LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse herë pas here zbulohen “varre vampirësh” në Poloni?

7 Shtator 2023, 08:31, Blog CNA

Pse herë pas here zbulohen “varre vampirësh” në

Në fund të muajit korrikut, gjatë gërmimeve arkeologjike pranë Bidgozit në Poloninë Veriore, u gjetën eshtrat e një fëmije që jetoi rreth 400 vjet më parë dhe që kishte karakteristika të veçanta: trupi i tij ishte varrosur barkas dhe në kyçin e dorës së
majtë ishte vendosur një lloj dryni i madh.

Ky zbulim është shumë unik për moshën e re të të ndjerit, por nuk është i pazakontë në vetvete. Pozicioni i veçantë i varrimit dhe prania e drynave apo e objekteve të tjera të pazakonta janë ndër elementët tipikë të asaj që ndonjëherë dëgjojmë të quhen “varre vampirësh”.

Mendohej se këto objekte ishin të përshtatshme për t’i penguar qeniet e supozuara të mbinatyrshme apo shpirtrat e këqij që të zotëronin njerëzit e vdekur dhe t’i kthenin në jetë, siç besohej në atë kohë se mund të ndodhte. Trupi i djalit të vogël u gjet në një varrezë të zbuluar 18 vjet më parë nën një fushë të mbjellë me luledielli në fshatin Pien, ku vitet e fundit janë gjetur rreth 100 varre të lashta.

Studiuesi idepartamentit të historisë mesjetare në Universitetin Nikolla Kopernikut në qytetin Torun që drejton gërmimet, Dariush Polinski, shpjegoi se ishte një varrezë për njerëzit e varfër, ose për ata që ai i quajti si “shpirtrat e braktisur të përjashtuar nga shoqëria”. Duke folur për “The New York Times”, Polinski tha se ky është i vetmi rast i njohur i varrimit të këtij lloji që përfshin një fëmijë në Evropë. Megjithatë, ekzistojnë disa shembuj të eshtrave të të rriturve të varrosur me masa parandaluese të ngjashme.

Në gushtin e vitit 2022, në të njëjtën varrezë u zbuluan eshtrat e një gruaje të re, e cila ishte varrosur gjithashtu me një dry në gishtin e madh të këmbës dhe një drapër të vendosur midis gjoksit dhe kokës. Shkaqet e vdekjes së saj nuk janë të qarta, por drapri duhej t’i priste fytin nëse ringjallej dhe përpiqej të ngrihej nga varri. Ndërkohë në Luzino, afër qytetit të Gdanskut, në pjesën më veriore të vendit, u zbulua në qershor një varr masiv me eshtrat e 450 njerëzve që jetuan në shekullin XIX dhe u varrosën në mënyra të ngjashme. Ndër të tjera, rreth 1/5 e eshtrave kishin tulla pranë kokës, krahëve
dhe këmbëve, ndërsa disave i ishin prerë kokat, të cilat ishin vendosur midis këmbëve të tyre.

Maciej Stromski, arkeologu përgjegjës për gërmimet, shpjegon se në atë kohë mendohej se nëse një anëtar i familjes së një personi të vdekur vdiste menjëherë pas funeralit të të afërmit, ai mund të ishte një vampir. Për këtë arsye, pas varrimit trupi zhvarrosej dhe i pritej koka, për t’u vendosur në mes të këmbëve.

Varrime të ngjashme janë vërejtur edhe në zona të tjera të Polonisë, si dhe në Sllovaki, Hungari, Austri dhe Rumani. Të gjitha vende të Evropës Lindore. Çelësa dhe dryna, si dhe pozicioni i shtrirë përmbys, që supozohej të bllokonte të vdekurit e ringjallur, janë karakteristika të një varrimi apotropaik, pra që synon të shmangë të keqen. Ndërsa etiketoheshin shpesh si “varrezat e vampirëve” ose varrosjet “anti-vampir”, ato përdoreshin kryesisht për njerëzit që për një arsye ose një tjetër konsideroheshin të çuditshëm, të ndryshëm ose fatkeq. Vampirët të perceptuar si krijesa fantastike dhe të pavdekshme, që ushqehen me gjakun e qenieve njerëzore janë figura të njohura edhe botërisht.

Vampiri tipik që është përshkruar në letërsi dhe kinema - me një pamje të frikshme - i detyrohet kryesisht romanit “Drakula” të shkrimtarit irlandez Bram Stoker. Në të vërtetë ai është shumë i ndryshëm nga demonët e folklorit sllav nga i cili rrjedh edhe si mit. Në imagjinatën kolektive, vampirët janë një lloj specifik krijesash të ringjallura që ushqehen me gjakun e njerëzve, duke i infektuar ata. Nga ana tjetër në folklorin polak, krijesa shumë të ngjashme të quajtura upiór (upir) dhe strziga, kanë ekzistuar që në Mesjetë.

Këto shpirtra mund të pushtonin trupin e njerëzve të vdekur për të torturuar më pas qeniet e gjalla ose kafshët, ndonjëherë duke u pirë gjakun e tyre, dhe ndonjëherë duke ua gllabëruar mishin dhe kockat. Në përgjithësi, folklori i Evropës Lindore i imagjinonte ata si qenie që ringjallnin trupat e njerëzve të vdekur dhe që përhapnin sëmundje, vdekje dhe shkatërrime.

Sikurse e shpjegon Stejsi Ebot, autore e një libri mbi historinë e legjendave mbi vampirët dhe zombit në shekullin XXI, në realitet këto terma tregonin njerëz që për ndonjë arsye konsideroheshin “të ndryshëm”, apo që nuk i përmbaheshin normave të shoqërisë së kohës.

Betan Brigs-Miller, një ekspert i folklorit dhe historian i dukurive paranormale, tha kohët e fundit për “Washington Post” se për këto arsye nuk mund të varroseshin në varreza të zakonshme, dhe as në një tokë të shenjtëruar, nga frika se mos riktheheshin në jetë, të ringjallur nga shpirtrat e këqij.

Për të parandaluar këtë gjë, mbi kufomat e tyre vendoseshin gozhdë ose dryna. Në disa raste njerëzit u shponin trupin me shkopinj druri dhe ua copëtonin këmbët dhe krahët, ose pasi i zhvarrosnin, ua prisnin kokën ose i digjnin. Ebot sjell si shembull rastin e gruas së varrosur me një drapër rreth fytit, që sipas tij mund të ishte e izoluar nga grupi i saj shoqëror për shkak të një deformimi fizik, për çfarëdolloj zakoni që konsiderohej si “imoral”, apo thjesht një nga paragjykimet e shumta që lidheshin me gjininë e saj.

Me këtë gjë duket se bie dakord edhe Polinski, sipas të cilit këta njerëz ndoshta u përjashtuan nga shoqëria sepse nuk ishin pagëzuar, se kishin vdekur duke u vetëvrarë apo kishin shfaqur sjellje të konsideruara të çuditshme. Ndër të tjera, besohej se shpirtrat e këqij mund të pushtonin shpirtrat e atyre që vdiqën herët nga epidemitë. Nuk duket një rastësi që shumica e varrimeve të këtij lloji në Poloni datojnë në shekullin XVII, periudhë të cilën Polinski e ka përcaktuar si “një shekull luftërash, krizash dhe klime jashtëzakonisht të ashpër, si për shembull një lloj epoke akullnajore”.

Nga ana tjetër, funksioni që kishin këta shpirtra të lashtë, ishte i njëjtë me atë të entiteteve të tjera të pranishme në kulturat në mbarë botën: ata fajësoheshin për fatkeqësi apo sëmundje në një kohë kur viruset dhe bakteret nuk njiheshin ende dhe kur nuk kishte një shpjegim shkencor apo të kuptueshëm për shumë nga gjërat që po ndodhnin./ Përshtatur në shqip nga CNA

 

 

Lajmet e fundit nga