LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Xhon Zegrus, historia misterioze e njeriut që pretendoi se vinte nga një univers paralel

5 Shtator 2023, 09:22, Blog CNA
Xhon Zegrus, historia misterioze e njeriut që pretendoi se vinte nga
Xhon Zegrus

Në një ditë të nxehtë vere në korrikun e vitit 1954, një burrë mbërriti në aeroportin Haneda në Tokio. Ishte i bardhë, me mjekër, dhe i veshur me një kostum. Besohet se mund të ketë folur frëngjisht. Por dinte pak edhe gjuhën japoneze. Në thelb asgjë e pazakontë, derisa në momentin që dorëzoi në sportel pasaportën e tij. Pasaporta në dukje ishte e ligjshme, por përmbante një fakt të çuditshëm. Ishte lëshuar nga një vend që quhej Taured. Për aq sa ishin në dijeni oficerët e migracionit në aeroportin Haneda, Taured nuk ishte një vend që ekzistonte askund në Tokë. Kur e akuzuan burrin për mashtrim, ai u zhgënjye.

Vazhdoi të këmbëngulte se Taured ekzistonte prej gati 1000 vjetësh. Duke besuar se ky njeri i çuditshëm mund të ishte një kriminel, autoritetet e dërguan në një hotel aty pranë për të kaluar natën, derisa të kryhej një hetim më i plotë mbi rastin. Dy roje u vendosën jashtë dhomës së burrit të çuditshëm që ai të mos arratisej. Por kur erdhi mëngjesi i ditës tjetër dhe oficerët e policisë hynë në dhomë për të marrë në pyetje me burrin, ata u tronditën kur zbuluan se ai ishte zhdukur pa asnjë gjurmë. Për disa, historia e Njeriut të Tauredit, siç u bë e njohur për median dhe publikun, shërben si dëshmi se ka vërtet universe paralele me tonën, dhe ai njeri mund të ketë rrëshqitur aksidentalisht në dimensionin tonë, ku nuk ka ekzistuar ndonjëherë një vend me emrin Taured.

Të tjerët mendojnë se e gjithë historia nuk është gjë tjetër veçse trillim. Megjithatë, e vërteta qëndron diku në mes. Andorra mendohet se është vendndodhja e mundshme e dimensionit alternativ të Taured. Kur iu paraqit një hartë dhe iu kërkua të tregonte vendin, thuhet se burri kishte treguar me gisht nga Andorra, midis Spanjës dhe Francës, pasi shumë shpejt u zemërua dhe u hutua.

Pse vendi i tij i origjinës Taured nuk gjendej në atë hartë? Po ashtu thuhet se ai kishte me vete monedha nga disa vende evropiane dhe vula nga aeroporte të shumta anembanë globit. Madje kishte vizituar disa herë Tokion. Megjithatë, kompania për të cilën ai pretendonte se punonte nuk kishte dëgjuar kurrë për të. As hoteli ku dyshohet se kishte një rezervim apo zyrtarët e kompanisë në Tokio me të cilët supozohej të takohej. Pavarësisht kësaj, burri supozohet se kishte dokumente të ndryshme që e mbështesnin historinë e tij. Pastaj ishte zhdukja e tij enigmatike nga dhoma e hotelit. Dhoma ishte disa kate lart, dhe nuk kishte ballkon.

Sipas policisë ishte e pamundur që burri të ishte arratisur nga dritaret. As rojet nuk e panë kurrë burrin teksa largohej. Këto rrethana kanë çuar shumë në përfundimin se ai kishte kaluar aksidentalisht në dimensionin tonë nga një dimension paralel. Në këtë univers paralel, thonë ata, Taured ekzistonte vërtetë, dhe burri po thoshte të vërtetën.

Zhdukja e tij i atribuohet shpesh rikthimit në universin e tij. Ka pastaj pretendime se ai incident real ka frymëzuar historinë e burrit nga Taured. Sipas tyre “Njeriu i Taured” është vetëm një mashtrues. Ka shumë të dhëna që sugjerojnë se identiteti i vërtetë i burrit nga Taured ishte Xhon Zegrus, i cili u arrestua në Tokio në vitin 1960 në përpjekje për të thyer çeqe të rreme pasi përdori një pasaportë të falsfikuar për të hyrë në vend.

Xhon Zegrus, historia misterioze e njeriut që pretendoi se vinte nga
Shërbimi doganor në aeroportin Haneda në vitet 1950

Më 29 korrik 1960, një debat në Dhomën e Komunëve në Britaninë e Madhe i referohet rastit të Xhon Zegrus, që thuhej se e përshkroi “veten si një agjent për llogari të kolonelit Naser dhe si një etiopian i natyralizuar”. Sipas dëshmive, ai kishte udhëtuar në të gjithë botën me një pasaportë vërtet mbresëlënëse. Ajo është shkruar në një gjuhë të panjohur dhe ka mbetur e paidentifikuar, edhe pse është studiuar për një kohë të gjatë nga ekspertët.

Parlamentari britank tha se pasaporta e Zegrus ishte lëshuar në qytetin Tamanroset, kryeqyteti i shtetit Taured, për të cilin burri pretendonte se ishte një shtet i pavarur me rreth 2 milionë banorë në jug të Saharasë.

Debati synonte të tregonte se sa lehtë mund të falsifikoheshin pasaportat. Edhe gazeta kanadeze “The Province” në Vankuver raportoi mbi çështjen Zegrus në atë kohë, duke shkruar: "Zoti Zegrus dëshironte të udhëtonte nëpër botë. Për t’iu bërë përshtypje zyrtarëve, ai shpiku një komb, një kryeqytet, një popull dhe një gjuhë. Të gjitha këto i ka regjistruar në një pasaportë të cilën e ka krijuar vetë”.

Sipas raportit, Zegrus ishte në gjendje të udhëtonte në mbarë botën me sukses, duke përdorur këtë pasaportë të rreme, veçanërisht nëpër rajone të Lindjes së Mesme. Kur njerëzit dyshonin te mjeti i tij i identifikimit, ai i ftonte ata të lexonin një proklamatë të vogël të vulosur poshtë simbolit kombëtar të Taured, ku shkruhej: "Rch ubwaii ochtra negussi habessi trwap trapa”.

Kjo fjali nuk do të thotë asgjë në asnjë gjuhë të botës vetëm kur Zegrus u përpoq të vizitonte Tokion, pasaporta e tij u shqyrtua më në fund në imtësi dhe historia e tij u demaskua. Zyrtarët japonezë studiuan hartat, panë se nuk kishte një shtet me emrin Taured dhe filluan të ndërmarrin hapat për të ndjekur penalisht Zegrusin.

Disa artikuj të gazetave japoneze nga vera e vitit 1960 deri në dimrin e vitit 1961, ofrojnë edhe më shumë të dhëna për të vërtetën që fshihet pas kësaj legjende. Sipas raportimeve të tyre, Zegrus tentoi vetëvrasjen menjëherë pasi u dënua me një vit burgim nga Gjykata e Qarkut të Tokios me akuzën e hyrjes të paligjshme në Japoni dhe për mashtrim. Zegrus kishte hyrë në Japoni duke përdorur pasaportën e tij të rreme në tetor 1959 me gruan e tij koreane. Ai arkëtoi çeqe të falsifikuara me vlerë rreth 200.000 jen (1.406 dollarë) në banka të ndryshme të Tokios, dhe pretendoi se vinte me mision nga CIA dhe FBI, që punonin në Japoni me porosi të një “organizate arabe”.

Xhon Zegrus, historia misterioze e njeriut që pretendoi se vinte nga

Gazetat vunë gjithashtu në dukje se pasaporta e Zegrus-it “ishte në madhësinë e një reviste javore dhe dallohej që në pamje të parë që ishte e rreme”. Por aspekti më befasues i historisë së Zegrus-it, është se ai nuk kaloi asnjë ditë në burg. Kur u shpall vendimi, numri i ditëve që kishte kaluar tashmë në paraburgim e tejkaloi dënimin e tij, ndaj ai u lirua.

Zegrus tha se do të largohej nga Japonia për të filluar një “jetë të re në një vend të ri”. Askush nuk mësoi se nga vinte apo kush ishte në të vërtetë. Pasi u largua nga Japonia, emri i tij nuk u rishfaq kurrë në ndonjë ngjarje domethënëse./ Përshtatur në shqip nga CNA

 

 

Lajmet e fundit nga