LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse nuk po i japim Ukrainës atë që i nevojitet?

16 Shtator 2023, 16:44, Blog CNA

Pse nuk po i japim Ukrainës atë që i nevojitet?

Kur viziton qendrat e rehabilitimit për ushtarë ukrainas që kanë plagë të cilat i kanë ndryshuar jetën, mëson shumë shpejt se si të përballesh me pamjet tronditëse. Sigurisht që nuk dridhesh apo të kthesh kokën nga ana tjetër. Përkundrazi mëson mbi zakonin e mjekëve, infermierëve dhe fizioterapistëve të aftë që të përqendrohen jo te plagët, por tek individët, tek burrat.

Dhe megjithëse në këtë konflikt kafshëror janë vrarë ose plagosur shumë gra, duhet të kem parë mbi 100 ushtarë të plagosur rëndë në Kiev dhe Lviv, në 3 spitale të ndryshme, dhe të gjithë ishin burra. Tek këta pacientë vëren disa cilësi të jashtëzakonshme.

Ata nuk janë aspak të rinj. Përkundrazi disa janë në të 40-at dhe të 50-at. Ata janë një ushtri qytetarësh: burra, baballarë, burra të moshës sime me mjekrat e thinjura. Teksa i sheh duke u përpjekur të rifitojnë forcën tek gjymtyrët që u kanë mbetur, duke u përpjekur vazhdimisht të
kryejnë një detyrë shumë të thjeshtë, ndjen vendosmërinë e tyre për të përdorur sa më mirë kujdesin shembullor që po marrin: për të rindërtuar diçka që është jeta.

Kur flet me ta zbulon se nuk duan që të nxisin dhembshurinë. Nuk duan që t’u thuash se sa të guximshëm janë, pasi ata nuk mendojnë se janë veçanërisht të guximshëm. Siç më thanë disa prej tyre, ata mendojnë se “po bëjnë punën e tyre”. Pra po bëjnë diçka që është sa thelbësore
aq edhe e pashmangshme, për familjet e tyre, vendin e tyre, dhe patën fatin e keq që u lënduan.

Pasi kushdo mund të jetë fatkeq në një punë të rrezikshme. Ata u goditën nga predhat e një tanku apo një predhë artilerie. Ose shkelën mbi një minë dhe morën lëndime që do të ishin plotësisht të njohura për mjekët e fushëbetejës së Luftës së Parë Botërore. Dallimi është se
sot, një shekull më pas, përparimet e jashtëzakonshme në kirurgji dhe protetikë nënkuptojnë jo vetëm që janë gjallë, por që duan mbi të gjithë një gjë: të jenë në gjendje të rikthehen në vijën e parë të frontit dhe të vazhdojnë luftën aty ku e lanë.

Ata nuk duan të vajtojnë për fatin e tyre, por vetëm duan të vazhdojnë me vrasjen e rusëve dhe dëbimin e pushtuesit nga toka e tyre. Në vend se të flasin për plagët e tyre, duan të flasin për përparimin e njësive apo regjimenteve të tyre në vijën e frontit. Gjëja e vetme që u jep atyre ngushëllim dhe kënaqësi është lajmi se territori po çlirohet, fshatra të shumtë po çlirohen, dhe se një rol në këtë sukses kanë luajtur edhe përpjekjet e tyre.

Sigurisht kur sheh trupat e copëtuar të këtyre burrave, nuk mund të mos pyesësh se deri në çfarë mase mund të shpresojnë të kenë në vazhdim një jetë normale. Nuk bëhet fjalë të ribashkohen me forcat e armatosura të Ukrainës. Kjo luftë ka prodhuar rreth 20.000 indalidë ukrainas, shumica e tyre në forcat e armatosura. Egërsia e luftimeve është aq e madhe saqë çdo javë këto qendra rehabilitimi dhe rikuperimi shtrojnë dhjetëra pacientë të tjerë.

Kanë kaluar tashmë 19 muaj që kur Putin i bëri llogaritë gabim dhe nisi konfliktin më të madh dhe më të përgjakshëm në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ai ka shkaktuar drejtpërdrejt vrasjen ose plagosjen e 300.000 rusëve dhe ndoshta rreth 15.0000 ukrainasve.

Kur qëndron për pak kohë në këto reparte spitalore, ndihesh i tmerruar nga dhimbja, por edhe shumë i zemërua për këtë kasaphanë të madhe që po vazhdon në emër të egos dhe marrëzisë së një njeriu, Vladimir Putinit. Mos besoni për asnjë sekondë se këta ushtarë ukrainas - apo
popullata në përgjithësi - mund të binden të lënë armët apo të arrijnë një marrëveshje me Putinin. Ata nuk po luftojnë sipas urdhrit tonë, dhe nuk do të ndalen vetëm sepse këtë ua themi ne.

Ata janë të angazhuar në një luftë për mbrojtjen e pavarësisë, sepse nuk pranojnë t'i përkulen terrorit dhe sepse duan që vendi i tyre të jetë i lirë. Ata e shohin si qesharake idenë e një negocimi me Rusinë.
Ata e quajnë absurde idenë se mund të lëshojnë një pjesë të tokës së tyre në këmbim të paqes, sepse nuk i besojnë në asgjë Putinit. Jevgeni Prigozhin mendoi se kishte bërë një marrëveshje me Putinin, por e pamë sesi shkuan gjërat për të. Ata duan vetëm një gjë nga ne në Perëndim: armatime për të përfunduar punën. Ndaj unë thjesht nuk e kuptoj pse vazhdojmë ta zvarritim ndihmën ndaj tyre.

Pse jemi gjithmonë kaq të ngadaltë? Si mund t’i shohim këta burra në sy dhe t’u shpjegojmë vonesat? Gjatë gjithë kësaj lufte ne i kemi nënvlerësuar ukrainasit dhe e mbivlerësuam Putinin, dhe të njëjtën gjë po bëjmë ende sot. Tani rusët mezi po mbajnë të pushtuar gjysmën e territorit që kishin nën kontroll në javët e para pas fillimit të pushtimit. Ata janë shpartalluar në Kiev, Harkiv, Kerson. Është e vërtetë
që kundërofensiva ukrainase po ecën më ngadalë se sa kishin shpresuar disa.

Gjithsesi ajo po vazhdon. Është vetëm 20-30 kilometra larg Melitopolit; dhe nëse do të mund të hyjë në këtë qytet jugor, atëherë artileria e Ukrainës do të ketë nën rrezen e goditjes të gjithë urën tokësore që ka krijuar Rusia. Ata do jenë në gjendje të ndalojnë lëvizjen midis Rusisë dhe Krimesë. Kjo do të ishte një disfatë e madhe për Putinin. Edhe nëse mund të mos e arrijnë këtë në javët e ardhshme, ata mund ta bëjnë sigurisht vitin e ardhshëm. Gjithçka që na nevojitet është durimi strategjik dhe një ndjenjë shumë më e madhe e urgjencës për programin tonë të ndihmës ushtarake.

Nevojat e Ukrainës në fushën e betejës po ndryshojnë, dhe ne duhet ta pranojmë këtë gjë. Rreth një vit më parë kishim frikë t’u dërgonim ukrainasve tanke dhe makina të blinduara, me arsyetimin absurd se diçka e tillë mund të ishte “provokuese” për Rusinë. Tani dronët janë bërë aq vdekjeprurës, saqë thuhet se të dyja palët po “parkojnë” mjetet e blinduara dhe po fokusohen në këtë lloj lufte.

Ukrainasit kanë nevojë për sisteme të mbrojtjes ajrore të lëvizshme nga njeriu për të goditur helikopterët rusë. Po ashtu, u duhen sistemet Patriot për t’u mbrojtur nga sulmet nga ajri, dhe kanë nevojë për artileri më rreze të gjatë veprimi për të shenjestruar pozicionet ruse. Në rast se Putin fiton në Ukrainë, pse mban qoftë edhe një pjesë të asaj që ka pushtuar, atëherë mesazhi do të ishte i qartë: që agresioni sjell përfitime, që kufijtë evropianë mund të ndryshohen sërish me dhunë.

Një fitore e Putinit do të ishte një katastrofë për Perëndimin dhe për udhëheqjen amerikane, dhe nuk besoj se është një rezultat që mund të durohet lehtësisht nga një president i SHBA-së.

Ndërkohë fitorja për Ukrainën do ta rivlerësojë dhe ringjallë Perëndimin dhe gjithçka që ne mbrojmë. Mbi të gjitha do të nënkuptojë çlirimin e një vendi të bukur dhe krejtësisht të pafajshëm që është sulmuar me egoizëm dhe kriminalitet. Nga Boris Johnson “The Spectator”/ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga