LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mosmarrëveshja Kosovë - Serbi: Po sikur BE-ja të përdorte një qasje më të ashpër?

19 Shtator 2023, 22:25, Blog Francesco De Palo

Mosmarrëveshja Kosovë - Serbi: Po sikur BE-ja të përdorte

Sa më shumë që të vonohet investimi në rrugëtimin evropian, aq më të vështirë do ta kenë të dyja vendet që të kenë një axhendë konstruktive. Alesandro Politi niset nga ky supozim për të analizuar deklaratën e fundit të numrit një të diplomacisë evropiane Josep Borrell mbi ngërçin e vazhdueshëm në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, pasi kompromisi i BE-së u pranua vetëm nga Serbia. Drejtori i Fondacionit të Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s, shpjegon në një intervistë për Formiche.net, se tensioni në Kosovën Veriore mbetet i lartë dhe kjo po saboton të gjithë projektin evropian në rajon.

Kush përfiton nga përplasja mes Kosovës dhe Serbisë?

Nuk mund të them me saktësi. Por ajo që më habit më shumë është ngërçi për çështje që në realitet mund të kenë një rrjedhë të natyrshme. Unë mund ta kuptoj se secila prej tyre ka ndjeshmëri dhe interesa të ndryshme. Por a mendojnë ende elitat drejtuese në të dyja vendet, se kanë shumë kohë për të luajtur bllofin deri në minutën e fundit? Më duket se si në Prishtinë po ashtu edhe në Beograd, nuk e kuptojnë se Lufta e Ukrainës ka krijuar një sërë perceptimesh në Bruksel dhe në kryeqytetet e ndryshme evropiane.

E keni fjalën për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian?

Me gjithë defektet që mund të ketë Borrell dhe e gjithë makineria institucionale e Brukselit, sot BE-ja ka marrë një drejtim të qartë, ndërsa të dyja palët rrezikojnë që të humbasin busullën. Nëse nuk ecet përpara në njërën nga dy shinat, treni nuk lëviz. Unë e kuptoj shumë mirë që për një sërë arsyesh, dikujt nuk i intereson perceptimi i keq që po i jepet botës. Herët a vonë do të mbahen zgjedhjet e reja, krahas problemeve konkrete se si duhet të mbështetet qëndrueshmëria e ekonomisë dhe shoqërisë kosovare. Për shembull liberalizimi i vizave nënkupton blerjen e kohës, por ndërkohë njerëzit po emigrojnë për të punuar. E gjitha kjo është edhe në interesin e Evropës.

Një përkeqësim i situatës që rëndohet edhe nga situata paralele në Bosnje?

Vendimi për formimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në kontekstin e një “rreziku kombëtar”, duhet të krahasohet me zhvillimet shumë më problematike në raport me 12 komunat boshnjake. Dikush mund të thotë: “E shihni se çfarë po ndodh?”.

Herët a vonë Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë se Bosnja nuk është një vend ku duhet pasur thjesht vetëpërmbajtje, pasi aty nuk ka mungesë të ndërhyrjes së Rusisë. Problemi qëndron tek dinamika e dy kryeqyteteve dhe e dy qeverive, dhe mbi të gjitha tek brishtësia e tyre. Ky ngërç është për të ardhur keq, sepse njohja de facto e pavarësisë së Kosovës nga Serbia mund të ishte një hap konkret, dhe mbi të gjitha një gjest i kulturës politike.

Cilat janë arsyet e këtij ngërçi?

Nëse një pakicë nuk përfshihet në projektin kombëtar, kjo do të thotë se i vetmi shtet i mundshëm është ai një-kombëtar. Në teori kjo është e mundur por në praktikë sjell gjithmonë një humbje të madhe për ata që qëndrojnë pas këtij projekti, pasi humbasin një hapje tjetër përkundrejt botës.

Janë të njëjtat dinamika që ndodhin për shembull në Belgjikë, ku një pakicë vendos të mos flasë më gjuhën tjetër kombëtare, e cila flitet globalisht. Ky gjest është i barabartë me izolimin nga bota. E njëjta gjë vlen edhe për gjuhët sllave. Askush nuk thotë se duhet harruar kultura e dikujt, por ajo duhet të përshtatet në panoramën e madhe.

Borrell tha: “S’mund të rrimë duarkryq dhe të presim krizën e ardhshme”, duke u ankuar për mungesën e angazhimit nga të dyja vendet për të normalizuar marrëdhëniet e tyre...

Ajo që thotë Borrell, përbën një ftesë që palët të mos luajnë poker. Është e qartë se Evropa nuk është e pafuqishme, pavarësisht se ka ndarjet e saj jo rrallë edhe momentet e çoroditjes. A mos duhet të përdorim një qasjes të ashpër, që ta kuptojmë se duhet të gjejmë një zgjidhje? Ky skenar mua më duket si një disfatë. Sigurisht jo për ata që e përdorin, por për ata që e vuajnë. Por më duket se kjo është loja.

A e vendos kjo situatë Kosovën dhe Serbinë në një pozitë të ndryshme në krahasim me të tjerat në anën e Evropës Lindore, të cilat karakterizohen nga politika më të pjekura si Polonia, Rumania dhe Shqipëria? A ka rrezik që Kosova dhe Serbia të humbasin jo vetëm trenin e sotëm, por edhe vendet e tyre në aleancën dhe ekuilibrat e së nesërmes?

Elita qeverisëse në Poloni nuk thotë se po paguan një çmim shumë të lartë për këtë luftë. Por do të jetë e vështirë edhe për të. Tek e fundit Varshava po mbështetet shumë tek tundimi i vjetër për të pasur një udhëheqje ushtarake, por kjo nuk mjafton. Rumania bën atë që mundet, ashtu si Greqia, e cila megjithatë po lëviz me synimin për të rivalizuar Turqinë.

Edhe në fronte të tjera, Greqia ka shumë më tepër ekuilibër se në të kaluarën, dhe po çlirohet nga “demonët” e saj të vjetër politikë dhe konfliktet e brendshme. Athina është më aktive se vendet e tjera. Por është po aq e qartë se sa më gjatë që vendet të vonojnë në investimin në Evropë, aq më të vështirë do ta kenë të diktojnë axhendë e tyre.

Për cilën arsye?

Sepse është një gjë të plotësosh kriteret dhe të pranohesh më në fund në union, dhe tjetër gjë të qëndrosh në një distancë të barabartë, por të mos jesh në gjendje të qëndrosh në “Serinë A” evropiane./ “Formiche” - Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga