LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

BSH: Bizneset kanë më shumë para gjendje, po marrin më pak kredi bankare

16 Nëntor 2023, 13:32, Ekonomi CNA
BSH: Bizneset kanë më shumë para gjendje, po marrin më pak
Foto ilustruese

Përmirësimi i gjendjes së likuiditetit po bën që bizneset të marrin më pak kredi në banka.

Sipas analizës së fundit të aktivitetit kreditues nga Banka e Shqipërisë, kredia për biznese ka ndjekur një tendencë ngadalësuese prej fillimit të vitit 2023, por kjo tendencë u theksua edhe më shumë në tremujorin e tretë të vitit. Rritja vjetore e kredisë për biznesin këtë tremujor ishte 3%, afërsisht sa gjysma e rritjes së shënuar në pjesën e parë të vitit.

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, arsyeja kryesore pas kësaj ecurie është përmirësimi i likuiditetit të bizneseve në pasqyrim të rritjes së vazhduar të kërkesës së brendshme dhe rritjes së fortë të kërkesës së huaj, kryesisht për turizëm. Një ndikim në këtë përmirësim mund të ketë dhënë edhe rritja e marzheve të biznesit, sidomos të atij segmenti që ka përfituar nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit.

Të dhënat tregojnë se bizneset kanë shlyer një pjesë të mirë të portofolit të tyre të kredisë për kapital qarkullues. Në muajin shtator, kredia për këtë qëllim u tkurr me 1.7%.

Një tendencë tjetër e vërejtur gjatë vitit 2023, ishte zhvendosja e portofolit të kredisë për biznese nga kredia në valutë, kryesisht në euro, në kredi në lekë. Kjo zhvendosje është motivuar nga diferenca në rënie midis interesave në lekë dhe atyre në euro, por edhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Në fund të muajit shtator, kredia në valutë ishte 1.3% më pak se një vit më parë.

Kredia në lekë u rrit me 16 miliardë lekë gjatë nëntëmujorit të parë të vitit, ku efekti i konvertimit të kredive nga euro në lekë ka ardhur duke u theksuar nga muaji maj dhe në vazhdim. Në fund të muajit shtator, kredia në lekë për biznese shënonte një zgjerim vjetor prej 7.6%, ndjeshëm më e lartë se rritja mesatare prej 1% e gjashtëmujorit të parë të vitit.

Zhvillimet e mësipërme kanë rezultuar në rritjen e peshës së kredisë në lekë ndaj totalit në 46%, në nivele të larta historike.

Sipas madhësisë së biznesit vërehet se kredia për biznesin e madh është tkurrur, kredia për biznesin e mesëm është ngadalësuar, ndërsa ajo për biznesin e vogël ka ardhur në përmirësim. Kështu, shifrat e muajit shtator tregojnë se kredia për biznesin e madh ishte 1.4% më e ulët se një vit më parë, kredia për biznesin e mesëm u ngadalësua në 8%.

Ndërsa, portofoli i biznesit të vogël u rrit me 3% në tremujorin e tretë, pas dy tremujorësh tkurrjeje. Këto zhvillime kanë reflektuar nga njëra anë përmirësimin e gjendjes financiare të biznesit të madh dhe për pasojë një nevojë më të pakët për financim nga bankat, ndërkohë që bankat kanë mbajtur të pandryshuara kushtet e kreditimit për këtë grup.

Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet pozitive në ekonomi, në besimin e biznesit së bashku me stabilizimin e çmimeve dhe pasigurisë në vend kanë ndihmuar në rigjallërimin e kërkesës për financim nga biznesi i vogël. Ndërkohë, edhe pse oferta për këtë segment mbetet në kahun shtrëngues edhe në tremujorin e tretë, rritja e tolerancës ndaj rrezikut të bankave ka ndihmuar në përmbushjen e kërkesës.

Këto zhvillime janë reflektuar në një zhvendosje të strukturës së kredisë së bizneseve drejt biznesit të vogël e të mesëm, pesha e kredisë e të cilit arriti në 51.5% të totalit./Monitor

Lajmet e fundit nga