LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Arian Galdini shpall nismën për Peticionin Mbarëkombëtar për të drejtën e votës së Diasporës.

18 Shtator 2023, 18:48, Politikë CNA

Arian Galdini shpall nismën për Peticionin Mbarëkombëtar

Ditën e sotme, në një Konferencë për Media nga Selia e LRE, Kryetari i kësaj partie, Arian Galdini ka bërë publike nismën mbi Peticionin Mbarëkombëtar për të drejtën e votës së Diasporës.

Galdini u shpreh se është krijuar nga një grup emigrantësh, por edhe aktivistësh politikë, civilë në Shqipëri, Këshilli i Diasporës për të Drejtën e Votës.

Sipas tij, Këshilli i Diasporës për të Drejtën e Votës, ka nisur sot më 18 shtator fushatën për firmosjen e Peticionit Mbarëkombëtar, i cili kërkon nga Liderët e vendeve Perëndimore që t’i ushtrojnë trysni pozitive Qeverisë dhe Parlamentit të Shqipërisë, për ta kryer e bërë realitet të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë nga vendi ku jetojnë, në zgjedhjet që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë.

Janë të ftuar të gjithë shqiptarët në Shqipëri por edhe në Diasporë, sidomos e domosdoshmërisht shqiptarët e Diasporës, që ta shpërndajnë dhe firmosin masivisht këtë Peticion për të drejtën e votës. Ne duhet ta bëjmë të gjithë së bashku këtë betejë, pasi të drejtat nuk dhurohen, por fitohen”, u shpreh Arian Galdini.

Teksti i plotë i Peticionit:

Peticion Kombëtar për të drejtën kushtetuese të Diasporës për të votuar!

Drejtuar:

Presidentit të Komisionit Europian

Komisionerit Europian për Zgjerimin

Komisionerit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë

Sekretarit Amerikan të Shtetit

Kryeministrit të Britanisë së Madhe

Kryeministrit të Italisë

Kryeministrit të Greqisë

Kancelarit të Gjermanisë

Presidentit të Francës

(Kryeministrave të vendeve anëtare të BE)

Presidentit të Republikës së Shqipërisë

Kryeministrit të Shqipërisë

Kryetarëve të Partive Politike Parlamentare dhe Joparlamentare të Shqipërisë

Ne qytetarët shqiptarë, ju drejtohemi me këtë Peticion, duke ju dëshmuar vullnetin tonë të plotë e të vendosur me anë të firmës sonë në këtë Peticion e angazhimit tonë për këtë Peticion, mbi domosdoshmërinë që ka një ndërhyrje madhore e të gjitha fuqive qytetare, politike dhe institucionale, në Shqipëri e në çdo vend ku jetojnë shqiptarët për përcaktimin e të drejtës kushtetuese të Diasporës shqiptare për të votuar nga vendi ku jetojnë aktualisht, në zgjedhjet që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë.

Shqipëria ka mbetur vendi i fundit në Europën Juglindore që ende nuk ua ka mundësuar shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë në Diasporë, të drejtën që të votojnë.

Me praktika zvarritëse, dredharake dhe arbitrare, klasa politike shqiptare, ia ka dalë mbanë prej vitesh që tua pamundësojë shqiptarëve të Diasporës të drejtën e votës nga vendi ku jetojnë.

Edhe pse Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë e ka tashmë të sanksionuar të drejtën e votës së Diasporës, edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë e ka të sanksionuar të drejtën e votës së Diasporës, edhe pse ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet të cilit detyrohet Qeveria, Partitë Politike dhe KQZ (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve) që ta realizojnë menjëherë të drejtën e shqiptarëve të Diasporës për të votuar, ne kemi parë e verifikuar çdo ditë se vullneti politik i palëve politike shqiptare që kanë numrat dhe vendim-marrjen në Parlamentin e Shqipërisë, vijon të jetë hileqar dhe pengues i të drejtës së shqiptarëve jashtë atdheut, për të votuar në zgjedhjet që zhvillohen në Shqipëri.

Ndaj ne bashkohemi në këtë Peticion që të kërkojmë të drejtën e votës nga vendi ku jetojmë, sot, tani, menjëherë.

Ne bashkohemi me firmën tonë në këtë Peticion e me angazhimin tonë për këtë Peticion, që të kërkojmë vendosmërisht marrjen e vendimeve të menjëhershme dhe të nevojshme ligjore, buxhetore dhe logjistike nga Parlamenti i Shqipërisë, Qeveria e Shqipërisë dhe nga KQZ- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ne e kërkojmë me ngulm dhe pakompromis e pa toleruar asnjë vonesë a alibi të re zvarritjeje, të drejtën e votës së Diasporës që të bëhet realitet dhe e garantuar brenda një afati kohor të samëparshëm i cili nuk lejon dështimin e këtij proçesi për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 

Shqipëria është vendi i fundit në Europën Juglindore që ka ende probleme me zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta e gjithashtu edhe vendi i fundit që nuk ua mundëson emigrantëve shqiptarë nëpër botë të drejtën e votës.

Me shumë gjasa, klasa politike në Shqipëri ka ende frikë nga zgjedhjet e lira, të ndershme e të barabarta e padiskutim ka frikë edhe nga vota e emigrantëve shqiptarë nëpër botë.

Nëse në Shqipëri ka ende praktika të këqija të cënimit, tjetërsimit, kërcënimit, trysnimit, joshjes apo blerjes së votave, kjo do të thotë se e drejta e votës së emigrantëve jashtë atdheut, sjell një frymë e energji të re lirie, shprese e perëndimorizmi në Shqipëri.

Ne emigrantët shqiptarë jashtë atdheut e vuajmë më shumë se kushdo tjetër papërfaqësueshmërinë.

Ne ndihemi të braktisur e të lënë pas dore nga Qeveritë Shqiptare të të gjitha kohëve.

Mohimi i të drejtës së votës, na ka mohuar edhe mundësinë që ne të kemi zërin dhe fuqinë tonë në Parlamentin e Shqipërisë dhe në Institucionet e Shqipërisë.

Edhe pse ne emigrantët shqiptarë që jetojmë jashtë atdheut jemi kontributorë të mëdhenj dhe thelbësorë në ekonominë e Shqipërisë, qoftë nëpërmjet ndihmës e lehtësimit financiar që u bëjmë familjeve tona por edhe nëpërmjet investimeve direkte dhe indirekte, ne jemi krejtësisht të përjashtuar nga e drejta jonë për përfaqësim politik.

Prandaj bashkohemi në këtë Peticion që ta kërkojmë me gjithë fuqinë tonë, të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë, sot, tani, menjëherë.

U drejtohemi me këtë Peticion edhe Krerëve Politikë e Institucionalë të botës së lirë, të BE, SHBA dhe UK si edhe të vendeve anëtare të BE:

Sepse ne jemi të gjithë qytetarë apo rezidentë taksapagues dhe kontribues të ndershëm dhe ligjzbatues rigorozë në atdheun tonë të dytë që është tashmë vendi ku jetojmë e punojmë jashtë Shqipërisë.

Për shkak të pakicave të liga ne shpesh vuajmë padrejtësisht paragjykime dhe stigmatizime që rëndojnë mbi ne.

Por ne nuk mund të pranojmë më që “pakica ligjshkelëse dhe problematike” të kthehen edhe në përkufizuese të identitetit tonë kombëtar apo social.

Shumica dërrmuese, absolute e shqiptarëve nëpër botë janë njerëz e qytetarë të ndershëm dhe të arrirë me punë, meritë e zotësi duke zbatuar ligjet e duke paguar taksat dhe duke ushtruar përgjegjësitë politike edhe si votues në vendet ku jetojnë jashtë Shqipërisë.

Çfarë ne ndjejmë se na mungon, është kujdesi dhe marrja e përgjegjësive përkatëse nga Qeveria e Shqipërisë, për mbrojtjen dhe përfaqësimin tonë.

Dhe kjo mund të ndryshojë vetëm nëpërmjet të drejtës sonë për ti zgjedhur përfaqësuesit e Parlamentit dhe Qeverisjes në Shqipëri.

Ne e duam të drejtën e votës sepse duam të drejtën e përfaqësimit por edhe të llogarikërkimit.

Duke qenë se Qeveria dhe Partitë Politike në Shqipëri janë treguar tinzarë me ne duke na e zvarritur dhe mohuar prej vitesh të drejtën e votës, ne po u drejtohemi të gjithë Autoriteteve Politike më të Larta të SHBA, BE, UK dhe të vendeve anëtare të BE ku ne jetojmë, që si taksapagues e votues dhe qytetarë a rezidentë të ndershëm që jemi në këto vende, të na dëgjohet, përfaqësohet dhe përcillet z?ri ynë duke e kthyer të drejtën e votës sonë në Shqipëri në një prioritet mbi prioritetet në diskutimet dypalëshe mes secilit shtet ku ne jetojmë dhe Shqipërisë, mes BE dhe Shqipërisë, mes SHBA dhe Shqipërisë, mes UK dhe Shqipërisë.

Ju drejtohemi me këtë Peticion që çdo qeveri perëndimore, institucionet e BE, Parlamenti Europian, dhe SHBA të ushtrojnë trysninë maksimale pozitive për ti detyruar Qeverinë e Shqipërisë dhe Partitë Politike Parlamentare në Shqipëri, që ta kryejmë detyrimisht dhe sa më parë zbatimin e Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe ta bëjnë realitet dhe të garantuar të drejtën e votës për emigrantët shqiptarë në botë, sot, tani, menjëherë.

Ne firmëtarët e këtij Peticioni angazhohemi që ta ngremë zërin tonë kudo e ngado tek çdo Qeveri Perëndimore, tek çdo Institucion Politik në vendet ku ne jetojmë, tek Deputetët e Zonave Elektorale në vendet ku ne jetojmë, tek Europarlamentarët e vendeve ku ne jetojmë, tek Institucionet e BE dhe SHBA e tek çdo Senator e Kongresmen.

Do të bëjmë gjithçka në fuqinë e mundësitë tona qytetare që ta fitojmë këtë betejë.

Ne emigrantët shqiptarë nëpër botë, kërkojmë të drejtën e votës në Shqipëri dhe e duam sot, tani, menjëherë./ CNA

Lajmet e fundit nga