LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Porta e hyrjes së drogës në Europë/ Belgjika dorëzohet përballë trafikantëve

20 Janar 2023, 10:13, Blog CNA

Porta e hyrjes së drogës në Europë/ Belgjika dorëzohet

“Antverpi, kryeqyteti i krimit si Medelin i Pablo Eskobarit apo Çikago e Al Kapones”.

“Një qytet ku nuk sundon ligji, një luftë e pafundme mbi drogën”. Këta janë titujt që dominojnë këto ditë në median belge pas vrasjes së një 11-vjeçareje gjatë një përleshjeje me armë në Merksem, një nga zonat më problematike të qytetit-port.

Viktima u plagos për vdekje gjatë sulmit ndaj shtëpisë së saj nga një bandë rivale e klanit të cilit ajo fatkeqësisht i përkiste. Një larje e vërtetë e hesapeve midis bandave: dy nga xhaxhallarët e vajzës konsiderohen si eksponentët kryesorë të Mafias Mokro, një organizatë kriminale marokene e specializuar në trafikun e drogës, me pozita të forta midis Belgjikës dhe Holandës.

Një krim tjetër që e bindi kryebashkiakun Bart De Vever - kreu i partisë së krahut të djathtë N-VA (Aleanca e Re Flamane) aleate në Europë me grupin konservator-reformist të Xhorxhia Melonit - t’i kërkonte qeverisë qendrore në Bruksel dërgimin e menjëhershëm të ushtrisë për të ruajtur portin.

Kontrolli i kompleksit të tretë më të madh detar të Europës është synimi i vërtetë i organizatave të trafikut të drogës, të të gjitha ngjyrave dhe kombësive. Sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut, sidomos nga Kolumbia dhe Panamaja, kalojnë çdo vit nëpër portat e hapura të portit gjigant.

Bëhet fjalë për një trafik shumë fitimprurës: në vitin 2022 doganierët belgë kapën 110 ton kokainë (23 për qind më shumë se një vit më parë) me një vlerë prej rreth 5 miliardë eurosh. Në fakt kjo sasi është vetëm një pikë në oqean. Sipas burimeve policore, droga e sekuestruar përbën vetëm 10 për qind të totalit të sekuestruar.

Prandaj, llogaritë bëhen shumë shpejt. Tani Antverpi është bërë porta hyrëse e drogës për në Bashkimin Europian, dhe cilido që kontrollon portin e tij kontrollon edhe tregun kontinental të narko-trafikut. Prandaj ka ndodhur edhe përshkallëzimi i dhunës që po përjeton qyteti prej të paktën një dekade.

Krahas kërkesës për zbarkimin e ushtrisë, kryebashkiaku i alarmuar nga situata e rënduar ka kërkuar thirrjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, organit federal përgjegjës për emergjencat dhe i përbërë nga ministrat kryesorë të kabinetit qeveritar dhe nga krerët e forcave të armatosura, policisë dhe xhandarmërisë dhe shërbimet sekrete.

Një propozim, që duke marrë shkas nga situata, është absolutisht i arsyeshëm dhe i nevojshëm. Por qeveria e udhëhequr nga liberali Aleksaandër de Kru preferon që ta anashkalojë përballimin me këtë çështje shumë delikate.

Deri tani nuk është caktuar asnjë mbledhje e Këshillit dhe asnjë njësi e ushtrisë nuk do të dërgohet në Antverp. “Ushtria nuk është e përgatitur për këto detyra”- deklaro i Ministri socialist i Mbrojtjes Ludivin Dedonder. Në këto kushte, maksimumi që mund të bëhet është përforcimi i masave të sigurisë në port, që aktualisht janë shumë të buta, duke vendosur drone, skanerë dhe robotë përgjatë kalatave dhe hyrjeve.

Por nuk parashikohen përforcime në personelin e sigurisë. Një qëndrim ky disfatist dhe skandaloz, por në përputhje me modestinë tradicionale - siç është parë tashmë që në kohën e sulmeve terroriste islamike në Bruksel - të politikës belge në lidhje me çështjet e sigurisë dhe rendit publik. Megjithatë emergjenca është shumë reale.

Dhjetorin e vitit të kaluar, rrëmbimi nga një bandë e Ministrit të Drejtësisë Vincent Van Kuikenborn, u parandalua në momentin e fundit. Ndërsa ditët e fundit dhe për të njëjtat arsye, ish-kolegu i tij holandez Ferdinad Graperhaus ruhet nën masa të forta sigurie. Megjithatë, me përjashtim të deklaratave të forta, asgjë nuk duket se po lëviz.

Ndërsa kriminelët po bëhen gjithnjë e më të guximshëm dhe më të rrezikshëm, shteti preferon të mos shohë dhe të mos veprojë. Nga përtacia, frika, nga një garanci kontradiktore dhe e pashëndetshme që i ka dobësuar ndjeshëm burimet financiare të policisë dhe shërbimeve sekrete.

Mungon vullneti dhe guximi. Gjyqtari Mishel Klasie, që sot drejton hetimin e “Qatargate”, dhe që ndër vite ka luftuar i vetëm ndaj krimit të organizuar, nuk ka më dyshime.

Në një intervistë dhënë për gazetën “La Dernier Heure”, ai u shpreh se është i bindur se “trafikantët e narkotikëve kanë fituar një ndjenjë të pandëshkueshmërisë totale, pasi nuk ka asnjë reagim të përshtatshëm as nga autoritetet politike, as nga policia dhe gjyqësori”. Mafiet i falënderojnë për këtë neglizhencë, dhe ndërkohë lulëzojnë dhe vrasin.

Përkthyer nga CNA.al

08:21 Blog

Gratë dhe paratë

Gratë e kanë të vështirë të bëjnë karrierë, gratë pagu...

Lajmet e fundit nga