LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ne jemi të çmendur nëse u japim fëmijëve tanë telefona inteligjentë

11 Qershor 2023, 21:30, Tech CNA

Ne jemi të çmendur nëse u japim fëmijëve tanë

Ne të gjithë e njihnim një fëmijë të tillë: një 10-vjeçare të shkathët, që pëlqente figurinat me princesha që ngjiteshin nëpër blloqet e ditarëve apo romanet, dhe që shëtiste vazhdimisht rrotull shtëpisë dhe lagjes me skuterin e saj. Por ajo ka ndryshuar vitet e fundit.

Ndryshimi nisi disa kohë pas ritit tashmë të kudondodhur të kalimit në një moshë disi më madhore. Iu dhurua një telefon iPhone në ditëlindjen e saj të 11-të. Sigurisht, nën kontrollin e prindërve, por sërish me praninë e mediave sociale toksike, shqetësuese që krijojnë varësi të pakuptimta për njeriun.

Kështu ajo u fiksua vetëm pas telefonit të saj, pas selfie-ve, duke lundruar gjithmonë në rrjetet sociale, duke bërë like, duke gjykuar me gishtat që dridheshin nga përdorimi i vazhdueshëm në dërgimin e mesazheve.

Dhe sjellja shoqëruese - ankthi, stresi, ndryshimet e humorit, perfeksionizmi, depresioni - u bënë pjesë e jetës së përditshme. Kjo degradoi më pas në çrregullime të të ngrënit, sulme paniku dhe vetëdëmtim. Tani unë jam e sigurt se puberteti ka qenë i kobshëm në shumicën e kohërave dhe vendeve.

Por shikoni se çfarë i ka shtuar jeta: një pajisje që nuk ndalet kurrë, as për të të lënë të flesh gjumë, as për t’u ushqyer, as për të punuar apo lozur, duke zëvendësuar kësisoj zhvillimin normal shoqëror me një fluks gjykimesh impulsive nga bashkëmoshatarët tanë, përzier me ndonjë mendim apo imazh të vogël.

Nuk është e nevojshme që të jesh një psikolog i nderuar për të kuptuar se adoleshenca sot ka ndryshuar. Ajo është përkeqësuar, pasi pa e vrarë shumë mendjen ua dhamë fëmijëve tanë telefonat inteligjentë, opiumin e epokës moderne që vepron me shumë forcë mbi trurin e të miturve.

Dhe më pas pretenduam, në mënyrë patetike dhe pa sinqeritet, se jemi të pafuqishëm për të bërë ndonjë gjë në lidhje me këtë problem. Por meqë shumë prej nesh janë vetë skllevër të varësisë nga telefoni dhe për këtë arsye rezistentë ndaj së vërtetës, po e shtroj unë këtë sfidë shumë të madhe.

Shëndeti mendor i adoleshentëve po përkeqësohet në të gjithë botën e zhvilluar. Qendrat e SHBA-së për Kontrollin e Sëmundjeve, raportuan kohët e fundit se 22 për qind e nxënësve të shkollave të mesme e kanë “menduar seriozisht vetëvrasjen”, nga 16 për qind që ishte kjo normë në vitin 2011.

Situata është më problematike për vajzat. Në të njëjtin grup të dhënash, më shumë se gjysma raportuan se ndiheshin vazhdimisht të trishtuara apo të pashpresa, kundrejt rreth 1/3 në vitin 2011. Dhe kjo është një prirje globale.

Të dhënat e vetëvrasjeve për vajzat adoleshente në 17 vende të zhvilluara, të mbledhura nga “The Economist”, janë rritur me 40 për qind që nga viti 2014, një tendencë kjo e përshpejtuar nga bllokimet për shkak të Covid-19. Kjo është epidemia e vërtetë rinore e kohës sonë.

Të dhënat nuk janë super të sakta, megjithatë janë aq bindëse saqë studiuesit e njohur si  psikologët amerikanë Xhin Tuenge dhe Xhonatan Haid, po japin alarmin. Haid thotë se studimet sugjerojnë se efekti i mediave sociale në shëndetin mendor të vajzave është 2 herë më i keq se efekti i helmimit nga plumbi në Koefiçentin e Inteligjencës (IQ).

Haid, Tuenge dhe të tjerë besojnë se provat e lidhjes shkakësore midis përdorimit të smartfonëve të adoleshentëve, dhe veçanërisht i mediave sociale, dhe i përkeqësimit të  shëndetit mendor janë tashmë të pamundura për t’u hedhur poshtë.

Ne e dimë këtë gjë nga përvoja e përditshme. Aplikacionet në telefonat tanë inteligjentë nxisin modelet e varësisë së trurit nga dopamina. Dhe kjo gjë është më se e dukshme në studimet përmes skanimit të sistemit nervor. Telefonat na bëjnë të ndihemi më të hutuar, të shqetësuar dhe më të dëshpëruar.

Me përdorimin e tepër të tyre, ato e bëjnë të pamundur që truri ynë të hyjë në një gjendje që na jep mundësi të mësojmë, të kemi përvoja domethënëse dhe të ushqejmë shpirtin njerëzor, si përqendrimi, vetë-mjaftueshmëria, të jetuarit të momentit dhe vlerësimin e asaj që kemi  përpara.

Për një tru në zhvillim e sipër, të mbushur plot me hormone që forcojnë qasjen emocionale ndaj gjërave, ky ristrukturim është veçanërisht i fuqishëm, dhe ndoshta edhe i përhershëm. Prandaj qeveria britanike duhet të marrë masa.

Këtu nuk kam parasysh miratimin e projektligjit për sigurinë në internet, një qasje që për mua është si të vendosësh një filtër të ri në tubin e opiumit. Ai lindi nga historia e tmerrshme i Modi Rasëll, vajzës 14-vjeçare që vrau veten pasi konsumoi orë të tëra me përmbajtje vetë-dëmtuese në Instagram.

Por ndërsa projektligji do të shkaktojë dëme të mëdha tek të drejtat e lirisë së fjalës së të rriturve, nuk do të bëjë asgjë për të trajtuar problemin më të gjerë: kalimin shumë kohë në internet nga ana e të rinjve. Ajo që nevojitet është një regjim i ri rregullator.

Personalisht, unë do të ndaloja me ligj pronësinë e smartfonëve për fëmijët e moshës nën 16 vjeç. Një alternativë e pranueshme mund të jetë një kornizë rregullatore e ngjashme me atë kundër pirjes së duhanit, e kërkuar nga organizata joqeveritare “Safe Screens”.

Kjo do të thotë se vetëm pajisjet e licencuara mund të shiten për përdorim nga fëmijët, dhe ato pajisje duhet të jenë të afta vetëm për të kryer telefonata dhe të përmbajnë aplikacione të miratuara nga rregullorja. Ky rregullim do të ishte shumë më i rreptë dhe më efektiv sesa “kontrollet prindërore” që anashkalohen gjerësisht nga të rinjtë.

Këtë duhet ta bëjë shteti, sepse situata paraqet problemin klasik që kërkon një veprim kolektiv. Nëse prindërit u mohojnë telefonat fëmijëve të tyre adoleshentë, rrezikojnë t’i izolojnë ata socialisht nga bashkëmoshatarët e tyre, gjë që mund të shkaktojë stres më vete.

Prindërit që pendohen që i janë nënshtruar presionit ndihen të pafuqishëm, të frikësuar nga pasojat e tmerrshme nëse u heqin telefonin fëmijëve të tyre. Prindërit si unë, që nuk e kanë arritur ende pikën e rrezikut, shpresojnë që dikush ta zgjidhë këtë problemi përpara se edhe ne të zhytemi në këtë vorbull.

Edhe shumica e atyre prindërve që arrijnë t’ia kufizojnë me sukses kohën që kalojnë para ekranit fëmijët e tyre, do të pranonin se kjo është një betejë e vazhdueshme. Po prindërit që nuk u intereson fare kjo gjë? Epo, fëmijët e tyre janë ata që kanë më shumë nevojë për mbrojtje.

Sa i përket kundërshtimeve, që të gjitha ato janë justifikime pa shumë peshë. Është e vërtetë: në internet ka mjete të shkëlqyera edukative dhe krijuese, por pse u duhen fëmijëve ato në xhepat e tyre?

Është e vërtetë, që disa shkolla kanë menduar përdorimin e smartfonëve për kryerjen e detyrave të shtëpisë. Por kjo gjë është krejtësisht e panevojshme dhe duhet anuluar. E vërteta, është se dëmet janë më të mëdha sesa përfitimet. Atëherë, pse po e lejojmë që të vazhdojë kjo situatë?

Për çfarë qëllimi? Ose do të veprojmë tani ose të presim që të ndryshojë truri i fëmijëve, që Inteligjenca Artificiale dhe realiteti virtual ta vendosin atë në një pajisje krejtësisht të re, dhe në ato rrethana rregullimi i tij do të bëhet më i dhimbshëm dhe i vështirë.

Nëse nga ana tjetër, do të mund t’i nxjerrim fëmijët tanë nga ky moçal, ndoshta kjo do të na ndihmojë edhe ne të rriturit që të përballemi me të dhe të gjejmë një mënyrë për të ndryshuar zakonet tona. Sigurisht, teknologjia e smartfonëve ka përfitime të mëdha, por a po e përdorim atë në mënyrë të shëndetshme?

A është vërtet një ide e mirë të kesh qasje të vazhdueshme dhe të menjëhershme tek kamera, media sociale, mesazhe, pornografi, blerje, lajme e pafundme e kështu me radhë? Apo duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se edhe ne po jetojmë disi më pak, po përpiqemi të përqendrohemi ose të jemi të pranishëm, duke lënë pas dore shpirtin tonë dhe duke ushqyer varësinë tonë? Apo duhet të presim që fëmijët tanë të rriten, dhe të kthejnë kokën pas duke u çuditur se sa egoistë dhe frikacakë u treguam?/ Pershtatur nga CNA

 

08:25 Tech

Art nga robotët

Me ndihmën e algoritmeve dhe të inteligjencës artificiale ...

Lajmet e fundit nga