LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Lajthitje” me oraret e linjës së Zoologjikut/ Udhëtarët nuk pranojnë të paguajnë vonesat

18 Korrik 2023, 21:04, Denoncim CNA

“Lajthitje” me oraret e linjës së Zoologjikut/

Përveçse ofrojnë kushte mizerabile udhëtimi për shkak të gjendjes skandoloze teknike të autobusave, në të cilët mungojnë impiantet e ajrit të kondicionuar, veçanërisht këto ditët e fundit dispeçeria e autobuzave të linjës urbane “Stacioni i Trenit - Parku Zoologjik”, ka “lajthitur” me orarin e mbërritjes së tyre nëpër stacionet respektive.

Të martën distanca e pritjes së udhëtarëve arriti në kuotën e paimagjinueshme 50-60 minuta e më shumë, duke provokuar protestë të këtyre të fundit. Të indinjuar nga vonesat punëprishëse, të hardallosur nga vapa e padurueshme dhe rrëketë e djersës, udhëtarët ia derdhnin inatin fatorinove dhe shoferëve, të cilët u jepnin të drejtë por dhe i sqaronin se nuk ishin ata fajtorë.

Ndërkohë, revolta arriti kulmin kur thirrjes së një gruaje për të mos paguar çmimin e biletës iu bashkuan edhe të tjerë, të cilët i rekomanduan fatorinos ti telefonte shefave dhe t’ia përcillte vendimin e tyre. Në fakt, pakënaqësia ndaj shërbimit urban të kësaj linje ka qenë permanente prej kohësh. Ajo ka qenë prezente dhe e provokuar sistematikisht, nga fakti se së bashku me autobusët e disa linjave të tjera urbane që mbulojnë periferitë e kryeqytetit, edhe kjo “Stacioni i Trenit - Parku Zoologjik”, mbulohet nga autobuza që për shkak të gjendjes së amortizuar dhe vjetërsisë, të ofrojnë, përveç të tjerave, acar në dimër dhe përvëlim në verë.

Që janë flotilje “karrocas lëvizëse”, që transportojnë kafshë dhe jo autobuza linjash urbanë për njerëz, sipas standartit që përcakton neni 9, kreu II i ligjit nr. 8308, datë 18.3.1998 “transporti i udhëtarëve”  (f.z. nr.8, viti 1998), dhe udhëzimi nr. 1649, datë 16/08/1999 “Mbi plotësimin e disa kushteve të veçanta në transportin rrugor të udhëtarëve”, e tregon jo vetëm mungesa e kondicionerëve, por dhe e shumë kushteve të tjera teknike. Mangësi këto që përbëjnë argument të mjaftueshme për evidentimin e shkeljes flagrante të ligjit dhe marrjen e masave të rrepta administrative deri dhe bllokimin e pajisjes me liçensë nga ana e Bashkisë së kryeqytetit.

Gjë që deri më tani nuk ka ndodhur. Megjithë këto mangësi, megjithë shkeljen flagrante të kushteve të përcaktuara nga ligji për pajisjen me licensë autobuzat urbanë të linjës “Stacioni i trenit - Parku zoologjik”, sikurse dhe homologët e linjave të tjera: “Jordan Misja - Qyteti studenti”, linja e “Institutit”, ajo “Laprakë- Qendër”, linja e “Kasharit “, “ Uzina Dinamo e Re–Sharrë”, “Selitë-Kristal-Qendër-Stacioni i Trenit-Allias” etj., vijojnë të ushtrojnë normalisht aktivitetin. Të patrazuar nga duzinat e inspektoriateve përgjegjëse mbikqyrëse, që, megjithë ankesat e vazhdueshme të qytetarëve, rrin e vështrojnë se si qytetarëve udhëtarë u plas buza nga hapërdarja e orareve dhe djersa u rrjedh çurg nga vapa përvëlonëse, ndërkohë që Bashkia u derdh rregullisht çdo muaj subvecionin e mbuluar nga kontributet e biletpaguesve kompanive urbane./ CNA.al

KUJDES! Shkrimi është ekskluziv i CNA.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë, sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “CNA.al” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Lajmet e fundit nga