LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kalendar historik/ Çfarë ka ndodhur më 15 Shtator

15 Shtator 2023, 08:26, Blog CNA
Kalendar historik/ Çfarë ka ndodhur më 15 Shtator
Foto ilustruese

1940 - Nis Beteja e Britanisë

Më 15 shtator, flota ajrore e Gjermanisë naziste, Luftwaffe, nisi 2 sulme të mëdha ndaj Londrës. Duke besuar se Forca Ajrore Britaike, RAF, ishte afër kolapsit, sulmet ishin një përsëritje e sulmit të tyre shkatërrues vetëm 8 ditë më parë.

Po atë ditë kryeministri Uinston Çërçill vizitoi selinë e komandës qendrore të pilotëve të RAF. Vala e parë e sulmit me rreth 250 avionë bombardues nisi në orën 11:00. Ndërsa shumë avionë të Luftwaffe-s u goditën nga RAF, rreth gjysma arritën në Londër duke lëshuar ngarkesat e tyre.

Vala e dytë e sulmit me afro të njëjtin numër avionësh ndodhi rreth orës 14:00 dhe besohet se synonte Londrën Jugore dhe hekurudhat që e lidhin me Kentin. Sulmet vazhduan edhe gjatë natës. Gjatë sulmeve të asaj dite, RAF arriti të dëmtojë shumë nga formacionet bombarduese gjermane.

Kalendar historik/ Çfarë ka ndodhur më 15 Shtator

Kjo do të thoshte se kur avionët e mbijetuar i hodhën ngarkesat e tyre, predhat ranë në një zonë të gjerë dhe ishin më pak të dëmshme. RAF pretendoi se kishte rrëzuar 185 avionë gjermanë. Në fakt ishin vetëm 61, por gjithsesi ishin humbjet më të rënda që Luftwaffe kishte pësuar për më shumë se një muaj.

Vetë RAF humbi 31 avionë. Ndonëse luftimet vazhduan edhe për disa javë të tjera, dhe qytetet britanike u bombarduan sporadikisht për pjesën tjetër të Luftës së Dytë Botërore, dështuan taktikat e gjermanëve për të arritur epërsinë ajrore përpara një pushtimi të mundshëm të ishullit.

Kalendar historik/ Çfarë ka ndodhur më 15 Shtator

E diela e 15 shtatorit shënoi një humbje të qartë dhe vendimtare për Luftwaffe-s. Ajo braktisi më 30 shtator bombardimet gjatë ditës, edhe pse sulmet gjatë natës vazhduan deri në maj të vitit 1941. Beteja e Britanisë do të hynte në histori si një pikë kthesë gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Ngjarje të tjera të rëndësishme

1835 - Anija “HMS Beagle” me Çarls Darvinin në bord arrin në Ishujt Galapagos. Ekspedita do të zgjaste disa vite dhe do të ishte thelbësore për hartimin e tezës së famshme të evolucionit nga natyrialisti britanik. 

1928 - Bakteriologu skocez Aleksandër Fleming zbulon penicilinën teksa ishte duke studiuar virusin e gripit.

1935 - Miratohen në Gjermani Ligjet e Nurembergut. Ato do t’i privonin hebrenjtë gjermanë nga shtetësia. Po ashtu ndaluan martesat apo marrëdhëniet seksuale midis hebrenjve dhe “qytetarëve me gjak gjerman ose të afërm”, dhe e bënë svastikën (kryqin e thyer) si një simbol zyrtar të Gjermanisë nazistë. Ligjet e Nürnberg do të arrinin kulmin me Holokaustin.

1943 - Benito Musolini formon një qeveri të re fashiste në Itali, duke shpallur Republikën e Salosë.

1950 - Trupat e Kombeve të Bashkuara zbarkojnë në Inçeon të Koresë së Jugut, duke sprapsur një pushtim të trupave të Koresë së Veriut gjatë Luftës Koreane.

1959 - Udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov mbërrin në SHBA për të filluar një vizitë 13-ditore./ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga