LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kalendari historik/ Çfarë ka ndodhur në 14 shtator?

14 Shtator 2023, 09:32, Blog CNA

Kalendari historik/ Çfarë ka ndodhur në 14 shtator?

1959 - Sovjetikët ulin të parët në Hënë sondën e tyre kozmike

Një sondë sovjetike arriti të ulet në sipërfaqen e Hënës, duke u bërë objekti i parë i krijuar nga njeriu i dërguar nga Toka. Ajo ngjarje e rëndësishme u dha sovjetikëve një avantazh jetëshkurtër në “garën e hapësirës” dhe i nxiti akoma më shumë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të zhvilluar programin e tyre hapësinor.

Dy vite më parë, sovjetikët tronditën SHBA-në duke u bërë vendi i parë që lëshoi një satelit në orbitë përreth Tokës. Suksesi i “Sputnik” trembi shumë amerikanë, të cilët besonin se shumë shpejt sovjetikët do të zhvillonin një lloj të ri armësh që mund të gjuanin nga hapësira.

Kalendari historik/ Çfarë ka ndodhur në 14 shtator?

Më të shqetësuar ishin sigurisht zyrtarët amerikanë, pasi suksesi i “Sputnik” ishte një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj pretendimeve amerikane për epërsi teknologjike dhe shkencore ndaj regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik. Dhe në fakt, ajo ngjarje ishte një fitore e madhe propagandistike për sovjetikët, që u dha atyre avantazh në tërheqjen në orbitën e tyre të vendeve më pak të zhvilluara përmes premtimeve për ndihmë ekonomike dhe teknologjike.

Shtetet e Bashkuara u kundërpërgjigjën duke e përshpejtuar programin e tyre hapësinor. Dhe vetëm disa muaj pas lëshimit të “Sputnik”, në orbitë u lëshua një satelit amerikan. Por në  shtator të vitit 1959, sovjetikët e ngritën shumë lart stekën kur njoftuan se një sondë që mbante flamurin e Bashkimit Sovjetik ishte ulur në sipërfaqen e Hënës.

Nga Uashingtoni pati një urim formal për shkencëtarët sovjetikë që menaxhuan operacionin. Por në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Bashkimin Sovjetik se dërgimi i flamurit rus në Hënë nuk u jepte sovjetikëve të drejta territoriale mbi trupin qiellor më pranë Tokës.

Kalendari historik/ Çfarë ka ndodhur në 14 shtator?

Zëvendëspresidenti Riçard Nikson i siguroi amerikanët se “SHBA është shumë më përpara” në garën hapësinore. Në vitin 1960, kandidati presidencial Xhon F.Kenedi e bëri atë një nga temat qendrore të fushatës së tij. Pasi fitoi zgjedhjet, Kenedi rriti ndjeshëm shpenzimet për programin hapësinor dhe u zotua se Amerika do të dërgonte një njeri në Hënë deri në fund të asaj dekade. Dhe në vitin 1969, astronauti amerikan Neil Armstrong u bë njeriu i parë që eci në Hënë.

Ngjarje të tjera të rëndësishme:

1321 - Vdes shkrimtari i madh italian Dante Aligeri, shkrimtari i kryeveprës botërore “Komedia Hyjnore”.

1638 - Vdes Xhon Harvard, themelues i universitetit më të famshëm sot në botë.

1812 - Një javë pasi arriti një fitore të përgjakshme në betejën e Borodinos, ushtria e madhe e Napoleon Bonapartit, hyn në qytetin e Moskës. Qyteti ishte i shkretë, pasi rusët ishin larguar drejt lindjes.

1911 - Kryeministri rus, Pjotër Stolipin, plagoset për vdekje gjatë një atentati në Operën e Kievit.

1960 - Iraku, Irani, Kuvajti dhe Arabia Saudite formojnë OPEC-un.

1979 - Vritet gjatë një grushti shteti presidenti afgan, Nur Muhammed Taraki./ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga