LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Halli i Irfanit dhe Carlo Bollino!

30 Nëntor 2023, 14:51, Editorial CNA
Halli i Irfanit dhe Carlo Bollino!
Carlo Bollino dhe Irfan Hysenbelliu

Opozita e Berishës dhe vetë ish-kryeministri, prej disa kohësh kanë filluar të raportojnë me dokumente vendime qeverie apo përfitime në lidhje me botuesin Carlo Bollino.

Publikime të bëra këto nga CNA kohë më parë, ashtu si dhe përfitimet e marra prej tij nga inceneratorët nga nënkontraktime me AKSH-in apo përfitime të tjera dhënë nga qeveria shqiptare.

Pas publikimeve të CNA, opozita, edhe pse me vonesë, ka reaguar, por dje “Syri TV” ka nxjerrë një emision të ri, “Plug”, ku është fokusuar te godina e “Report TV”-së.

Një investigim i kryer nga gazetarët e “Syrit”, i cili zbërthente skemën se si kishte përfituar Bollino.

Këto u përkasin denoncimeve të medias. Dikush ka këndvështrimin e tij, vetë kryeministri e quajti normale, opozita e konteston e kështu me radhë.

Ajo që binte në sy është fakti se ndërkohë kur kontestohet një pronë e marrë nga Carlo Bollino, e cila dhe më parë ka pasur reagime, ka pasur protesta, shkrime, siç e theksuam më lart, nga CNA, por shumë të tjerë heshtnin. Tek-tuk Lulzim Basha nxirrte ndonjë tender apo denoncim për Carlo Bollino-n dhe më pas heshtte.

Në fakt gjithçka kishte bërë Carlo Bollino, nga gazetarët e opozitës, nga zërat e saj që dalin në ekrane, u tentua të bashkohej me atë që po ndodh ndaj botuesit Irfan Hysenbelliu, një tjetër biznesmen ky, përfitues i milionave eurove nga buxheti i shtetit.

IRFAN HYSENBELLIU DHE CARLO BOLLINO PËRFITUES TË TAKSAVE TË SHQIPTARËVE DHE BUXHETIT TË SHTETIT

Nuk ka një shenjë barazie mes Carlo Bollino-s dhe Irfan Hysnebelliut, por nuk mund të jetë as Carlo si Irfani as Irfani si Carlo.

Janë të ndryshëm, por në fund të dy janë përfitues nga taksat e shqiptarëve dhe nga buxheti i shtetit dhe shfrytëzues të pronave publike.

Halli i Irfanit dhe Carlo Bollino!

Irfan Hysenbelliu, që mediat dhe zërat opozitarë janë shqetësuar se çfarë po i ndodh, është një biznesmen, i cili ka shfrytëzuar dhe ka marrë prona publike pafund për të mos thënë tjetër, që nuk ka paguar dhe taksat e ka bërë luftë ndaj institucioneve të shtetit shqiptar, ndaj tatimeve, doganave dhe ministrave thjesht dhe vetëm për interesat e tij korruptive dhe klienteliste.

Që nga godina ku ndodhet sot “News 24” që nga objekti ku ndodhet sot Universiteti “Luarasi”, ish-konvikti i gjuhëve të huaja dhe Universiteti i Tiranës nuk ka auditore, ndërsa prona publike iu dha Irfanit nga Edi Rama dhe qeveria e tij.

Ashtu siç iu dhanë Carlo Bollino-s 4 apo 5 mijë metra katrorë të falura për shkollë, shkolla e gatshme e ngritur, konvikti i saj iu dha Irfanit.

Por gazetarët e opozitës qajnë hallin e Irfanit dhe thonë se po i jepet Carlo-s dhe po i merret Irfanit.

Në fakt këtu ngatërrohen. Nuk janë të ndryshëm. Për më tepër Carlo është edhe më dinjitoz se në qëndrimet e tij ka qenë gjithmonë konsekuent, mbështetës i Partisë Socialiste, ka qenë i majtë, mbështetës i Edi Ramës, hapur rilindës, kundërshtar me Berishën e të tjera si këto.

Halli i Irfanit dhe Carlo Bollino!

Ndërsa Irfan Hysenbelliu, kur Berisha ishte në pushtet, i lëpihej Sali Berishës e sulmonte ndonjë ministër apo drejtor për interesat e tij korruptive.

Kujtojmë këtu debatin me Sokol Olldashin për ndërtimet pa leje të Irfani Hysenbelliut.

Me ardhjen e Rilindjes në pushtet bëri gjithçka që Edi Rama të ishte në krye të qeverisë së bashku me Ilir Metën, pasi e mbante ish-ortaku i Edi Ramës, bashkëpunëtori i tij kryesor, njeriu që e solli në pushtet Ilir Meta, skraparlliun e tij nën sqetull dhe e shtrëngonte fort dhe Irfani përfitonte në të katërta anët.

Halli i Irfanit dhe Carlo Bollino!

Të mos harrojmë se hante e pinte Irfani me kryeministrin Rama në resortet e tij, të cilave Irfani s’u kishte paguar taksat, nuk u ishte zbardhur leja dhe u shembën.

Halli i Irfanit dhe Carlo Bollino!

Pa folur nga ana tjetër se dikush po shqetësohet se shteti ka kërkuar të lirohen disa zyra që i ka marrë Irfani dhe i ka përdorur. Patjetër që duhet të lirohen.

T’i kthehen shtetit ato që i takojnë shtetit.

Në rast se nuk janë të Irfanit, por janë të shtetit, t’i marrin institucionet dhe të shkojnë atje ku duhet.

Ashtu siç duhet marrë dhe godina e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, konvikti. Ashtu siç nesër mund të merret dhe godina e Carlo Bollino-s.

Shteti nuk mund t’u falë televizioneve për qokat e tij. Qoka që shkojnë në dëm të interesit publik. Marrin pronën publike dhe e kthejnë në dëm të interesit publik, sepse zhvillojnë propagandë pro pushtetit.

Carlo Bollino bërtet sa të lumtur ne jetojmë në Shqipëri, sa polici të mirë kemi, sa inceneratorë të bukur kemi, kur policia është e inkriminuar, inceneratorët nuk ekzistojnë, janë qindra miliona euro abuzime dhe qeveria është ku thërret qameti.

Nga ana tjetër, Irfani një herë na thotë e duam Ramën në pushtet, sa i mirë është Edi Rama, katër vjet thërriste e gjashtë bërtiste sa i mirë ishte kryeministri, ngre flamur për Erion Veliajn. Bërtet dhe ulëret sa i mirë është kryebashkiaku i Tiranës, tani na doli Rama armik sepse nuk i ka bërë qejfin apo se i kërkon të paguajë taksat.

Pra pronat që përfitojnë Carlo-t, Irfanët dhe shokët e tyre që janë të publikut nuk shkojnë në interes të publikut, por shkojnë në interes të propagandës së pushtetit dhe interesi i propagandës së pushtetit është të gënjehet, të mashtrohet opinioni publik dhe interesat e tij të deformohen. Kështu ndodh vazhdimisht.

Mjaftojnë të shikojmë se si kërcejnë në linjë editoriale Irfani dhe të tijtë, ndërsa sa për Carlo Bollino-n, për këtë s'ke çfarë thua, nuk ka qenë kurrë pro Berishës dhe të djathtës.

Ka qenë gjithmonë majtas, gjithmonë kundër Berishës, gjithmonë me Edi Ramën dhe mund të quhet shumë më dinjitoze se Irfan Hysenbelliu që tashmë duan ta marrin në mbrojtje ish-gazetarucët e tij që ka pasur në strehë, servilë të neveritshëm që bërtisnin për pushtetin e Ramës dhe të Rilidnjes që, tani janë kthyer në zëra opozitarë dhe qajnë hallin e borxheve të Irfanit dhe pse Irfani po del nga godinat e shtetit.

Nuk mund të ketë dy standarde. Standardi është një. Dhe hall tjetër ai i Carlo-s me problem ligjor dhe tjetër problem ligjor dhe hall ky i Irfanit.

Të dy i bashkon një gjë. Kanë marrë prona publike, të cilat duhet t'i shërbjenë interesit publik kur të shfrytëzohen dhe në fakt nga të dyja anët nuk i kanë shërbyer kurrë interesit të publikut, por interesit të Irfanit apo Carlo-s si biznesmenë dhe interesave që ata kanë me pushtetin./ CNA

 

Lajmet e fundit nga