LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shoqëria greke po ndryshon, pse Kiriakos Micotaqis ka një shans të artë në mandatin e dytë

26 Maj 2023, 07:31, Kosova & Bota CNA
Shoqëria greke po ndryshon, pse Kiriakos Micotaqis ka një shans
Foto ilustruese

Greqia ka kthyer më 21 maj një faqe të rëndësishme të historisë së saj. Përtej fitores së dukshme të partisë Nea Demokratia (Demokracia e Re), e cila i detyrohet kryesisht kryeministrit aktual Kiriakos Micotaqis, me zgjedhjet e të dielës së kaluar u mbyllën 2 cikle të mëdha: Metapolitefsi dhe falimentimi ekonomik i Greqisë.

I pari është procesi politik që nisi me rivendosjen e demokracisë pas diktaturës së juntës së kolonelëve gjatë viteve 1967-1974, dhe që mund të konsiderohet i përfunduar me refuzimin e arsyeshëm të narrativës që ka dominuar, me shumë pak përjashtime, për dekada të tëra politikën greke.

Humbja strategjike e SYRIZA-s në këto zgjedhje, tregon shumë qartë fundin e tabuve specifike ideologjike. Qytetarët grekë votuan në shumicë për personin që mund ta kryejë punën, përtej ideologjive dhe teorive politike.

Ata nuk janë të interesuar për karizmën apo rimishërimin e figurës së ish-kryeministrit legjendar Andreas Papandreu. Por njëkohësisht, ne pamë në këto zgjedhje zhdukjen e linjave tradicionale midis partive. Ajo çfarë përfaqëson “Nea Demokratia e vërtetë”, është një pyetje që shqetëson më pak njerëz.

Alarmuesit që kishin parashikuar se votuesit e qendrës së djathtë do të qëndronin në shtëpi ditën e zgjedhjeve apo se do të votonin për partitë e ekstremit të djathtë, u përgënjeshtruan.

Po ashtu, në këto zgjedhje ishte hera e parë kur ne pamë kaq shumë simpatizantë të qendrës të majtë, të së majtës tradicionale, ish-mbështetës të PASOK-ut, por edhe anëtarë të të gjitha rrymave politike që të votonin këtë herë për Demokracinë e Re.

Disa e bënë këtë me gjysmë zemre, por megjithatë e bënë. Po ashtu shumë analistë prisnin që votuesit e rinj të përgënjeshtronin sondazhet e opinionit publik dhe të rrisnin mbështetjen për SYRIZA-n. As kjo nuk ndodhi. “Brezi i Tik-Tok”-ut votoi gati në të njëjtën mënyrë si gjithë të tjerët.

Rezultati i zgjedhjeve të 21 majit, tregon gjithashtu se ngjitja e së majtës në pushtet dhe rritja e SYRIZA-s mund të kenë qenë thjesht dhe vetëm një parantezë. Partia e majtë opozitare ishte në thelb produkt i zemërimit popullor ndaj krizës së rëndë ekonomike.

Udhëheqësi i saj, Alexis Tsipras, iu përgjigj në kohën e duhur një imperativi historik dhe shfrytëzoi valën e zhgënjimit publik, duke e forcuar ndjeshëm partinë e tij. Megjithatë, klima e sotme është krejtësisht e ndryshme.

Natyra e përçmon boshllëkun, dhe gara mbi atë se kush do të dominojë opozitën, dhe ndoshta do të ngjitet në pushtet, tani është më e vërtetë. Historia i ka dhënë Micotaqis një mundësi të paprecedentë. Ajo që ai ka arritur është realisht mbresëlënëse.

Në fillim u nënvlerësua, fitoi lidershipin e partisë si një jofavorit, e mundi Tsiprasin në një garë të dominuar nga frika e madhe se kjo ishte e pamundur. Më pas bëri disa gabime fatale, u dëmtua prej tyre, u nënvlerësua sërish, dhe më pas arriti të fitonte përsëri, me një diferencë të pabesueshme.

Tani prej tij do të kërkohet të sfidojë një aksiomë tjetër shumë të përhapur: që mandati i dytë i çdo kryeministri është më i keq se ai i pari. Micotaqis nuk ka rivalë, as brenda dhe as jashtë partisë së tij. Ai po sheh një rritje të qëndrueshme në sondazhe.

Ai e di saktësisht se çfarë duhet të ndryshojë në këtë vend. Kjo është një mundësi historike dhe e paprecedentë. Armiku i tij më i madh mund të jetë mungesa e modestisë dhe e përulësisë që shpesh vjen pas një triumfi, sidomos kur nuk ka njeri në anën tjetër të fushës.

Megjithatë, ajo që ndodhi të dielën ishte shumë më e madhe sesa personalitetet e përfshira në garë.

Rezultati sinjalizoi humbjen e kundërshtuesve të mjerueshëm që përçmojnë ndryshimin dhe përparimin. Një masë kritike votuesish, deklaroi se është gati për ndryshime të mëdha dhe i ktheu shpinën mentalitetit për të kundërshtuar çdo gjë që e prish statuskuonë. Shoqëria po ndryshon, dhe cilido që nuk e kupton këtë do të mbetet prapa./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga