LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Këto janë ngjarjet e jetës, të cilat kanë më shumë gjasa ta ndryshojnë personalitetin tuaj

31 Gusht 2023, 09:15, Blog CNA

Këto janë ngjarjet e jetës, të cilat kanë më

Nga Ross Pomeroy “Big Think”

Me kalimin e kohës, personaliteti i njeriut mund të ndryshojë, madje shumë.

Por psikologët nuk kanë menduar gjithmonë kështu. Ndërsa personaliteti i dikujt - pra modeli i tyre i gjerë i mendimeve, ndjenjave dhe sjelljeve - mund të ndryshonte në disa aspekte periferike, shkencëtarët mendonin se në përgjithësi ai ishte diçka fikse.

Më pas studimet afatgjata që matnin lëvizjet në tiparet e personalitetit, për “pesëshen e madhe”, arritën të ndryshojnë qëndrimin e psikologëve. Ndërsa njerëzit rriteshin, ndryshonin edhe këto tipare thelbësore.

Ato janë:

(1) ndërgjegjshmëria (sa impulsiv, i organizuar dhe i disiplinuar është dikush);

(2) pajtueshmëria (sa modest, i besueshëm dhe i kujdesshëm është);

(3) ekstraversioni (nëse një person kërkon ngjarje eksituese dhe ndërveprim social);

(4) hapja ndaj përvojave të reja (kurioziteti dhe prirja e dikujt për të dalë nga rutina e zakonshme); 

(5) neurotizmi (stabiliteti i përgjithshëm emocional i një personi).

Por çfarë i shkakton këto ndryshime të personalitetit? Kohët e fundit, studiuesit kanë analizuar ndikimin e ngjarjeve të rëndësishme të jetës.

Në dhjetëra studime të botuara gjatë 30 viteve të fundit, shkencëtarët janë përpjekur të masin ndryshimet te 5 tiparet e mëdha të personalitetit që ndodhin pas ngjarjeve kryesore të familjes, karrierës dhe marrëdhënieve.

Vitin e kaluar, një ekip shkencëtarësh nga institute në Gjermani dhe Zvicër kryen një metaanalizë për të dalluar gjetjet e gjera. Në punimin e tyre të botuar në “European Journal of Personality”, ata zbuluan ngjarjet e jetës që kanë më shumë gjasa të ndryshojnë personalitetin e dikujt.

Ngjarjet që e ndryshojnë personalitetin e njeriut

Autorët e studimit u fokusuan në këto 10 ngjarje të jetës:

(1) hyrja në një marrëdhënie të re

(2) martesa

(3) lindja e një fëmije

(4) ndarja

(5) divorci

(6) të mbeturit i ve ose e ve

(7) diplomimi

(8) nisja e punës së parë

(9) papunësia

(10) dalja në pension.

Ata analizuan 44 studime që kishin ndjekur ecurinë e 5 tipareve kryesore të personalitetit të subjekteve, para dhe pas këtyre ngjarjeve. Studimet në fjalë përfshinin 121.187 pjesëmarrës në total, gati që të gjithë nga vendet perëndimore.

Duke grumbulluar dhe analizuar të dhënat, ata zbuluan se diplomimi, puna e parë, një marrëdhënie e re, martesa dhe divorci, ishin të lidhura me ndryshimet më të mëdha të personalitetit.

Sidomos, një marrëdhënie e re dhe divorci, u duk se i bënte pjesëmarrësit më të ndërgjegjshëm, pra më të përgjegjshëm dhe të disiplinuar. Edhe puna e parë e rriste ndërgjegjshmërinë në një shkallë më të madhe. Martesa ishte e lidhur me të qenit më pak i hapur ndaj përvojave të reja, pasi njerëzit bëheshin më të parashikueshëm dhe e kishin më bezdi ndryshimin.

Diplomimi uli neurotizmin, pasi njerëzit u bënë më të qetë dhe më të sigurt. Të gjitha madhësitë e efekteve ndryshuese ishin mjaft të vogla, por autorët e studimit thonë se ato mund të barazohen me ndryshime të mëdha të personalitetit me kalimin e kohës.

“Edhe efektet e vogla, kur grumbullohen te shumë njerëz dhe me kalimin e kohës, mund të kenë ndikim dhe rëndësi të madhe. Llojet e ngjarjeve që studiuam shpesh sjellin ndryshime afatgjata në rrethanat e jetës së njerëzve, që mund të vijnë me ndryshime të qëndrueshme në kontekste dhe zakone…

Disa nga ngjarjet e studiuara, mund të çojnë në ndryshime kumulative përgjatë viteve apo edhe dekadave”, - thanë ata.

Përmirësim gjatë gjithë kohës

Studimet e mëparshme, kishin zbuluar se shpeshherë personalitetet tona “përmirësohen” me kalimin e moshës. Në atë që psikologët e kanë quajtur “parimi i pjekurisë”, njerëzit priren të jenë më ekstravertë, më të këndshëm dhe të ndërgjegjshëm ndërsa rriten, por edhe më pak neurotikë.

Transformimi është gradual, në thelb i padukshëm, për vetë individin. Por pas shumë vitesh, gati të gjithë mund të reflektojnë mbi veten e tyre të dikurshme dhe të mahniten me dallimet.

Siç sugjeron metaanaliza e re, disa ngjarje të jetës duket se e përshpejtojnë këtë ndryshim të personalitetit./Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga