LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shqipëria midis eksodit të pandalshëm, rënies demografike dhe shpresës nga bumi turistik i viteve të fundit

6 Shtator 2023, 08:33, Blog CNA

Shqipëria midis eksodit të pandalshëm, rënies demografike

Është ora 1 e drekës e një të shtune vere, dhe vetëm lehja e një qeni e prish heshtjen në rrugën e këtij qyteti të vogël shqiptar. Dielli që ndriçon sheshin “Minatori” nuk ndryshon asgjë: në këtë ish-qytet minerar në Shqipërinë e Jugut nuk ka mbetur thuajse këmbë njeriu.

Në shkallët që të çojnë për në “Pallatin e Kulturës”, nuk ka asnjeri. As në dyqanin ku pretendohet se shiten këpucë të vjetra italiane, apo në ndërtesat me tulla të kuqe që rrezikojnë të shemben.

“Këtu s’ka më asgjë. Jemi pa punë, pa para, pa bukë. Të gjithë u larguan pas rrëzimit të diktaturës”-thotë Arian Stefani, një burrë 60-vjeçar që flet një greqishte të çalë i ulur në kafenenë “Qazimi”, një nga bizneset e pakta ende të hapura.

Kjo panoramë ishte e vështirë të imagjinohej deri jo shumë kohë më parë. Ky qytet sot i braktisur, ishte një nga qendrat e mëdha të klasës punëtore të Shqipërisë komuniste. I ndërtuar nga e para në vitin 1946 për të shfrytëzuar minierën e qymyrit aty pranë, qyteti numëronte deri në 12.000 banorë në kulmin e lulëzimit të tij. Tani kanë mbetur pak shumë se 1.000 banorë.

Por Memaliaj nuk është i vetmi: Kukësi, Zogaj, Përmeti, Narta. Në Shqipëri ka dhjetëra qytete e fshatra të tillë të braktisur. Nga Veriu në Jug, shteti i vogël ballkanik përshkohet nga qytete gjysmëfantazmë, me pak ose aspak banorë. Kjo është shenja e një dukurie demografike unike.

Shqipëria midis eksodit të pandalshëm, rënies demografike

Që nga shembja e regjimit komunist 30 vjet më parë, vendi është zbrazur ngadalë përmes valëve të pandërprera të emigrimit.

“Migrimi është kthyer në një mentalitet në Shqipëri, edhe për ata që fitojnë shumë. Arsyeja kryesore është se njerëzit kanë humbur shpresën. Pas 30 vitesh tranzicioni, ata prisnin shumë më tepër, dhe nuk duan të humbin më kohën e tyre”- thotë Ledion Krisafi, studiues për Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.

Shqipëria është një rast i veçantë për ekspertët e migracionit. Gjatë viteve 1946-1991, popullsia u mbajt rob nga njëri prej regjimeve më të përgjakshme dhe represive në botë. Shqiptarët ranë viktima të paranojës së kreut të Partisë Komuniste Enver Hoxha. Ata nuk u lejuan të kishin makina, dhe duhej të siguronin leje të veçantë nga administrata për t’u larguar nga zona e banimit.

Pastaj erdhi rihapja e kufijve, një tranzicion anarkik, kolapsi ekonomik i vitit 1997, rebelimet, lufta në Kosovë dhe fillimi i një eksodi.

“Ne u larguam një natë të vitit 1999. Nëna më mbante kokën afër gjunjëve që të mos goditesha nga ndonjë plumb qorr nga xhamat e autobusit”- kujton një grua që jeton prej shumë vitesh në Francë, dhe që nuk dëshiron të japë emrin e saj nga frika edhe më shumë se 20 vjet më vonë.

Kompleks dhe në zhvillim të vazhdueshëm, emigracioni shqiptar ka ndryshuar ndjeshëm që nga viti 1991. Destinacionet e preferuara nuk janë më fqinjët e Greqisë dhe Italisë, por Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe SHBA. Nisjet nuk janë më të paligjshme, por zakonisht me viza të përkohshme.

Emigrantët nuk janë më thjesht të rinj të varfër, por shqiptarë nga të gjitha shtresat. Por ka një konstante: çdo vit, rreth 50.000 njerëz, shumica e tyre midis 18 dhe 40 vjeç, largohen në kërkim të një jete më të mirë. Ndaj tani 1.68 milionë emigrantë jetojnë jashtë vendit, ose më shumë se 1 në 3 shqiptarë.

Më 1 janar 2023, popullsia zyrtare e vendit ishte 2.76 milionë banorë sipas INSTAT, instituti shqiptar i statistikave. Kjo shifër, bazuar në një regjistrim të vitit 2011, konsiderohet përgjithësisht optimiste. Edhe pse është 13 për qind më pak se regjistrimi i fundit i kryer nën diktaturën komuniste, në vitin 1989, rritja natyrore e popullsisë (raporti i lindjeve ndaj vdekjeve) ka qenë pozitiv në 30 vitet e fundit.

Shqipëria midis eksodit të pandalshëm, rënies demografike

Por nëse shton këtu normën më të ulët të lindjeve në historinë e vendit (1.32 fëmijë për grua) dhe faktin që është kthimi i njerëzve është diçka e rrallë, atëherë Shqipëria përballet me një “koktej demografik toksik të bërë nga emigracioni masiv, rikthimet e pakta, potenciali i lartë për emigrimin e ardhshëm dhe rënie të lindshmërisë”- shkruajnë studiuesit Ilir Gedeshi dhe Russel King në një studim të vitit 2018.

Dhe vendi po paguan një çmim të lartë për këtë eksod, sidomos në drejtim të zhvillimit ekonomik. “Një nga zhvilluesit e uebit që kisha në punë, iku të punojë për degën e 'Facebook' në Irlandë, një tjetër për Worldplay. M’u deshën disa muaj që t’i zëvendësoja. Ne u ofrojmë paga 10 herë më të larta se ajo minimale. Por nuk mund t’i mbajmë me zor”-thotë thotë Bora Ferri, e cila ka themeluar një kompani të vogël të pagesash, Mpay, 10 vjet më parë dhe është gjithashtu drejtuese e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri.

Në sektorin e shëndetësisë, numri i largimeve të punonjësve është aq i madh, saqë qeveria ka miratuar një ligj të diskutueshëm: nëse mjekët e sapodiplomuar nuk i kalojnë 3 vitet e para në Shqipëri, duhet të paguajnë koston e plotë të shkollimit. Por mungesat e fuqisë punëtore nuk janë të kufizuara vetëm te profesionet e kualifikuara.

Ato janë të dukshme në turizëm, bujqësi dhe mbi të gjitha në masoneri. Dhe parashikohet që deri në vitin 2030, mund të përhapet në të gjithë sektorët. Megjithatë ka një paradoks. Pavarësisht largimeve masive dhe plakjes së përshpejtuar të popullsisë së saj, shoqëria shqiptare mbetet ende mjaft e re krahasuar me pjesën tjetër të Evropës, mesatarisht 38 vjeç. Megjithatë, te moshat 15-29 vjeç, shkalla e papunësisë është mbi 22 për qind, shumica të papunë afatgjatë.

Shqipëria midis eksodit të pandalshëm, rënies demografike

Oferta nuk i përshtatet kërkesës. Për shumë nga ata me të cilët biseduam, ky është rezultat i një reforme të vitit 2005 për shkollimin privat. Krahas universiteteve publike falas dhe me cilësi të lartë, tani ka shumë “biznese” që ofrojnë kurse të shtrenjta por pa perspektivë.

“Në Shqipëri të gjithë të rinjtë e kanë një diplomë universiteti. Është krenari për familjet. Por të gjithë duan një punë të kualifikuar, ndërsa nuk ka shkolla profesionale për industritë e kërkuara. Nëse shton këtu kostot e tepruara të kujdesit shëndetësor, shërbimet e dobëta publike dhe korrupsionin, atëherë këta të papunë bëhen kandidatë natyralë për të emigruar”- thotë Eno Ngjela, kreu i departamentit ekonomik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

Ashtu si ai, të gjithë ekspertët bëjnë përgjegjës për eksodin pagat e ulëta të ofruara, shpesh nën pagën minimale prej 40.000 lekësh (381 euro). Edhe 30 vite pasi i ka kthyer shpinën komunizmit, Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë.

Sipas Bankës Botërore, PBB-ja për frymë është vetëm 6.800 dollarë, krahasuar me mesataren 37.000 dollarë të Bashkimit Evropian. Bora Muzhaqi e di mirë këtë fakt dhe shumë gracka të tjera. Në zyrën e saj në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në zemër të Tiranës, ku ka zyrat edhe kryeministri Edi Rama, Ministrja për Rininë rendit masat e nisura që nga krijimi i portofolit të saj në 2021: programe të përshpejtuara trajnimi për IT për shumë programe afatgjata për personat e papunë, qendrat ditore falas, dhe partneritetet mes universiteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare.

Shqipëria midis eksodit të pandalshëm, rënies demografike

Ajo pretendon se po shtohen shembujt e atyre që po kthehen, dhe që nga viti 2011 ky numër është 96.755. Por sipas INSTAT, në të njëjtën periudhë janë larguar rreth 700 mijë njerëz. Megjithatë, ka shenja ndryshimi. Gjirokastra u përmbyt nga turistët në fillim të korrikut me rastin e festivalit folklorik.

Edhe ky qytet historik ka vuajtur pasojat e eksodit, duke humbur 55 për qind të popullsisë në krahasim me vitet e fundit të komunizmit. Por vitet e fundit, qyteti është rigjallëruar. Nga 10.000 turistë në vitin 2015, ai mirëpret tani mbi 200.000 çdo vit. Në vitin 2019, qeveria investoi disa miliona euro për të rinovuar plotësisht lagjen historike të Pazarit të Vjetër, duke riparuar fasadat dhe garantuar ujë të rrjedhshëm në të gjitha ndërtesat./ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga