LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mënyra e çuditshme se si gjuha ndikon në perceptimin tonë mbi kohën dhe hapësirën

20 Nëntor 2022, 22:31, Blog Miriam Frankel & Matt Warren

Mënyra e çuditshme se si gjuha ndikon në perceptimin tonë

Nëse do t’ju kërkohet të ecni diagonalisht nëpër një fushë, a do të dini se çfarë të bëni? Po sikur t’ju ofroheshin 23 dollarë sot dhe dyfishi i kësaj shume pas një muaj, a do të ishit të gatshëm të prisnit? Dhe si do t'i rreshtonit 10 fotot e prindërve tuaj, nëse do t’iu kërkohet t’i renditnit sipas rendit kronologjik?

A do t'i vendosni ato horizontalisht apo vertikalisht? Në cilin drejtim do të lëvizte afati kohor i fotove? Këto mund të duken si pyetje të thjeshta, por çuditërisht, përgjigjet tuaja për këto pyetje ka të ngjarë të ndikohen nga gjuha apo gjuhët që flisni.

Në librin tonë të ri, ne eksplorojmë shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që ndikojnë dhe manipulojnë mënyrën se si mendojmë - nga gjenetika te teknologjia dixhitale dhe reklamat. Dhe duket se gjuha mund të ketë një efekt magjepsës mbi mënyrën se si ne mendojmë për kohën dhe hapësirën.

Marrëdhënia midis gjuhës dhe perceptimit tonë për këto dy dimensione të rëndësishme, është në qendër të një pyetjeje të debatuar prej kohësh:A është të menduarit diçka universale dhe e pavarur nga gjuha, apo mendimet tona përcaktohen nga ajo? Sot pak studiues besojnë se mendimet tona formohen tërësisht nga gjuha.

Tek e fundit ne e dimë se foshnjat dhe të vegjlit mendojnë para se të flasin. Por një numër në rritje ekspertësh, besojnë se gjuha mund të ndikojë mbi mënyrën se si mendojmë, ashtu si mendimet dhe kultura jonë mund të formësojnë mënyrën se si zhvillohet gjuha, thotë Tora Tenbrink, gjuhëtare në Universitetin Bangor në Britaninë e Madhe.

Është e vështirë të injorohen provat se gjuha ndikon mbi të menduarit, argumenton Daniel Kasasanto, psikolog njohës në Universitetin Kornell në SHBA. Për shembull, ne e dimë se njerëzit kujtojnë gjërat, të cilave u kushtojnë më shumë vëmendje. Dhe gjuhë të ndryshme na detyrojnë t’i kushtojmë vëmendje një sërë gjërash të ndryshme, qoftë gjinia, lëvizja apo ngjyra.

“Ky është një parim i njohjes, të cilin nuk mendoj se dikush do ta kundërshtonte”- shton ai.

Kasasanto i mëson njerëzit në laboratorin e tij që të përdorin metafora nga gjuhë të tjera (në gjuhën e tyre) dhe analizon se çfarë ndikimi ka kjo në të menduarit e tyre.

Mënyra e çuditshme se si gjuha ndikon në perceptimin tonë

Ne e dimë se njerëzit përdorin shpesh metafora për të menduar për koncepte abstrakte. Për shembull, një “çmim i madh”, “kohë e gjatë” ose një “mister i thellë”. Në këtë mënyrë, ju nuk po krahasoni njerëz nga kultura të ndryshme, gjë që mund të ndikojë tek rezultatet. Përkundrazi jeni duke u fokusuar tek mënyra se si të menduarit ndryshon tek të njëjtët njerëz nga e njëjta kulturë, ndërsa flisni në dy mënyra të ndryshme. Prandaj, çdo dallim kulturor hiqet nga ekuacioni. Shkencëtarja aftësive konjitive Lera Borodicki, një nga pionieret e kërkimit mbi atë se si gjuha manipulon mendimet tona, studion sesi anglishtfolësit e shohin zakonisht kohën si një vijë horizontale.

Ata priren ta shohin kohën si një udhëtim nga e majta në të djathtë, ngjashëm me mënyrën se si është shkruar gjuha angleze. Kjo lidhje me drejtimin e tekstit dhe kohës duket se vlen edhe në gjuhë të tjera. Për shembull folësit e gjuhës hebraike, që lexojnë dhe shkruajnë nga e djathta në të majtë, e përfytyrojnë kohën sikur ndjek të njëjtën rrugë si teksti i tyre.

Nëse do t’i kërkoni një folësi të hebraishtes të vendosë disa foto në një vijë kohore, ka shumë të ngjarë që ato të fillojnë nga e djathta me imazhet më të vjetra dhe më pas, ato më të reja t’i vendosë të fundit në krahun e majtë. Ndërkohë, folësit e gjuhës kineze e përfytyrojnë shpesh kohën si një vijë vertikale, ku pjesa lart përfaqëson të kaluarën dhe ajo poshtë të ardhmen.

Lidhja midis mënyrës se si ne e lexojmë gjuhën dhe e organizojmë kohën në mendimet tona, ndikon gjithashtu në njohjen tonë ndaj kohës. Folësit e gjuhëve të ndryshme e përpunojnë informacionin kohor  më shpejt, në rast se ai është i organizuar në një mënyrë që përputhet me gjuhën e tyre.

Për shembull, një eksperiment tregoi se anglezët që flasin vetëm gjuhën e tyre, ishin më të shpejtë në përcaktimin nëse një fotografi ishte nga e kaluara apo e ardhmja (e përfaqësuar nga imazhe të stilit fantastiko-shkencor), nëse butoni që duhej të shtypnin për të kaluarën ishte në të majtë, dhe ai për të ardhmen në të djathtë, sesa nëse do të pozicionoheshin anasjelltas.

Mënyra e çuditshme se si gjuha ndikon në perceptimin tonë

Sidoqoftë, nëse butonat vendoseshin sipër ose poshtë njëri-tjetrit, nuk kishte asnjë ndryshim.

Por gjërat nisin të bëhen vërtet të çuditshme, kur analizohej se çfarë ndodh në mendjet e njerëzve që flasin rrjedhshëm më shumë se sa një gjuhë.

“Tek njerëzit që zotërojnë 2 gjuhë, ai e ndryshon sjelljen e tij kur ndryshon konteksti gjuhësor”- thotë Panos Athanasopulos, gjuhëtar në Universitetin e Lanksasterit në Britaninë e Madhe.

Folësit e gjuhës kineze dhe angleze që jetojnë në Singapor, treguan një preferencë për hartimin e kohës mendore nga e majta në të djathtë, mbi hartën mendore nga e djathta në të majtë. Por çuditërisht, ky grup ishte gjithashtu më i shpejtë në reagimin ndaj fotografive të orientuara nga e ardhmja, nëse butoni i së ardhmes ndodhej poshtë butonit të mëparshëm, në përputhje me stilin e shkrimit të gjuhës kineze.

Kjo sugjeron se njerëzit që flasin 2 gjuhë, mund të kenë dy pikëpamje të ndryshme për drejtimin e kohës, veçanërisht nëse i mësojnë të dyja gjuhët që në moshë të hershme.

Gjithsesi, ne nuk jemi domosdoshmërisht të prirur të mendojmë në një mënyrë të caktuar.

Kasasanto ka treguar se njeriu mund të ndryshojë shpejt përfaqësimin e kohës mendore të njerëzve, duke i trajnuar ata të lexojnë një tekst të kthyer nga pasqyra, që shkon në drejtim të kundërt me atë që ata janë mësuar.

Po ashtu Kasasanto ka vënë re gjatë studimeve të tij, se njerëzit priren të përdorin metafora hapësinore për të folur mbi kohëzgjatjen e diçkaje. Për shembull, në anglisht, frëngjisht, gjermanisht ose në gjuhët skandinave, një takim mund të jetë “i gjatë” dhe një festë “e shkurtër”.

Mënyra e çuditshme se si gjuha ndikon në perceptimin tonë

Ai ka treguar se këto metafora janë më shumë se mënyra për të folur. Pra njerëzit e konceptojnë “gjatësinë” e kohës si të ishin vija në hapësirë. Në fillim ai besonte se kjo ishte universalisht e vërtetë për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga gjuhët që flasin.

Por kur prezantoi gjetjet e tij në një konferencë shkencore në Greqi, ai u ndërpre nga një studiues vendas, që këmbënguli se kjo nuk ishte e saktë për gjuhën e saj. Ai zbuloi se grekët priren ta shohin kohën si një entitet tredimensional, si një shishe, e cila mund të mbushet ose zbrazet. Prandaj, një takim nuk është “i gjatë”, por “i madh” ose “shumë”, ndërsa një pushim nuk është “i shkurtër”, por ”i vogël”.

Në teorinë e Relativitetit të Përgjithshëm të Ajnshtajnit, koha nuk duket se rrjedh fare në shkallën më madhështore të universit, gjë që është një ide e çuditshme edhe për fizikantët. Në vend të kësaj, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja duket se ekzistojnë të gjitha njëkohësisht, sikur të ishin pika që notojnë në një shishe.

Marrë me shkurtime

Shënim:Miriam Frankel dhe Matt Warren, janë gazetarë shkencorë dhe autorë të librit “A po mendoni qartë?”./ “BBC” - Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga