LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

BE dhe Ballkani Perëndimor duhet të reformohen së brendshmi/ Zgjerimi është i pashmangshëm

7 Shtator 2023, 08:09, Blog CNA

BE dhe Ballkani Perëndimor duhet të reformohen së brendshmi/

Më në fund ka një datë, viti 2030, për Evropën e së ardhmes. Një Evropë më e madhe që do të mirëpresë në shtëpinë e saj midis të tjerash edhe Ukrainë, vendin që në çdo minutë të rezistencës së saj ndaj agresorit brutal rus, po valëvit flamurin simbol i idealeve të etërve
themelues të BE-së.

Edhe pse kjo datë u hodh në tryezë nga njëri prej liderëve më pak të besueshëm të BE-së në dialogun ndërmjet institucioneve, presidenti i Këshillit Evropian Sharl Mishel. Por dhe pse reagimet e Presidentes së Komisionit Evropian të Ursula Von der Lejen u dukën të ftohta (raportet e saj me ish-kryeministrin belg janë karakterizuar nga tensione të shumta), tronditja mund të jetë sigurisht e shëndetshme.

Sepse ka ardhur koha të vendoset një afat. Numrat i bëjnë më konkrete ëndrrat. Tani është koha të punohet për të shmangur vonesat. Duke kuptuar nevojën për të nxitur një përshpejtim të negociatave të anëtarësimit, dhe duke filluar që t’i shpjegojmë opinionit publik rëndësinë e pikës së kthesës së një të nesërmeje jo dhe aq të largët.
Veçanërisht në një fazë kaq të vështirë, Evropa ka nevojë për kontributin e qytetarëve të saj.

Prandaj kërkohet një përpjekje për qartësi dhe për informacion të barabartë me atë që shoqëroi futjen e monedhës së përbashkët. Drejtuesit e vendeve anëtare kanë një detyrë shumë të vështirë.
Ne kemi nevojë për të njëjtin intensitet me të cilin Parisi, Berlini, Roma dhe Madridi u rreshtuan në anën e Volodimir Zelenski në një luftë të cilën Vladimir Putin e nisi edhe për të mposhtur projektin evropian.

Për më tepër, nuk duhet të mungojë guximi për të luftuar rezistencën e të gjitha llojeve, duke shpresuar që të lihen mënjanë lidhjet midis familjeve politike, të cilat shpeshherë janë kontradiktore edhe në nivelin e interesave kombëtare dhe kolektive. Natyrisht, nuk është vetëm çështja që Ukraina po troket në dyert e BE-së. Por në rastin e Kievit do të ishte ndoshta e përshtatshme një dozë e veçantë kreativiteti, e cila do të ishte në gjendje të reduktonte kohën e pritjes në paradhomë, pa paragjykuar nevojën e këtij vendit për të përfunduar reformat dhe ligjet që kërkohen, si ato kundër korrupsionit, të cilat do të bëjnë që Ukraina të jetë në të njëjtin nivel me standardet evropiane të kërkuara.

Tek e fundit nuk është një rastësi, që kërkesa e saj zyrtare për anëtarësim u formulua 4 ditë pas fillimit të operacionit special ushtarak të Kremlinit. Pastaj janë gati 5 vendet të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia.
Por në pritje është edhe Turqia, pavarësisht së rrugëtimi i saj i ndryshëm, mbetet tani për tani i bllokuar. Moldavia i është bashkuar Ukrainës në marrjen e statusit të kandidatit, pa harruar se nga ana e tyre, Gjeorgjia dhe Kosova konsiderohen si kandidate potenciale.

Mund të jemi në prag të një revolucioni të vërtetë në aspektin e zgjerimit. Është e vërtetë: zgjerimi i tetë në historinë e Bashkimit Evropian (kanë kaluar 10 vjet nga hyrja e fundit, ajo e Kroacisë), do të ndryshojë rrënjësisht skenarin që ne njohim, dhe që është i destinuar ta
transformojë Evropën në diçka krejtësisht të ndryshme, duke e rikuperuar atë forcë tërheqëse që buron nga një model i cili nëse ka pasur sukses më parë, është mbi të gjitha i nevojshëm sot.

Le të mendojmë edhe një herë mbi dëshirën për liri të popullit ukrainas. Në përgjithësi, në një kontinent ku rishfaqen ndarje të rrezikshme dhe lotët janë gjithmonë të mundshëm, ka vetëm një fjalë kyçe: integrimi. Kjo është rruga që duhet ndjekur. Një BE më e madhe e bën të nevojshme reflektimin mbi reformat që do ta lejojnë atë të funksionojë si duhet.

Rregullat nuk mund të jenë të njëjta si më parë. Por që tani (edhe pse ka nga ata si Mishel, që besojnë se heqja totale e unanimitet do të nënkuptonte “hedhja e foshnjës së bashku me ujin e govatës”), është në rendin e ditës mundësia për të futur në axhendë votën e shumicës së
kualifikuar edhe për çështje që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Është një pikë kthese e domosdoshme për të parandaluar që Evropa, e cila sot është shumë e dobët, të mbetet e paralizuar në një epokë në të cilën është gjithnjë e më e nevojshme prania e saj aktive në skenën ndërkombëtare. Të rritesh do të thotë gjithashtu që të bëhesh i përgjegjshëm.

Askush nuk dëshiron që negociatat e anëtarësimit të mos jenë serioze, të kujdesshme apo të detajuara. Ato duhet të zhvillohen duke identifikuar natyrën strategjike të objektivit përfundimtar, pa lënë vend për veto apo sabotime. Përkundrazi, negociatat e anëtarësimit të anëtarëve të rinj, mund të ofrojnë një ndjenjë të përgjithshme të përçarjes dhe të dërgojnë një sinjal elokuent edhe brenda vetë Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh se vendet kandidate kanë marrë përsipër të respektojnë parimet e traktateve në drejtim të mbrojtjes së të drejtave. Por këtë nuk duhet ta bëjnë vetëm ata. Nga Paolo Lepri “Corriere della Sera/ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga