LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kalendari historik/ Çfarë ka ndodhur më 11 shtator?

11 Shtator 2023, 11:55, Blog CNA

Kalendari historik/ Çfarë ka ndodhur më 11 shtator?

2001 - SHBA pëson sulmin më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore

Ishte ora 8 e 46 minuta e mëngjesit të një të marte të kthjellët, kur një avion Boeing 767 i kompanisë “American Airlines” i ngarkuar me 20.000 litra karburant, u përplas në kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në qytetin e Nju Jorkut.

Përplasja krijoi një vrimë të madhe dhe flakë përreth pranë katit të 80-të të grataçelës 110-katëshe, duke vrarë në çast qindra njerëz, dhe duke bllokuar qindra të tjerë në katet më sipër. Ndërsa nisi me shpejtësi evakuimi i 2 ndërtesave, kamerat televizive transmetuan imazhe të drejtpërdrejta të asaj që fillimisht u duk të ishte një aksident i frikshëm.

Më pas, 17 minuta pas përplasjes së avionit të parë, një avion tjetër Boeing 767 i kompanisë “United Airlines” goditi kullën jugore në katin e 60-të. Përplasja shkaktoi një shpërthim edhe më të madh. Amerika ishte nën sulm. Agresorët ishin terroristë islamikë nga Arabia Saudite dhe disa vende të tjera arabe.

Të financuar nga organizata terroriste Al Kaeda e sauditit Osama Bin Laden, terroristët dyshohet se vepruan në shenjë hakmarrjeje për mbështetjen e Amerikës ndaj Izraelit, përfshirjen e saj në Luftën e Gjirit Persik dhe praninë e vazhdueshme ushtarake në Lindjen e Mesme.

Kalendari historik/ Çfarë ka ndodhur më 11 shtator?

Madje disa nga terroristët kishin jetuar në Shtetet e Bashkuara për më shumë se 1 vit, dhe kishin marrë leksione për fluturimin me avion. Të tjerë kishin hyrë në SHBA disa muaj para sulmit. 19 terroristët arritën të kalonin lehtësisht disa mjete prerëse në 3 aeroporte të Bregut Lindor, dhe hipën në bordin e 4 avionëve që do të shkonin në Kaliforni.

Ndërsa miliona njerëz po ndiqnin të tmerruar ngjarjet që po shpaloseshin në Nju Jork, një avion tjetër i “American Airlines” kaloi në qendër të Uashingtonit dhe u përplas në anën perëndimore të selisë ushtarake të Pentagonit në orën 9 e 37 minuta të mëngjesit. Karburanti i avionit shkaktoi një shembje strukturore të një pjese të ndërtesës gjigante prej betoni.

U vranë 125 persona nga personeli ushtarak në Pentagon, së bashku me të 64 personat që gjendeshin në bordin e avionit. Më shumë se 15 minuta pasi terroristët goditën Pentagonin, u shemb kulla jugore e Qendrës Botërore të Tregtisë. Në orën 10 e 28 minuta të paradites u shemb edhe kulla tjetër.

Rreth 3.000 njerëz vdiqën në Qendrën Botërore të Tregtisë dhe në afërsi të saj, duke përfshirë 343 zjarrfikës, mjekë dhe oficerë policie. Gati 10.000 njerëz të tjerë u trajtuan për lëndime shumë të rënda. Ndërkohë, një aeroplan i katërt që duhet të shkonte në Kaliforni - United Flight 93 - u rrëmbye rreth 40 minuta pasi u ngrit nga aeroporti ndërkombëtar Njuark në  Nju Xhersi.

Por pasagjerët e kuptuan se çfarë po ndodhte, dhe u përleshën me 4 rrëmbyesit. Dyshohet se ata e sulmuan kabinën me bombolat e fikjes së zjarrit. Për pasojë avioni u rrëzua me shpejtësi në një fushë rurale në Pensilvaninë Perëndimore. Të 45 personat që ndodheshin në bord u vranë.

Kalendari historik/ Çfarë ka ndodhur më 11 shtator?

Objektivi i tij nuk dihet me siguri. Por disa teori përmendin Shtëpinë e Bardhë, Kapitolin Hill, rezidencën presidenciale në Kemp Dejvid apo 1 nga disa termocentralet bërthamore që ndodhen përgjatë Bregut Lindor. Që atë ditë presidenti Xhorxh W.Bush i dënoi aktet dhe shpalli luftën kundër terrorizmit.

Më 7 tetor 2001 nisi operacioni “Enduring Freedom”, përpjekja ndërkombëtare e udhëhequr nga SHBA-ja për të rrëzuar regjimin taleban në Afganistan dhe për të shkatërruar rrjetin terrorist të Bin Ladenit. Ky i fundit u vra më 2 maj 2011 gjatë një operacioni të forcave speciale amerikane në kompleksin e tij në Pakistan.

Ngjarje të tjera të rëndësishme

1971- Vdes ish-udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov. Në kulmin e pushtetit të tij, në fund  të viteve 1950 dhe fillimin e viteve 1960, Hrushovi u përfshi në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë. Ngritja e tij në pushtet filloi në vitet 1930, falë besnikërisë  së tij ndaj udhëheqësit sovjetik Josif Stalin, nga i cili u distancua pas vdekjes.

1973 - Forcat e armatosura të Kilit organizuan një grusht shteti kundër qeverisë së presidentit marksist Salvador Alende. Alende u mbyll me mbështetësit e tij në pallatin presidencial, La Moneda, i rrethuar nga tanket dhe këmbësoria, dhe i bombarduar nga avionët e forcave ajrore. Ai i mbijetoi sulmit ajror, por më pas vrau veten kur trupat puçiste sulmuan pallatin./ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga