjekët e punësuar në sistemin e financuar nga Serbia.

Kosova dhe Serbia mund dhe duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zbutur tensionet, dhe për të krijuar kushtet për ri-integrimin e serbëve në veri të Kosovës. Çelësi i zgjidhjes së krizës do të jetë që Kosova dhe Serbia ta shkëputin integrimin e veriut nga
mosmarrëveshja në dukje e pazgjidhshme e statusit. Ato duhet të konsiderojnë integrimin e veriut si një çështje praktike, dhe të angazhohen të zbatojnë të gjitha marrëveshjet për integrimin serb deri në fund të vitit. Kjo përfshin ngritjen e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, siç u ra dakord në Bruksel në vitin 2013.

Duhet të jetë Kosova ajo që duhet ta marrë iniciativën në këtë aspekt, pasi qytetarët dhe territori i saj janë në rrezik. Ajo nuk duhet t’i konsiderojë të drejtat e mundshme shtesë për serbët përmes bashkësisë së komunave si një lëshim ndaj Serbisë, por si pjesë e një politike integruese për të integruar një pjesë të qytetarëve të saj, të cilët për arsye të ndryshme hezitojnë ta bëjnë këtë.

Nga ana tjetër, Serbia duhet të mbështesë pa asnjë mëdyshje ri-integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ajo s’duhet ta konsiderojë këtë si një lëshim për Kosovën, por si një mënyrë për të përmirësuar pozitën e këtij komuniteti mjaft të vogël dhe të varfër serb, të bllokuar mes “2 zjarreve”.

Dhe lidershipi i serbëve të Kosovës duhet të veprojë në mënyrë të pavarur nga Beogradit për çështjet lokale. Po si mund të realizohet kjo? Së pari partitë duhet të bien dakord për mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri, ku serbët e Kosovës duhet të premtojnë se do të marrin pjesë. Njëkohësisht, Kosova duhet të hartojë një statut për bashkësinë e komunave me shumicë serbe, që do të formohet sapo të votohen kryetarët e rinj të komunave.

Një hap tjetër i rëndësishëm është lehtësimi i rikthimit në punë të mijëra punonjësve serbë, dhe sidomos i forcave të policisë.
Edhe pse një organ i diskutueshëm, nëse formohet në mirëbesim, bashkësia nuk do të çonte në ndarjen e veriut, siç frikësohen shqiptarët. Përkundrazi mund të shërbente si një rrugë drejt integrimit të qëndrueshëm të serbëve.

Duke qenë një pakicë e përhershme në institucionet qendrore - të gjitha pozitat e larta që mbahen aktualisht nga shqiptarët - serbët duan të kenë më shumë zë mbi çështjet lokale në komunat ku ata përbëjnë shumicën. Ata duan sidomos që Prishtina t’u japë atyre më shumë
autonomi në zhvillimin ekonomik lokal, planifikimin urban, arsimin dhe kujdesin shëndetësor.

Kërkesa të tilla mund të konsiderohen normale në demokracitë e zhvilluara, por ky nuk është rasti në Kosovë, një vend me ndarje të mëdha etnike, ku janë plot tension edhe transferimet më të parëndësishme të pushtetit. Për shembull, shqiptarët mund t’u ofrojnë
serbëve në veri një pozitë të rëndësishme në nivel qendror.
Që të funksionojë një qasje e tillë, duhet që kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç t’i transformojnë ndërveprimet e tyre luftarake në një marrëdhënie
pune.

Disa mesazhe pajtuese kanë filluar të fitojnë terren kohët e fundit. Kurti ka pranuar të ofrojë më shumë vetë-menaxhim për serbët, duke u tërhequr nga pozicioni i tij i mëparshëm. Ndërkohë, Vuçiç e ka pranuar se paqja me shqiptarët është e dobishme për Serbinë. Por në përgjithësi, liderët vazhdojnë të flasin në mënyra që prodhojnë më shumë zemërim sesa pajtim. Nga Shpëtim Gashi & Milica Andric Rakic “Atlantic Council”/ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga