LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dokumenti- Llazar Fundo ishte hartues i Manifestit të Ventotenes “Për një Europë të lirë dhe të bashkuar”

28 Qershor 2023, 09:50, Kulturë CNA

Dokumenti- Llazar Fundo ishte hartues i Manifestit të Ventotenes

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar një fakt rreth idealistit dhe intelektualit Llazar Fundo.

Krahas një dokumenti, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bën me dije se Llazar Fundo ishte hartuesi i Manifestit të Ventotenes “Për një Europë të lirë dhe të bashkuar”.

I internuar në ishullin e Ventotenes si antifashist, do të binte në kontakt me ideologët italianë, Altiero Spinelli dhe Ernesto Rossi, me të cilët Fundo do të hartonte "Manifestin e Ventotenes", i njohur si pararendës i Kongresit të Hagës dhe i Deklaratës së Shumanit.

Ata zhvilluan një vizion të ri për krijimin e një Europe të lirë dhe të bashkuar, të bazuar në idenë e sovranitetit, lëvizje të punëtorëve, të monedhës së përbashkët, etj.

Studiuesit italianë do t'i quanin si pararendëse të Bashkimit Europian idetë e juristit të lindur në Korçë dhe të diplomuar në Sorbonë. Fundo kishte një përvojë politike të gjatë dhe komplekse, në Shqipëri dhe në Europë.

Në vitin 1944, largpamësi Fundo u ekzekutua, nën akuzat "trockist” e "renegat".

Jeta e Llazar Fundos

Llazar Fundo, i njohur si Zai Fundo, u lind në Korçë më 20 mars 1899 në një familje tregtare me origjinë nga Voskopoja. Ndoqi Liceun francez në Selanik, më pas studimet për drejtësi në Sorbonë të Parisit ku ra në kontakt me idetë komuniste. Më 1923 u kthye në Shqipëri me profesionin jurist. Ishte aktivist dhe kryetar i shoqërisë “Bashkimi” të Avni Rustemit, një eksponent i njohur i lëvizjes komuniste, më pastaj gazetar, social-demokrat.

Ndërkohë, mori pjesë në Shoqërinë “Bashkimi” (1922-1925) dhe pas vrasjes së Avni Rustemit më 1924, u zgjodh kryetar i shoqërisë dhe drejtoi gazetën “Bashkimi”. Në mbarim të dhjetorit, kur Qeveria e Nolit ra, u largua nga atdheu për në Itali, Austri, Gjermani, Francë e Rusi.

Gjatë kësaj kohe bashkëpunoi me gazetën “Liria Kombëtare” e Omer Nishanit. Gjatë qendrimit në Vienë aderon në Federatën Komuniste Ballkanike, që kishte në brendi –n dhe Komitetin e Kosovës, ku Zai Fundo ishte aktiv. Më pas emigron drejt BRSS-së, diplomohet për filozofi në Moskë dhe jep leksione të kësaj lënde në Leningrad dhe anëtarësohet në Komintern.

Merr pjesë në Kongresin e 8-të të Federatës Komuniste Ballkanike ku diskutoi rreth formimit të partisë komuniste në Shqipëri, duke ndihmuar të formohet Grupin Komunist i Korçës.

Me 1933-shin ndodhej në Gjermani ku e pa Zjarrin e Reichstagut dhe u largua drejt Bashkimit Sovjetik me të gjykuarin e Leipzig-ut, Georgi Dimitrov. U dënua me vdekje nga Kominterni për qendrimin kundërstalinist më 1938, por Dimitrovi, atëherë prijës i Kominternit, e rrëzoi vendimin.

 

Me 1939, pas pushtimit italian kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues gjimnazi. Hiqet pas një viti për veprimtarinë e tij antiitaliane bashkë me Ali Këlcyrën, me të cilin puqet dhe në mendimin politik të qendrës së majtë. Kapet nga italianët dhe internohet në ishullin famëkeq të Ventotenes. Atje do ishte bashkë me Safet Butkën, Muzafer Pipën, Isuf Luzajn, Altiero Spinellin dhe Sandro Pertinin.

Fundo ishte bërë komunist në Paris gjatë studimeve universitare. Duke qenë se besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja e jo pak gjuhëve, angazhimi i tij politik kishte arritur përtej Shqipërisë, dhe kur Dimitrov ishte arrestuar pas zjarrit në Rajhshtag, Fundo ishte në Berlin si një nga bashkëpunëtorët e tij. I kishte shpëtuar arrestimit dhe kishte rihyrë në Moskë ku punonte në Internacionale. Kur nisi era e spastrimeve të mëdha, ai, komunist besnik, por i edukuar në një atmosferë kulturore liberale në vendet demokratike, kishte frekuentuar jo pak kundërshtarë të Stalinit…

Në Ventotene ishte afruar në mënyrë të natyrshme me ish-komunistët dhe socialistët me të cilët fliste shpesh për mallkimin e regjimit të Stalinit. Përndryshe shëtiste i qetë, i drejtë, i bukur, me flokë bionde që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit që ishte duke lexuar në greqisht, duke kërkuar te tekstet antike qetësinë e shpirtit që ia kishte marrë dështimi i përvojës së tij komuniste dhe që nuk e gjente gjëkundi… Pas 8 shtatorit kur u lirua dhe grupi i fundit i të internuarve të Ventotenes, Llazar Fundo zbriti në bregun puliez, kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë duke u thënë kush ishte dhe që po vinte të luftonte me ta, u vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s’ishte dyzetë vjeç. Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton”.

Me dy federalistët italianë bashkë me mikun e tij Stavro Skëndin hartojnë Manifestin e Ventotenes.

Pasi regjimi fashist mori tëposhten e tij më 1943-shin, me gjithë mbështetjen vëllazërore dhe miqësore që i dha Sandro Pertini, në një takim të fundit me të në Romë, në gusht 1943; që donte ta bindte për të qëndruar në Itali për të luftuar me të fashizmin, ai vendos të kthehet në Shqipëri për të luftuar. Bashkohet me vëllezërit Kryeziu dhe misionin britanik pranë tyre në Malësinë e Gjakovës.

Në shtator 1944 kapet nga partizanët jugosllavë në malin Dobrej të Tropojës dhe u dorëzohet komunistëve shqiptarë. Dënohet për “trockizëm” dhe bashkëpunimin me Shërbimin Informativ Britanik. Arrestohet dhe vritet nga forcat partizane në Kolesjan të Kukësit më 23 shtator 1944.

Në radiogramin e Enver Hoxhës më 21 shtator 1944, thuhet: “Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni”.

Lajmet e fundit nga