LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kush janë milicët që po e zhvendosin luftën nga Ukraina në Rusi

26 Maj 2023, 07:34, Kosova & Bota CNA

Kush janë milicët që po e zhvendosin luftën nga Ukraina

E gjithë vëmendja e ekspertëve dhe ushtarakëve ishte përqendruar te qyteti i diskutueshëm i Bakhmutit dhe te pritja e fillimit të një kundërofensive ukrainase. Por papritur erdhi lajmi për luftime në anën tjetër të kufirit, në territorin rus, në rajonin kufitar të Belgorodit.

Moska po akuzon komandot ukrainase se kanë kaluar kufirin për të sulmuar objektivat rus. Në fakt sulmi është marrë përsipër nga dy organizata ruse anti-Putin, që janë rreshtuar në anën e Ukrainës.

Që të dyja këto grupime kanë publikuar disa pamje (që janë të pamundura për t’u verifikuar), që tregojnë shtetas rusë të kamufluar në bordin e automjeteve të blinduara të vjedhura nga armiku apo teksa mburren para kamerave se kanë rrëzuar një helikopter.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh një inkursion i tillë.

Në mars u raportua për luftime në disa fshatra që ndodheshin disa qindra metra larg kufirit, autorësia e të cilave u pretendua nga të njëjtat organizata. Kësaj radhe lajmi është njoftimi për pushtimin e një lokaliteti dhe synimi për të krijuar një zonë të kontrolluar prej tyre në Rusi, një synim që megjithatë duket qartazi i paarritshëm.

Fijet e errëta

Luftëtarët e përfshirë në këtë aksion, u përkasin dy grupeve për të cilat flitet rregullisht. I pari njihet si Korpusi Vullnetar Rus, ndërsa tjetri quhet Legjioni i Lirisë së Rusisë. Trupat Ruse Vullnetare konsiderohen të ekstremit të djathtë dhe drejtohen nga Denis Nikitin, një ish-mjeshtër i arteve marciale.

Ndërkohë nuk dihet përkatësia politike e Legjionit të Lirisë së Rusisë. Të dyja organizatat kanë qenë më herët pjesë e ushtrisë ukrainase, por tani pretendojnë se veprojnë në mënyrë të pavarur. Pavarësisht mohimeve të Kievit, duket e pamundur që dy grupe të tilla periferike të kishin mundësi të organizonin një operacion të ngjashëm pa mbështetjen dhe miratimin e ushtrisë ukrainase apo shërbimeve të saj të inteligjencës.

Në këtë kontekst, ka të ngjarë që Kievi të ketë rifilluar metodat e adoptuara nga rusët që nga fillimi i luftimeve në rajonin e Donbasit në vitin 2014, kur forcat teorikisht të pavarura u trajnuan dhe armatosën në fakt nga Moska.

Putini kishte nevojë për një sukses, dhe Bakhmuti erdhi në kohën e duhur

Mbetet të kuptohet se cili është objektivi i këtij operacioni. A bëhet vërtet fjalë për vendosjen nën kontroll të një “zone të çliruar” në territorin rus, e cila do të ketë në mënyrë të pashmangshme nevojë për mbështetjen e Ukrainës?

Apo kemi të bëjmë me një manovër me synim shmangien e vëmendjes për një sulm që mund të ngjasë dikur tjetër? Për javë të tëra, ukrainasit kanë deklaruar se do të nisin një kundërofensivë të gjerë në përpjekje për të thyer linjat mbrojtëse të ushtrisë ruse, të cilat megjithatë janë forcuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit përgjatë qindra kilometrave të vijës së frontit.

Rusia sapo ka pretenduar arritjen e një suksesi ushtarak me pushtimin e plotë të qytetit Bakhmut, pas disa muajsh luftimesh të ashpra dhe mijëra të vdekurish nga të dyja palët. Nga ana tjetër Ukraina pretendon se ka ende “xhepa rezistence” që ekzistojnë, por Putinit i duhej një sukses dhe Bakhmuti arriti në kohën e duhur.

Duke e sulmuar territorin rus përmes aksioneve të kryera nga rebelët rusë, Ukraina e zvogëlon peshën e pushtimit të Bakhmutit, dhe në këtë mënyrë e detyron Rusinë të vendosë burime ushtarake për të mbrojtur pjesën e pasme të frontit, në një kohë kur në front mund të ndodhë një përballje vendimtare.

Së fundi, duhet pasur parasysh se kjo është një nga rrethanat e rralla, në ta cilën civilët rusë kanë përjetuar pasojat e drejtpërdrejta të luftës, ndërsa ukrainasit i kanë përjetuar ato drejtpërdrejt prej 15 muajsh në mbarë vendin dhe prej më shumë se 9 vitesh në Ukrainën Lindore.

Siç ka ndodhur disa herë në të kaluarën, hakmarrja e Kremlinit ndaj këtyre operacioneve rrezikon që të jetë brutale. Përshkallëzimi i situatës do të vazhdojë në mënyrë të pashmangshme./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga