LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

NJË NATË NË DARDHË

10 Shtator 2023, 09:58, Opinione Agim Xhafka
NJË NATË NË DARDHË
Foto ilustruese

Te sheshi, kur po prisja jeshilen e semaforit, dikush më “trokiti” te shpatulla. Kthehem,shoh një grua flokëbardhë, me fytyrën plot rrudha dhe sytë si ato të një qeni të lodhur. Nuk po më vinte njohja për të. Truri s’reagoi, por ja një shkëndijë u desh.

Shpresa, m’u dha sinjali. Shoqja ime e gjimnazit, 50 vjet pa u takuar. Ndërsa ajo po vinte një buzagaz në fytyrë, mua më ndihmoi semafori t’ja mbathja.

U dhashë këmbëve sikur prapa më ndiqnin flakët e një zjarri të madh. Nuk e ktheva kokën për një çerek ore. Vetëm ec e ec e ec. Derisa u lodha dhe te Conadi hyra për shlodhje, jo për blerje. Pashë se inati për Shpresën rrinte aq i tendosur tek unë sa edhe pas 50 vitesh nuk qe latuar fare as te qoshet, as tek anët.

Dhe kur mendoj që ajo ishte shoqja ime më e ngushtë. Në brendësinë time e pranoja që e doja. Më dridhej trupi kur më përqafonte, kur më kapte dorën, kur më përkëdhelte kaçurrelat. Apo kur fliste ndonjë sekret afêr veshit, fryma e saj gati më rrëzonte.

Mbase më donte edhe ajo, por ishte traditë që hapin e parë ta hidhja unë. Nuk më mungonte guximi, stepesha ngaqë Shpresa qe vajza e vetme e drejtuesit të qytetit. Kishte lindur në Tiranë, në Korçë s’kishin as katër vite. Një herë kur i thashë nënës ajo qeshi.

-Kush e di ç’dhëndër i kanë piketuar. Pse në Korçë do e lënë ata vajzën! - më tha ajo.

Këto fjalë ishin si ai trau te spitali që ngrihej veç për ambulancat. Ndërkohë ne vazhdonim të rrinim bashkë. Edhe te shtëpia e Shpresës shkoja plot herë. Por kaq. Ndihesha mirë ama. Dhe si shoqe më bënte ta kaloja ditën gëzuar, me emocion.

Sherri nisi një të hënë. Në fundjavë me klasën shkuam ekskursion në Dardhë. Qe dimër, por jo me shumë dëborë. U ngjitëm në fshat nga qafa e Bigllës. Ecja mes atij pylli,dëbora e përzier me jeshilen e bredhave dhe grinë e malit më mahniti.

Shto dhe gëzimin e moshës e lodrat deri në agim më bënë të shkruaj shpejt një skicë poetike. Të djelë në darkë e pashë dhe njëherë, e bëra aq të lëmuar si këpucët e babait kur i lustroste me atë copën e kadifesë që e fshihte mos e përdornim ne fëmijët tek atletet me baltë. Të hënë po prisja Shpresën te dera e shkollës.

-Lexoje dhe po të pëlqeu jepja babit tënd ta botojë te gazeta e qytetit! - i thashë.

-Pa merak, - shqiptoi dhe më kapi dorën.

Gati më hoqi zvarrë drejt klasës. Atë ditë thuajse isha i shatisur komplet. Mendoja shkrimin në gazetë, lavdërimin nga mësues Rizai, lumturinë e nënës, babai do e priste me gërshërë atë faqe dhe do e mbante me vete në xhepin e brendshëm të xhaketës.

Kështu deri në fund të orës së gjashtë. Ikën pastaj të gjithë, unë jo. Isha dezhurn për fikjen e zjarrit në sobë. Po bëhesha gati të shuaja me kanën e ujit prushin e mekur kur anash pashë copa letre me shkrimin tim. I nxora me mashë dhe gjaku m’u bë helm, në gojë ndjeva hidhësi. Qe skica që i dhashë Shpresës. Te një cep lexohej “atë në Dar”.

Titullin ashtu ia kisha vënë, ”Një natë në Dardhë". I mblodha si nëna mblidhte thërrimet e bukës dhe pasi i puthte i lëshonte në një pjatë të vogël dhe ua nxirrte zogjve te dritarja. I shtrëngova fort te dora dhe i rrasa brenda xhepit të tutave bezhë.

Drejt shtëpisë ika thuajse me zvarritje, kaq ngadalë i hiqja këmbët. Nuk kuptoja pse ndodhi kështu. Pyesja veten dhe gjithmonë jepja përgjigje me shumë pikëçuditëse në fund. U gdhiva si një dre i plagosur. Por e kisha vendosur që asaj femre, tani e tutje as emrin nuk do i përmendja, nuk do i flisja. Derisa të vdisja, u betova.

Shkova herët në klasë dhe papritur mu te fytyra m’u ngulit surrati i saj.

-Babai e pëlqeu shumë skicën tënde! - bërtiti ajo që ta dëgjonin të gjithë.

Klasa nisi duartrokitjet. Unë e kapa tek një komçë e pardesysë së saj, e tërhoqa nga vetja dhe gati ia futa në sy coprat e djegura që nxora nga xhepi. U tremb në fillim, pastaj u çudit e në fund u skuq. E lëshova dhe qysh atë çast nuk ia pashë më sytë.

Fati e solli që i ati e çoi te gjimnazi tjetër ngaqë e kishin më pranë shtëpisë. Pastaj ndër vite mësova se u martua në Tiranë me një arkitekt, u divorcua punë muajsh se babain ia futën në burg si armik e spiun dhe qysh atëherë dëgjoja veç keq për të. Nuk gëzohesha, por edhe nuk ndieja dhimbje. Më dukej sikur po shlyente fajin ndaj meje.

Dola nga Conadi, por hyra prapë se dikush atje jashtë mu faneps si Shpresa. Dil, i thashë vetes. Jeta ka plot njerëz të tillë. Të shmangen ata nga rruga jote. Ti ec para sikur ata janë të padukshëm për ty. Më vjen keq veç për Dardhën. Qysh atëhere nuk kam shkelur atje. Po fshati, Gimo, nuk të ka faj, i flas vetes. Nëse ke mall për byrekun e mamasë njësoj veç atje e gjen. Go, go sa më parë, o njeri!/ CNA

13:26 Opinione Arian Galdini

Legjenda e shqiptarit!

A e mbani mend studimin prej ngaku doli shifra 1 milio...

Lajmet e fundit nga