LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kujdes, Inteligjenca Artificiale mund të inskenojë telefonata të rreme nga familjarët tuaj

31 Gusht 2023, 09:13, Blog CNA

Kujdes, Inteligjenca Artificiale mund të inskenojë telefonata të

Kanë ikur kohët e mashtrimeve të vjetra, me “princa” që ofronin pasurinë e tyre përmes një adrese "e-mail"-i apo me çmime të dyshimta që pretendohet se keni fituar në internet, të cilat kërkojnë të gjitha fjalëkalimet dhe të dhënat tuaja bankare.

Sot mashtrimet po bëhen edhe më të ndërlikuara dhe shumë më bindëse. Falë bumit të vazhdueshëm të Inteligjencës Artificiale (AI), mashtruesit janë tashmë në gjendje të përsërisin jo vetëm zërin e dikujt që e njihni shumë mirë, por në disa raste edhe fytyrat e tyre.

Dhe kjo teknologji nuk është e disponueshme vetëm për ata që janë më të fiksuar pas teknologjisë, por për cilindo që ka një kompjuter gjysmë të mirë dhe një lidhje me internetin.

Duke ju bërë të besoni se po bisedoni në telefon me një familjarin tuaj që ka nevojë për para, me miqtë e ngushtë që kanë ngecur në një vend të rrezikshëm apo me dikë me të cilin punoni, që ju kërkon t`i dërgoni "online" një sasi parash, mashtrimet telefonike përmes Inteligjencës Artificiale luajnë me psikologjinë e besimit dhe frikës për t’i bindur njerëzit që të dërgojnë para, duke besuar se e njohin personin në anën tjetër të receptorit.

Kujdes, Inteligjenca Artificiale mund të inskenojë telefonata të

Po si funksionon kjo teknologji, dhe a ka ndonjë mënyrë për t’u përgatitur më mirë kundër mashtrimeve të së ardhmes? Për këtë biseduam me Oli Baklin, profesor i sigurisë kibernetike në Universitetin e Anglisë Lindore.

Çfarë është një falsifikim i thellë?

Ndërsa mashtrimet vazhdojnë të shfaqen në forma të ndryshme, ato të viteve të fundit priren të mbështeten te teknologjia e njohur si “deepfakes”. “Duke përdorur një algoritëm të Inteligjencës Artificiale, ata krijojnë një përmbajtje, e cila duket ose tingëllon si realiste.

Kjo mund të jetë video apo edhe vetëm audio”- shpjegon Bakli.

“Ata kanë nevojë për shumë pak të dhëna, dhe me to mund të krijojnë diçka mjaft bindëse, duke përdorur thjesht një laptop standard që mund ta blejë kushdo”- vijon më tej eksperti.

Në thelb, “deepfakes” marrin shembuj të pamjeve ose zërit së dikujt, duke mësuar se si të rikrijojnë me saktësi lëvizjet apo zërin e tyre. Më pas kjo mund të përdoret për të “vendosur” fytyrën e tyre në trupin e dikujt tjetër, për të lexuar me zërin e tyre një tekst të caktuar apo një mori aktivitetesh të tjera dashakeqe.

Kujdes, Inteligjenca Artificiale mund të inskenojë telefonata të

Ndërsa teknologjia tingëllon si diçka e ndërlikuar, në fakt është çuditërisht e lehtë për cilindo që të bëjë vetë një falsifikim të tillë. Gjithçka që u nevojitet është një video apo një regjistrim i zërit tuaj të disponueshëm publikisht dhe disa softuerë që blihen me një çmim shumë të lirë.

“Softueri mund të shkarkohet lehtësisht dhe çdokush mund të realizojë lehtësisht një 'deepfake' shumë bindës. Duhen sekonda dhe jo minuta apo orë, dhe kushdo që ka pak kohë të lirë dhe qasje në 'YouTube' mund ta kuptojë se si ta bëjë.

Ky është një nga përfitimet dhe mallkimet e bumit të AI-së që po shohim tani. Kemi në dispozicion një teknologji të mahnitshme, e cila cilësohej si fantashkencë deri jo shumë kohë më parë. Një zhvillim i tillë është i shkëlqyer për inovacionin. Por ka edhe anën e errët që është abuzimi nëse bie në duar të gabuara”- nënvizon Bakli.

Bota e mashtrimeve të mëdha

Kujdes, Inteligjenca Artificiale mund të inskenojë telefonata të

Që nga përdorimi i tyre i parë, “deepfakes” janë përdorur në mënyra dashakeqe, duke filluar nga falsifikimi i fjalimeve politike, dhe deri te krijimi i materialeve pornografike. Por kohët e fundit përdorimi i tyre është rritur ndjeshëm në botën e mashtrimeve.

“Të qenit në gjendje për ta detyruar dikë të bëjë apo thotë çfarë doni ju, është një aftësi tepër e fuqishme për mashtruesit. Ka pasur një rritje të mashtrimeve me zërin e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, ku dikush merr një telefonatë apo edhe një video-telefonatë të një personi të dashur, që i thotë se është në telashe dhe ka nevojë për para.

Këto janë nxjerrë nga të dhënat e disponueshme nga interneti. Nuk ka pse të jenë 100 për qind të sakta. Duke u mbështetur te frika dhe te një situatë dëshpëruese, ju kapeni nga paniku dhe anashkaloni çdo mospërputhje mbi detajet”, - deklaron eksperti.

Ndërsa këto mashtrime mund të vijnë në forma të ndryshme, formati i zakonshëm është një telefonatë nga një numër i rastësishëm. Personi në anën tjetër, përdor falsifikimin e thellë duke pretenduar se është një anëtar i familjes suaj apo dikush që normalisht do të mbështetej te ju për para.

Ky lloj mashtrimi mund të marrë edhe formën e një mesazhi zanor, ku telefonuesi mund të ketë gati një tekst të parapërgatitur. Në një telefonatë me gjatësi të plotë të inskenuar nga mashtruesi, ka shpesh pauza të gjata pasi ato detyrojnë gjenerimin e zërit që të krijojë përgjigje për pyetjet që i bëhen.

Me teknologjinë bazë, këto falsifikime të thella s’kanë gjasa të jenë perfekte. Përkundrazi ato ofrojnë një version të zërit të dikujt që mund të jetë paksa si i mekur. Megjithatë, duke u mbështetur në stresin e një momenti, këta mashtrues shpresojnë që njerëzit të mos e vënë re, ose ta shpjegojnë atë me stresin që ka telefonuesi.

Si luftohet kundër “deepfakes”

Ndërsa këto lloj mashtrimesh po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, lind pyetja se cila është mënyra më e mirë për t’u përballur me to, dhe nëse publiku mund të bëjë diçka për ta qenë më pak në shënjestër të këtyre mashtrimeve.

“Është e lehtë të jesh kritik me të tjerët kur nuk të ndodh ty, por është e vështirë kur je mashtruar në këtë formë”- thotë Bakli.

Ka pjesë të softuerit që mund të përdoren për të identifikuar një video apo audio të falsifikuar, por njeriu i zakonshëm nuk ka gjasa ta bëjë këtë dallim.

Kështu nëse merrni një telefonatë nga një familjar juaji, të cilin nuk po e prisnit dhe keni dyshimet tuaja, mbylleni dhe telefonojini sërish. Ose dërgojini mesazhe për të parë se ku ndodhen. Për të krijuar një falsifikim që duket shumë realist, nevojitet një sasi çuditërisht e vogël audio apo pamje.

Dikur ky mund të mos ishte një problem, por sot shumica e njerëzve, gjejnë shumë imazhe dhe audio të tyre në internet. Ndërsa është e mundur të provoni dhe hiqni të gjithë përmbajtjen tuaj në internet, kjo nuk është diçka dhe aq e lehtë, sepse kërkon një pastrim të plotë të përmbajtjeve tuaja si nga mediat sociale, po ashtu edhe nga miqtë dhe familjet tuaja.

Kujdes, Inteligjenca Artificiale mund të inskenojë telefonata të

Po kështu, mund të ketë më shumë përmbajtje nga puna juaj ose grupet sociale që kanë pamje dhe audio të përdorshme.

“Ne të gjithë jetojmë sot në një përmasë shumë publike, sidomos sepse pandemia e COVID-19 e krijoi këtë ndjenjë të rritjes së komunitetit në internet pasi ishim të ndarë fizikisht nga të gjithë”, - shprehet eksperti.

Dhe kjo do të thotë sipas tij se në rrjet ka shumë foto, video dhe audio tonat. Opsioni më i mirë është thjesht të jesh objektiv, të marrësh parasysh sa e mundshme është përmbajtja e rreme, dhe të jesh i kujdesshëm ndaj telefonatave ose videove që nuk ndihen të besueshme.

Ndryshim në mentalitet

Inteligjenca Artificiale e ka rritur në mënyrë drastike aftësinë e saj vitin e fundit. Ndërsa kjo ka sjellë shumë gjëra të mira, e ka balancuar duke sjellë edhe një sasi të barabartë të këqijash. Ndërsa ekzistojnë disa metoda për të gjurmuar përdorimin e tij, mashtruesit janë shumë të shpejtë në rregullimin e teknologjisë së tyre sapo të jenë në gjendje ta vërejnë atë.

Për njëfarë kohe, një falsifikim i thellë mund të identifikohej nga një lloj i qartë i pulsimit të syrit, por shpejt gjërat ndryshuan. Në vend se të përpiqen të kërkojnë gabime apo elementë të çuditshëm, Bakli dhe ekspertë të tjerë të kësaj fushe, e vënë theksin te një ndryshim në mentalitet.

“Teknologjia po e tejkalon mënyrën se si ne mendojmë për të, por edhe mënyrën se si ne përpiqemi të disiplinojmë përdorimin. Në këtë aspekt jemi duke luajtur lojën “më kap nëse mundesh”. Do të arrijmë deri në pikën ku s’do të jemi më të sigurt se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Mendimi kritik është faktori më i rëndësishëm kur kemi të bëjmë me falsifikime të thella", - thotë Bakli./ Përshtatur nga CNA

 

Lajmet e fundit nga