LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shakaja e fundit e Milan Kunderës

23 Korrik 2023, 16:35, Kulturë CNA
Shakaja e fundit e Milan Kunderës
Milan Kundera

Milan Kundera pati fatin e diskutueshëm të përjetimit të asaj që dukej si fitorja historike e mbrojtjes prej tij të individit nga shteti, vetëm për të parë që puna e jetës së tij të bëhej sërish tronditëse përpara vdekjes së tij të martën në moshën 94-vjeçare. Fakti që Kundera, dhe më gjerësisht gjenerata e dytë e shkrimtarëve disidentë të bllokut sovjetik, nuk e fituan kurrë çmimin Nobel për Letërsinë, është një njollë për këtë çmim, që është gjithmonë e me më pak peshë.

Por po ashtu lë të kuptohet pse vepra e Kunderës do të vazhdojë të lexohet. Arsyet e mospërfilljes së Komitetit të Nobelit, që ndodhi në kulmin e rëndësisë gjeopolitike nëse jo letrare të këtij çmimit, nuk janë të vështira për t'u kuptuar. Më e dukshmja:Kundera nuk ishte asnjëherë veçanërisht i interesuar apo i angazhuar në politikë.

Përkundrazi, veprat e tij përfaqësonin një mbrojtje pasionante e të drejtës për të ndjekur dëshirat dhe epshet vetjake kundër maniakëve burokratikë të çfarëdo lloji, të cilët dëshironin ta kolonizonin përvojën individuale në emër të shtetit.

Për kritikët e tij si në të djathtë ashtu edhe në të majtë, qëndrimi i Kunderës ishte gati imoral, për të mos thënë se i ngjante një borgjezi të pashpresë. Ndërsa e majta preferonte Çe Gevarën dhe e djathta Solzhenicinin, Kundera këmbënguli në të drejtën e njeriut për t’u lënë vetëm.

Aq sa ideologët e Luftës së Ftohtë e konsideronin borgjeze anti-politikën e Kunderës, madje pati shumë shkrimtarë dhe kritikë që e kundërshtuan cilësinë e prozës së tij. Muzikaliteti intensiv i fjalive të tij mund të dukej si një artefakt i një faze letrare që kishte kaluar. Talenti i tij i një klasi botëror në lidhje me aforizmat mund të dukej njësoj i vjetëruar, një llafollogji sallonesh mondane që u bënte përshtypje studentëve të vitit të parë:”Nuk ka përsosmëri, por vetëm jetë” (Lehtësia e padurueshme e qenies); “Të qeshësh do të thotë të jetosh thellësisht”(Libri i të qeshurit dhe harresës). Ai i objektivizoi gratë, në një mënyrë që u shkëput gjithnjë e më shumë nga ndjeshmëritë dominuese anglo-saksone.

Me siguri bota kishte gjëra më të mira për të bërë me kohën e saj, sesa të zhytej në epshet e një shkrimtarit të radhës në moshë të thyer. Vetë Kundera nuk e pa asnjëherë veten si një njeri politik, si një moralist, liberal, konservator, apo si ndonjë autor tekstesh, fati më i madh i të cilëve ishte të bëheshin skenarist filmash.

Ai ishte thjesht një romancier. Për të, romani ishte forma më e lartë e përpjekjes estetike, një lloj anti-shkrimi që përfaqësonte ndjeshmërinë e individit, që përmbante “një pikëpamje, një mençuri, një pozicion; një pozicion që do të përjashtonte identifikimin me çdo politikë, çdo fe, çdo ideologji, çdo doktrinë morale dhe çdo grupim”.

Besimi që ai vendosi tek romani si një busull që mund të përdoret për të negociuar çështjet e mëdha të jetës, mund të duket i pashpresë dhe i vjetëruar. Megjithatë, nëse nuk e besoni këtë, e pse duhet të shqetësoheni të shkruani një roman? Kur zgjodhi të shkruante librat e tij të mëvonshëm në frëngjisht, Kundera bëri arritjen gati të mrekullueshme të të qenit shprehës në një gjuhë të dytë ose të tretë në një nivel botëror.

Kjo e vendosi në një nivel me Vladimir Nabokov. Francezët e nderuan, duke mbrojtur privatësinë e tij dhe duke vlerësuar mbrojtjen e tij të pa kompromis ndaj estetikës individuale në një pikë të historisë kur kulturat e tjera letrare perëndimore kishin pushuar së marruri shumë seriozisht romanet.

Është një fakt që romani më domethënës i Kunderës, Shakaja , i botuar për herë të parë në vitin 1967 në çekisht, mund ta kishte të vështirë të botohej sot në Londër ose Nju Jork. Romani tregon historinë e një studenti të universitetit të Pragës, të quajtur Ludvik, jeta e të cilit shkatërrohet nga një shaka e vetme dhe e pahijshme që tallej me politikën progresiste të një shoqeje simpatike e cila e injoroi atë.

Kur Ludvik rikthehet në universitet pas pushimeve, ai thirret para komisarëve të ideologjisë që nuk kishin pikë humori, dhe që këmbëngulin se fjalët e tij ndaj vajzës ishin fyese. Kur asnjë nga shokët e tij nuk guxon të flasë në emër të tij, ai përjashtohet nga shkolla. Tingëllon e njohur? Sigurisht që po.

Dhe me dekadat e kulturës së anulimit nën regjimin komunist, Kundera mund të na tregojë se çfarë do të ndodhë më pas. I prekur në sedër dhe i hidhëruar, Ludviku dëbohet nga universiteti dhe i kalon dekadat pasuese të jetës së tij duke ushqyer një mëri të madhe ndaj atyre që i kanë bërë keq dhe duke komplotuar hakmarrjen e tij.

Duke ruajtur një përbuzje të veçantë për një zyrtar shtetëror të quajtur Zemanek, i cili nxiti në mënyrë aktive përjashtimin e Ludvik nga universiteti, ai rikthehet në Pragë dhe hyn enkas në një lidhje intime me gruan e Zemanek. Por as kjo gjë nuk arrin t’i japë Ludvikun kompensimin që shpresonte.

Përkundrazi, në fund ka një takim të përzemërt me Zemanek, i cili duket se nuk e mban mend historinë e tyre të përbashkët. Ludvik arrin në përfundimin se ruajtja e hidhërimit ndaj së kaluarës është e kotë, dhe se ai duhet të pajtohet me idenë se nuk do t'i korrigjojë kurrë pasojat e gabimeve që kanë rënë mbi të.

Ideja se akti i harresës bën bashkë autorët dhe viktimat në kërkimin e përbashkët për mbijetesë, është njëherësh sa humaniste aq edhe shumë e pakënaqshme për moralistët që preferojnë heronjtë që fitojnë dhe të këqijtë që marrin në fund ndëshkimin e merituar.

Por funde të tilla kishin pak kuptim për njerëz në vende si Çekosllovakia, ku të mësuarit e bashkëjetesës me padrejtësinë dhe disfatën ishte një kërkesë gjeografike. Ai e thelloi eksplorimin e mbi temën e harresës në romanin “Lehtësia e padurueshme e qenies”.

I botuar në 1984 në frëngjisht dhe me ngjarjet e vendosura gjatë Pranverës së Pragës në vitin 1968, një kirurg i quajtur Tomas ndodhet i bllokuar në një trekëndësh dashurie me gruan e tij, Terezën, një fotoreportere disidente dhe të dashurën e tij të preferuar, një piktore të quajtur Sabina.

Tereza është një karakter i vështirë, ndërsa Sabina është e thjeshtë. Ai gjen çlirim tek seksi dhe akti i tradhtisë. I frikësuar nga terrori politik, nga rreziqet me të cilat përballet Tereza dhe nga absurditeti i ekzistencës së tij, Tomas arratiset me të dhe qenin e tyre Karenin në Zyrih të Zvicrës.

Kur Tereza e përmalluar largohet nga Tomas dhe kthehet në Pragë me Karenin, Tomasi dëshpërohet dhe kthehet pas edhe ai, teksa në vendin e tyre janë në listën e zezë. Pasi zhvendosen me banim në një fshat, Tomas e braktis punën dhe të dashurat dhe rigjen dashurinë tek Tereza.

Në një skenë prekëse në fund të romanit, Karenin preket nga një tumor dhe vdes në tryezën e operacionit, teksa po i buzëqeshte pronarëve të saj. Ajo që ishte ndoshta më tronditëse për lexuesit e sofistikuar pas lojërave post-moderniste të “Librit të të qeshurit dhe harresës” ishte vendosmëria e Kunderës tek ky libër për të treguar një histori dashurie tolstoiane-ekzistencialiste pa iu referuar as Zotit dhe as politikës.

Në fakt, jeta jonë ka kuptim, këmbënguli Kundera, vetëm nëse ne vendosim ta bëjmë të tillë. Për disa, filozofia erotike e Kunderës ishte bindëse. Për të tjerët, ishte një braktisje retrograde e artit dhe e jetës. Është e qartë se vetë Kundera anon sa nga Tereza dhe Sabina, gjë që i dha romanit forcën e tij.

Ka lexues dhe kritikë që i vlerësuan romanet e viteve 1990 të Kunderës, duke filluar me “Pavdekësia”, si fundin e një trilogjie të përbërë nga 2 romanet e tij të mëparshme dhe “Ngadalësia” si kryevepra e tij. Unë nuk jam në mesin e tyre. Vlerësimet të tilla më duken të fryra.

Në një farë kuptimi, unë e kuptoj se gjenialiteti i Kunderës që është bërë vetë viktimë e historisë. Pasi u shkatërrua Blloku Lindor, autori e humbi pashmangshmërisht kontaktin me domosdoshmërinë shtytëse për të nxjerrë një kuptim njerëzor nga logjika mizore e sistemeve totalitare të kontrollit të plotë, e cila ishte zëvendësuar nga një paqe e përjetshme e krijuar nga individualizmi liberal borgjez.

Mjerisht, parajsa që e çimentoi artin e Kunderës ka rezultuar të jetë po aq iluzore sa mund të jenë aktet e kujtimit dhe harresës në trillimet e tij letrare. Fatmirësisht, ne kemi kryeveprat e Kunderës si udhërrëfyes drejt botës sa të re dhe të vjetër, në të cilën njerëzit në Perëndim e gjejnë veten gjithnjë e më shumë duke përqafuar mungesën e lirive në Lindje, në atë që është padyshim një nga shakatë më të mëdha të historisë. Një shaka, të cilin romancieri Kundera do ta kishte përcjellë me një ironi çliruese./ Pershtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga