LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kriza ekonomike po e ndan sërish Gjermaninë në 2 pjesë

7 Tetor 2023, 17:57, Blog CNA
Kriza ekonomike po e ndan sërish Gjermaninë në 2 pjesë
Mbështetësit e Alternativës për Gjermaninë demonstrojnë në Köthen në Saksoni-Anhalt, Gjermani.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, çdo 20 vite apo më shumë Gjermania është goditur nga një krizë ekonomike, e cila shpesh është dukur e pakapërcyeshme: në fundin e viteve 1960, në fillim dhe deri në mesin e viteve 1980, në fillim të viteve 2000 dhe tani.

Këto kriza tashmë të kaluara dukeshin të zymta për kohën, por zakonisht zgjidheshin përmes një ndryshimi të qeverisë ose nëpërmjet reformave. Kriza ekonomike aktuale është më thelbësore. Sepse bëhet fjalë për rolin e Gjermanisë në botë, si dhe për modelin e saj të rritjes ekonomike. Këtë herë nuk ka asnjë axhendë të qartë reformash që do ta ndihmojë Gjermaninë ta kalojë edhe këtë krizë. Nuk ka as edhe një qeveri apo koalicion alternativ që pret të provojë diçka të re. Këtë herë situata është vërtetë ndryshe.

Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainë nga ana e Rusisë në shkurtin e vitit 2022 nuk është shkaku i thellë i asgjëje, por një shkas për gjithçka. Deri një vit më parë, Gjermania kënaqej me rolin e saj si një kujdestare e gjeopolitikës. Ajo ishte një vend që ishte njëkohësisht i Lindjes dhe i Perëndimit: i varur nga SHBA-ja për sigurinë, nga Rusia për gazin, dhe nga Kina për eksportet e saj.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, nxori në pah paqëndrueshmërinë e qasjes aktuale të diplomacisë gjermane. Ajo ekspozoi gjithashtu edhe varësinë e tepërt të Gjermanisë nga industritë e vjetra të gazit si dhe mungesën e modernizimit industrial. Debatet aktuale në Gjermani tregojnë se nuk është aq i fortë oreksi për të ndërmarrë ndryshime të thella.

Përkundrazi, mund të shohim një skenar të ngjashëm me atë që ndodhi me Italinë pas futjes së saj në eurozonë në vitin 1999, një periudhë e gjatë krize ekonomike, një dobësim i qendrës tradicionale të politikës, si dhe një rritje e partive ekstreme.

Këtë verë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë, u rendit në sondazhe si partia e dytë më e madhe e Gjermanisë në mbarë vendin. Madje edhe më e madhe se çdo parti në koalicionin 3-partiak të Olaf Sholcit, përfshirë edhe socialdemokratët e tij (SPD).

Ne e dimë nga Leon Tolstoi se familjet e pakënaqura janë të tilla në mënyrat e tyre të ndryshme. AfD është familja e pakënaqur e Gjermanisë Lindore, dhe nuk është si asnjë tjetër. Ajo u themelua rreth një dekadë më parë si një lëvizje e profesorëve të ekonomisë gjermano-perëndimore që ishin kundër euros. Më vonë në këtë parti u infiltruan nacionalistët që kundërshtonin emigracionin, anëtarësimin në BE dhe çdo gjë jo-gjermane.

Qendra e gravitetit politik të AfD-së u zhvendos nga Perëndimi në Lindje, duke u bërë gjithnjë e më ekstremiste. Unë nuk do ta quaja fashiste këtë parti, por është fakt që disa nga anëtarët e saj kanë qenë tolerantë ndaj neo-nazistëve dhe kanë marrë pjesë në protestat e këtyre të fundit.

Sipas sondazheve të fundit, AfD gëzon mbështetjen e 21-22 për qind të elektoratit në mbarë vendin. Në Gjermaninë lindore, AfD përkrahet nga 29-35 për qind e qytetarëve. Në 4 nga 5 shtetet e Gjermanisë Lindore është partia më e madhe e vetme në sondazhe.

Shkaku për ngritjen më të fundit të AfD-së në sondazhe është mbështetja e Gjermanisë për luftën e Ukrainës kundër pushtimit rus. Shumica e gjermano-lindorëve janë kundër dërgesave të armëve në Ukrainë. Gjermania Lindore duket shpesh një vend i pleqve dhe grave, shumë prej të cilëve kanë ende një lidhje të fortë me Rusinë.

Ata kanë jetuar nëpër 3 periudha të dallueshme në jetën e tyre si të rritur, që të gjithë të ndikuara nga Rusia: epoka e Luftës së Ftohtë e Republikës Demokratike Gjermane e lidhur me sovjetikët gjatë viteve 1949-1990; epoka e detantës ruso-gjerman në një Gjermani të bashkuar nga viti 1990 deri në vitin 2021; dhe epoka aktuale që e përkufizon veten si kundërshtare të Rusisë së Vladimir Putinit. Nga Wolfgang Münchau “New Statesman”/ Pershtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga